ARTIKULLI I STUDIMIT 27
Imito qëndrueshmërinë e Jehovait
«Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.»—LUKA 21:19.
KËNGA 114 ‘Të presim me durim’
PËRMBLEDHJEa
1-2. Pse fjalët e Jehovait tek Isaia 65:16, 17 na inkurajojnë të mos dorëzohemi?
«MOS U DORËZO!»—kjo ishte tema forcëdhënëse e programit të kongresit rajonal të vitit 2017. Programi tregonte si mund të qëndrojmë të palëkundur mes sprovave. Që atëherë kanë kaluar katër vjet dhe ja, po vazhdojmë të përballojmë jetën në këtë botë të ligë.
2 Çfarë të është dashur të përballosh kohët e fundit? Humbjen e një familjari ose miku të shtrenjtë? Një sëmundje vdekjeprurëse? Problemet që sjell afrimi i pleqërisë? Një katastrofë natyrore, dhunë a përndjekje? Apo pasojat e ndonjë sëmundjeje, si pandemia e COVID-19? Na digjet zemra për atë ditë kur do t’i lëmë pas tërë këto dhimbje e halle—kur do të mbulohen nga pluhuri i harresës dhe s’do të përsëriten kurrë më!—Lexo Isainë 65:16, 17.
3. Çfarë duhet të bëjmë tani, dhe pse?
3 Jeta në këtë sistem është e vështirë, e në të ardhmen mund të hasim sprova akoma më të rënda. (Mat. 24:21) Është e qartë se kemi nevojë të vazhdojmë të tregojmë qëndrueshmëri. Pse? Sepse Jezui tha: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.» (Luka 21:19) Mund të marrim forcë për të qëndruar nëse mendojmë si po përballojnë të tjerët sprova të ngjashme me tonat.
4. Pse mund të themi se Jehovai është shembulli më i shkëlqyer i qëndrueshmërisë?
4 Kush është shembulli më i shkëlqyer i qëndrueshmërisë? Perëndia Jehova. Mbase të çudit pak kjo përgjigje. Por ndalu e mendo një çast. Kjo botë është nën pushtetin e Djallit dhe është e mbytur në telashe. Jehovai ka fuqinë t’u japë fund në çast, por po pret një ditë në të ardhmen kur do ta bëjë këtë. (Rom. 9:22) Ndërkohë, Perëndia ynë po vazhdon të tregojë qëndrueshmëri derisa të vijë ajo ditë e caktuar. Le të shohim nëntë gjëra që po duron Jehovai.
ÇFARË PO DURON JEHOVAI?
5. Si kanë hedhur baltë mbi emrin e Perëndisë Satanai e shumë të tjerë, dhe si ndihesh nga kjo?
5 Akuzat që njollosin emrin e tij. Jehovai e do emrin e tij dhe do që të gjithë ta respektojnë këtë emër të shenjtë. (Isa. 42:8) Por ka afro gjashtë mijë vjet që emri i tij i mirë përbaltet me sharje. (Psal. 74:10, 18, 23) Kjo zuri fill në kopshtin e Edenit, kur Djalli (që do të thotë «Shpifës») e akuzoi Perëndinë se po u mohonte Adamit dhe Evës diçka që u nevojitej për të qenë të lumtur. (Zan. 3:1-5) Qysh atëherë, Satanai dhe shumë të tjerë kanë hedhur akuzën e rreme se Jehovai u mohon njerëzve diçka që u nevojitet vërtet. Jezui ishte i shqetësuar që emri i Atit të tij po përbaltej, prandaj u mësoi dishepujve të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!»—Mat. 6:9.
6. Pse Jehovai ka lënë boll kohë për t’u zgjidhur çështja e sovranitetit të tij?
6 Sfida ndaj sovranitetit të tij. Jehovai ka të drejtën absolute të jetë Sovrani i qiellit e i tokës dhe mënyra si qeveris ai është më e mira. (Zbul. 4:11) Por, me dinakëri, Djalli është përpjekur t’i shtyjë engjëjt dhe njerëzit që të mendojnë se Perëndia nuk e ka këtë të drejtë. Çështja e të drejtës së Jehovait për të qenë Sovrani nuk mund të zgjidhej në çast. Me mençuri, Perëndia i ka dhënë njerëzimit kohë me bollëk që ta shohë vetë se, kur njeriu përpiqet të qeverisë i pavarur nga Krijuesi, do të dështojë pa diskutim. (Jer. 10:23) Falë durimit të Perëndisë, kjo çështje do të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Jehovai do ta shfajësojë sovranitetin e tij kur të provojë se vetëm Mbretëria e tij mund të sjellë paqe dhe siguri të vërtetë në botë.
7. Cilët u rebeluan kundër Jehovait, dhe si do të përfundojnë ata?
7 Rebelimi i disa prej fëmijëve të tij. Jehovai i krijoi të përsosur fëmijët e tij në qiell e në tokë, pa asnjë të metë. Por më pas një engjëll rebel, Satanai (që do të thotë «Kundërshtar»), i ktheu kundër Jehovait njerëzit e përsosur, Adamin dhe Evën. Ai u prishi mendjen edhe shumë engjëjve e njerëzve që të rebeloheshin si ai. (Jud. 6) Madje më vonë, edhe disa nga kombi i Izraelit, nga populli i zgjedhur i Perëndisë, i kthyen shpinën Jehovait e nisën të adhuronin perëndi të rreme. (Isa. 63:8, 10) Me të drejtë, Jehovai u ndie i tradhtuar. Megjithatë, ai ka duruar dhe do të vazhdojë të tregojë durim derisa të vijë dita për t’u shfarosur të gjithë rebelët. Kjo do t’u sjellë lehtësimin e shumëpritur besnikëve të tij, që po tregojnë qëndrueshmëri si ai ndërsa vuajnë në këtë sistem të lig!
8-9. Çfarë gënjeshtrash thuhen për Jehovain, dhe çfarë mund të bëjmë ne?
8 Gënjeshtrat e pandërprera të Djallit. Satanai akuzoi një shërbëtor të drejtë të Jehovait, Jobin, se i shërbente Perëndisë me motive egoiste, e kështu shpifi kundër të gjithë adhuruesve besnikë të Jehovait. (Jobi 1:8-11; 2:3-5) Djalli vazhdon edhe sot e kësaj dite të hedhë akuza të tilla. (Zbul. 12:10) Kur tregojmë qëndrueshmëri në sprova dhe i rrimë besnikë Jehovait ngaqë e duam, japim prova se akuzat e Satanait janë gënjeshtra fund e krye. Jehovai do të na shpërblejë për qëndrueshmërinë tonë, ashtu si shpërbleu Jobin.—Jak. 5:11.
9 Satanai përdor udhëheqësit e feve të rreme për të thënë se Jehovai është mizor dhe është shkaktari i vuajtjeve të njerëzimit. Madje kur vdes një fëmijë, disa thonë se e mori Perëndia ngaqë i duhej një engjëll tjetër në qiell. Çfarë blasfemie! Ne e dimë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Kur vuajmë nga një sëmundje e rëndë ose kur na vdes një njeri i dashur, kurrë nuk ia hedhim fajin Perëndisë tonë. Përkundrazi, kemi besim se një ditë ai do të ndreqë çdo gjë. Duam t’i tregojmë kujtdo që na dëgjon çfarë Perëndie i dashur është Jehovai. Kështu Jehovai mund t’i japë një përgjigje atij që e përbuz.—Prov. 27:11.
10. Çfarë na tregon për Jehovain Psalmi 22:23, 24?
10 Vuajtjet e shërbëtorëve të tij të shtrenjtë. Jehovai është Perëndi i dhembshur. Atij i dhemb zemra kur sheh që vuajmë—qoftë nga përndjekjet, nga sëmundjet ose nga papërsosmëritë tona. (Lexo Psalmin 22:23, 24.) Jehovai e ndien dhimbjen tonë; ai dëshiron t’i japë fund dhe do t’i japë fund. (Krahaso Eksodin 3:7, 8; Isainë 63:9.) Do të vijë dita kur ‘ai do të fshijë çdo lot nga sytë tanë dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.’—Zbul. 21:4.
11. Si ndihet Jehovai për shërbëtorët e tij besnikë që nuk jetojnë më?
11 Ndarja nga miqtë e tij që kanë vdekur. Si ndihet Jehovai për adhuruesit e tij besnikë që kanë vdekur? Është i përmalluar t’i shohë përsëri! (Jobi 14:15) A e imagjinon dot sa e ka marrë malli Jehovain për mikun e tij, Abrahamin? (Jak. 2:23) Po për Moisiun, me të cilin fliste «sy për sy»? (Eks. 33:11) E patjetër që ia do zemra t’i dëgjojë prapë Davidin dhe psalmistët e tjerë të këndojnë nga zemra këngë lëvdimi! (Psal. 104:33) Ndonëse këta miq të Perëndisë kanë rënë në gjumin e vdekjes, Jehovai nuk i ka harruar. (Isa. 49:15) Ai kujton çdo hollësi të personalitetit të tyre. Shkrimet thonë se «nga këndvështrimi i tij, të gjithë ata janë gjallë». (Luka 20:38, shën.) Do të vijë dita kur Jehovai do t’i kthejë në jetë. Ai do t’i dëgjojë prapë lutjet e tyre nga zemra dhe do ta pranojë me kënaqësi adhurimin e tyre. Këto mendime qofshin burim ngushëllimi për ty, nëse vdekja të ka rrëmbyer një njeri të dashur!
12. Çfarë i shkakton shumë dhimbje Jehovait në këto ditë të fundit plot ligësi?
12 Padrejtësitë dhe dhuna e njerëzve të ligj. Kur nisi rebelimi në Eden, Jehovai e dinte se situata do të merrte tatëpjetën, para se të përmirësohej përfundimisht. Ai i urren ligësinë, padrejtësitë dhe dhunën që mbizotërojnë sot në botë. Jehovai ka pasur gjithmonë merak të veçantë për ata që janë më të pambrojtur ose më të brishtë, si për shembull jetimët dhe vejushat. (Zak. 7:9, 10) Një gjë që i shkakton shumë dhimbje, është të shohë kur shërbëtorët e tij besnikë i shtypin dhe i burgosin. Të gjithë ju që po tregoni qëndrueshmëri si Jehovai, jini të sigurt se ai ju do!
13. Çfarë sjelljesh poshtëruese sheh sot Perëndia mes njerëzve, dhe çfarë do të bëjë për këtë?
13 Degradimi moral i familjes njerëzore. Satanait i pëlqen shumë që njerëzit, të cilët janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë, të katandisen në një gjendje të poshtëruar ose të degraduar. Në kohën e Noesë, Jehovai «pa që ligësia e njeriut ishte e madhe», prandaj «i erdhi keq që kishte bërë njerëz në tokë dhe u hidhërua shumë në zemër». (Zan. 6:5, 6, 11) A janë përmirësuar kushtet që nga ajo kohë? Aspak! S’do mend që Djalli kënaqet pa masë kur sheh si ka marrë dhenë imoraliteti seksual në lloj-lloj formash, duke përfshirë sjelljet imorale mes njerëzve të sekseve të ndryshme dhe atyre të të njëjtit seks. (Efes. 4:18, 19) Satanai kënaqet sidomos kur arrin të shtyjë drejt një mëkati të rëndë ata që adhurojnë Perëndinë e vërtetë. Kur durimi i Jehovait të marrë fund, Ai do ta tregojë qartë urrejtjen për çdo sjellje imorale.
14. Si po e katandis njeriu tokën dhe krijesat e saj?
14 Shkatërrimi i krijimit të tij. Njeriu jo vetëm ‘po sundon mbi njeriun në dëm të tij’, por edhe është një administrues i keq i tokës dhe i krijesave të tjera, për të cilat Jehovai i kërkoi të kujdesej. (Ekl. 8:9; Zan. 1:28) Disa shkencëtarë paralajmërojnë se, për shkak të veprimeve të njeriut, mund të zhduken edhe një milion lloje të tjera brenda pak viteve të ardhshme. S’është çudi që ata thonë se toka është në rrezik! Sa mirënjohës jemi për premtimin e Jehovait se ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’ dhe do ta kthejë mbarë planetin tonë në parajsë.—Zbul. 11:18; Isa. 35:1.
ÇFARË MËSOJMË NGA QËNDRUESHMËRIA E JEHOVAIT
15-16. Çfarë na motivon të tregojmë qëndrueshmëri si Jehovai? Ilustrojeni.
15 Mendo për gjithë problemet e vuajtjet që po duron prej mijëra vjetësh Ati ynë qiellor. (Shih kutinë «Çfarë po duron Jehovai».) Jehovai mund t’i jepte fund kur të donte këtij sistemi të lig. Por, durimi i tij ka qenë një bekim për ne. Mendo për këtë ilustrim: një çifti i thonë se foshnja që presin t’u lindë, ka probleme fizike serioze dhe se do të ketë një jetë të vështirë e do të vdesë para kohe. Por, edhe pse kjo do t’u kushtojë shtrenjtë, prindërit e presin krahëhapur fëmijën kur vjen në jetë. Dashuria për fëmijën i nxit të durojnë çdo vështirësi, që t’ia bëjnë jetën sa më të rehatshme dhe sa më të bukur.
16 Po njësoj, të gjithë pasardhësit e Adamit dhe të Evës janë të papërsosur kur vijnë në jetë. Prapëseprapë, Jehovai i do dhe kujdeset për ta. (1 Gjon. 4:19) E ndryshe nga prindërit në ilustrim, ai mund t’u japë fund vuajtjeve të fëmijëve të tij. Jehovai ka vendosur një datë kur do të shërojë të gjitha plagët dhe sëmundjet e njerëzimit. (Mat. 24:36) A nuk duhet të na motivojë dashuria e tij të tregojmë edhe ne qëndrueshmëri për sa kohë të jetë e nevojshme?
17. Pse na nxit të mos dorëzohemi ajo që thuhet për Jezuin te Hebrenjve 12:2, 3?
17 Jehovai është shembulli i përsosur i qëndrueshmërisë. Jezui e imitoi qëndrueshmërinë e Atit të tij. Kur jetoi në tokë, Jezui duroi fjalët armiqësore të njerëzve, turpin dhe një shtyllë torture për hirin tonë. (Lexo Hebrenjve 12:2, 3.) Shembulli i qëndrueshmërisë së Jehovait patjetër që i dha Jezuit forcën të duronte. Ky shembull mund të na japë forcë edhe ne.
18. Si na ndihmon 2 Pjetrit 3:9 të kuptojmë se çfarë po arrihet falë durimit të Jehovait?
18 Lexo 2 Pjetrit 3:9. Jehovai e di cili është momenti më i mirë për t’i dhënë fund kësaj bote të ligë. Durimi i tij ka bërë të mundur të mblidhet një shumicë e madhe prej miliona vetash, që e adhurojnë dhe e lëvdojnë. Të gjithë ata janë të lumtur që Jehovai ka duruar aq gjatë sa të vinin në jetë, të mësonin ta donin dhe t’i kushtoheshin. Kur Jehovai t’i shpërblejë me kënaqësi ata miliona që do të kenë qëndruar besnikë deri në fund, do të shihet qartë sa i drejtë ishte vendimi i tij për të duruar!
19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, dhe çfarë shpërblimi na pret?
19 Shembulli i Jehovait na mëson të tregojmë qëndrueshmëri e të mos e humbim gëzimin. Me gjithë plagët dhe vuajtjet që ka shkaktuar Satanai, Jehovai vazhdon të jetë ‘Perëndia i lumtur’. (1 Tim. 1:11) Edhe ne mund të vazhdojmë të jemi të gëzuar ndërsa presim me durim që Jehovai të shenjtërojë emrin e tij, të shfajësojë sovranitetin e tij, të zhdukë me rrënjë ligësinë dhe t’u japë fund problemeve që kalojmë sot. Qofshim të vendosur të tregojmë qëndrueshmëri! Le të marrim forcë nga fakti që edhe Ati ynë qiellor po tregon qëndrueshmëri! Nëse qëndrojmë të palëkundur, për secilin nga ne do të thuhen këto fjalë: «Lum kush tregon qëndrueshmëri kur has sprova, sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Jehovai ua premtoi atyre që e duan pareshtur!»—Jak. 1:12.
KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re
a Të gjithë kemi problemet tona. Sot për sot, shumë nga këto probleme nuk kanë zgjidhje; thjesht duhet t’i durojmë. Por nuk jemi vetëm. Edhe Jehovai po tregon qëndrueshmëri e po duron shumë gjëra. Në këtë artikull do të ndalemi te nëntë prej tyre. Do të shohim edhe ç’të mira ka sjellë qëndrueshmëria e Jehovait dhe si na ndihmon shembulli i tij.