Kapitulli i dymbëdhjetë
«Rri në pritje»
1, 2. (a) Cilat pyetje mund t’i bësh vetes? (b) Në cilën situatë jetuan disa nga 12 profetët, dhe ç’qëndrim kishte Mikea?
SA KOHË ke që pret ditën kur Jehovai të zhdukë ligësinë nga toka? Edhe sa je gati të presësh? Cili qëndrim dhe cilat veprime do të karakterizojnë jetën tënde, ndërkohë që pret? S’ka diskutim se përgjigjet e tua do të jenë të ndryshme nga ato të njerëzve që shkojnë në kishë, por që jetojnë si t’u pëlqejë atyre, ndërsa presin të shkojnë në qiell.
2 Ndërkohë që po pret atë ditë të madhe, librat që shkruan 12 profetët mund të të ndihmojnë shumë. Shumica e atyre profetëve jetuan në periudha kohe kur pritej që Perëndia të ndërhynte me anë të një gjykimi. Për shembull, Mikea shërbeu në kohën kur Samarisë po i afrohej ndëshkimi nëpërmjet asirianëve, në vitin 740 p.e.s. (Shih tabelën kronologjike, në faqet 20 dhe 21.) Gjithashtu, dita e Jehovait kundër Judës, edhe pse do të vinte pak më vonë, ishte po aq e sigurt. A nxori si përfundim Mikea se duhej të rrinte duarkryq, duke shpresuar që Perëndia të vepronte shpejt, ngaqë nuk e dinte tamam kohën kur Ai do të ndërhynte? Ja fjalët e Mikesë: «Por unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të rri në pritje të Perëndisë së shpëtimit tim. Perëndia im do të më dëgjojë.» (Mikea 7:7) Po, i sigurt për atë që do të vinte, Mikea ishte si një rojë vigjilent në kullën e rojës.—2 Samuelit 18:24-27; Mikea 1:3, 4.
3. Cilin qëndrim shfaqën Habakuku dhe Sofonia, ndërkohë që prisnin shkatërrimin e Jerusalemit?
3 Më tej, shiko në tabelën kronologjike kohën kur jetuan Sofonia dhe Habakuku. Ata të dy shërbyen në një periudhë që ishte më afër shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Gjithsesi, s’kishin si ta dinin nëse ekzekutimi i gjykimit të Perëndisë do të vinte menjëherë apo do të duheshin ende disa dekada. (Habakuku 1:2; Sofonia 1:7, 14-18) Sofonia shkroi: «Më pritni,—thotë Jehovai,—gjer ditën kur të ngrihem për të bërë pre, sepse vendimi im gjyqësor është . . . të derdh mbi to dënimin tim, gjithë zemërimin tim të zjarrtë.» (Sofonia 3:8) Po Habakuku, që jetoi pak kohë pas Sofonisë? Ai shkroi: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.»—Habakuku 2:3.
4. Në cilat rrethana profetizuan Sofonia dhe Habakuku, e me cilin qëndrim?
4 Rrethanat në të cilat u thanë fjalët që gjejmë te Sofonia 3:8 dhe te Habakuku 2:3, na tregojnë shumë. Në një kohë kur disa judenj thoshin se «Jehovai nuk bën as mirë, as keq», Sofonia shpalli ‘ditën e zemërimit të Jehovait’. Atë ditë, jo vetëm kombet armike, por edhe judenjtë e pabindur do ta provonin zemërimin e Perëndisë. (Sofonia 1:4, 12; 2:2, 4, 13; 3:3, 4) A mendon se Sofonia kishte frikë nga ndëshkimi dhe nga zemërimi i Perëndisë? Përkundrazi, atij iu tha të qëndronte «në pritje». ‘Po Habakuku?’—do të pyesësh ti. Edhe ai ‘do të rrinte në pritje’. Po, vërtet, Sofonia dhe Habakuku nuk e morën me lehtësi atë që do të vinte dhe nuk e vazhduan jetën duke menduar se gjërat nuk do të ndryshonin kurrë. (Habakuku 3:16; 2 Pjetrit 3:4) Megjithatë, siç e vumë re, diçka e rëndësishme që ata profetë duhej të bënin ishte se të dy duhej ‘të rrinin në pritje’. Dhe patjetër, ti e di se ajo çfarë prisnin dy profetët u bë fakt historik në vitin 607 p.e.s. Pra, ata u treguan të mençur që qëndruan «në pritje».
5, 6. Cilin qëndrim duhet të kemi, duke ditur se sa afër përmbushjes së qëllimit të Perëndisë jemi?
5 Mund të jesh po kaq i sigurt se ‘dita e zemërimit të Jehovait’ kundër këtij sistemi do të vijë; do të jetë një fakt real dhe i besueshëm. Me siguri, ti s’ke dyshime për këtë. Ashtu si dhe Sofonia e Habakuku, ti nuk e di datën e saktë kur do të vijë ajo ditë. (Marku 13:32) Por, që ka për të ardhur, është e sigurt, dhe përmbushja e profecive biblike në kohën tonë tregon qartë se do të vijë shpejt. Pra, edhe për ty zbatohet ajo që Jehovai u theksoi dy profetëve: «Rri në pritje.» E mos harro këtë të vërtetë absolute: Perëndia ynë është i vetmi që ‘vepron në dobi të atyre që vazhdojnë të presin nga ai’.—Isaia 64:4.
6 Mund të shfaqësh një qëndrim të duhur pritës, duke e treguar me veprimet e tua se je i sigurt që ‘dita e zemërimit të Jehovait’ do të vijë tamam në kohë. Bindja jote për këtë dhe shoqërimi i kësaj me veprimet e duhura, janë në harmoni me diçka që tha Jezui. Ai i nxiti apostujt dhe të gjithë të krishterët e mirosur: «Ngjishni ijët dhe mbajini ndezur llambat dhe jini si njerëzit që presin zotërinë e tyre . . . Lum ata skllevër, nëse zotëria i tyre, kur të mbërrijë, i gjen duke vigjiluar! Vërtet po ju them: ai do të ngjeshë rrobën në mes, do t’i shtrojë në tryezë, do të rrijë pranë tyre dhe do t’u shërbejë.» (Luka 12:35-37) Po, qëndrimi i duhur pritës tregon se je i sigurt që dita e madhe e Jehovait do të vijë pikërisht në kohë, as një minutë më vonë se ajo që ka vendosur ai.
«NË PRITJE» DHE «GATI»
7, 8. (a) Çfarë ka ardhur si rezultat i durimit të Perëndisë? (b) Cilin qëndrim na nxit të shfaqim Pjetri?
7 Shërbëtorët e Perëndisë në kohët moderne ishin në pritje para se të vendosej Mbretëria e tij në qiell në vitin 1914, dhe vazhdojnë të jenë në pritje që nga ajo kohë. Por kjo pritje nuk ka nënkuptuar kurrsesi të rrinë pa bërë gjë. Përkundrazi, kanë qenë gjithnjë aktivë në veprën e predikimit që u ka caktuar Perëndia. (Veprat 1:8) Mirëpo, mendo për këtë: nëse dita e Jehovait do të kishte ardhur në vitin 1914, ku do të kishe qenë ti? Edhe po të kishte ardhur 40 vjet më parë, a ishe atëherë një njeri me «vepra të shenjta sjelljeje» dhe me «veprime të përkushtimit hyjnor»? (2 Pjetrit 3:11) Po familjarët e tu që janë Dëshmitarë ose miqtë e ngushtë që ke në kongregacion, ku do të ishin? Është e qartë se kjo kohë pritjeje të ka hapur udhën për shpëtim ty dhe shumë të tjerëve, siç tregon 2 Pjetrit 3:9. Fakti që Jehovai nuk e shkatërroi të gjithë sistemin e lig menjëherë pasi u vendos Mbretëria, u ka dhënë mundësi shumë njerëzve të pendohen, siç u penduan dhe u kursyen ninevitët. Që të gjithë kemi arsye të themi si apostulli Pjetër: «Konsiderojeni durimin e Zotërisë tonë si shpëtim.» (2 Pjetrit 3:15) Kjo periudhë e tanishme po vazhdon t’u japë mundësi njerëzve të pendohen ose të ndreqin jetën dhe mendimet e tyre.
8 Një i krishterë ndoshta mund ta mendojë paksa me indiferencë situatën që ekzistonte në ditët e Mikesë, të Sofonisë e të Habakukut. «Fundja, e gjithë kjo ka ndodhur shumë kohë më parë!»—mund të thotë. Por çfarë mësimesh nxjerrim? Tashmë e kemi përmendur këshillën e Pjetrit, se të krishterët duhet të jenë njerëz me «vepra të shenjta sjelljeje» dhe me «veprime të përkushtimit hyjnor». Menjëherë pas këtyre fjalëve, Pjetri theksoi edhe një nevojë tjetër: të jemi «duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait». (2 Pjetrit 3:11, 12) Pra, duhet ‘ta mbajmë gjithnjë në mend’ atë ditë, duke qenë «në pritje» të saj.
9. Pse është e përshtatshme që ‘t’i mbajmë sytë te Jehovai’?
9 A po ‘i mbajmë sytë te Jehovai dhe a po rrimë në pritje’ njësoj si Mikea, pavarësisht se sa kemi që i shërbejmë Atij, pak vjet apo shumë dekada? (Romakëve 13:11) Qartë, si njerëz, ne mund të kemi shumë dëshirë të dimë kur do të vijë fundi dhe sa kohë mbetet ende deri atëherë. Por, duhet të pranojmë se këtë nuk mund ta dimë. Kujto fjalët e Jezuit: «Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte hajduti, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Prandaj, edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.»—Mateu 24:43, 44.
10. Ç’mësime nxjerr nga jeta dhe nga qëndrimi i apostullit Gjon?
10 Ajo që tha Jezui është shumë e ngjashme me fjalët që shkruan Mikea, Sofonia dhe Habakuku. Gjithsesi, Jezui nuk i tha për njerëzit e kohëve të lashta, por për ithtarët e tij, për ne. Shumë të krishterë të kushtuar e kanë zbatuar vërtet këshillën e Jezuit; ‘kanë qenë gati’, gjithnjë në pritje. Një shembull i mirë i kësaj ishte apostulli Gjon. Ai ishte një nga katër dishepujt që e pyetën Jezuin në Malin e Ullinjve, për përfundimin e sistemit. (Mateu 24:3; Marku 13:3, 4) Kjo ndodhi në vitin 33 të e.s., por Gjoni nuk kishte mundësi të shihte ndonjë tabelë kronologjike që të përcaktonte sa shpejt do të ndodhnin gjërat. Kalo tani me mendje rreth 60 vjet më vonë. Gjoni ishte plakur, por nuk ishte lodhur dhe nuk e kishte humbur ndjenjën e pritjes. Përkundrazi, kur dëgjoi Jezuin të thoshte: «Po, unë po vij me të shpejtë», Gjoni iu përgjigj: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!» Gjonit nuk i vinte keq aspak për mënyrën si i kishte kaluar vitet e jetës së tij. Ai ishte i bindur se, kur të ekzekutonte gjykimin, Jehovai do ta shpërblente secilin sipas veprave të veta. (Zbulesa 22:12, 20) Kurdo që të vinte ai gjykim, Gjoni donte të ishte «gati», siç kishte këshilluar Zotëria Jezu. A ndihesh edhe ti kështu?
«NË PRITJE» APO ‘TË NGOPUR’?
11. Si ndryshonin nga Mikea dhe Hozea njerëzit në kohën e tyre?
11 Shqyrto edhe një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga profetët që jetuan në periudhën kur po afrohej ekzekutimi i gjykimit të Jehovait, në fillim kundër Izraelit e pastaj kundër Judës. Ndërkohë që Mikea ‘i mbante sytë te Jehovai dhe rrinte në pritje’, shumë të tjerë përreth tij nuk vepronin kështu. Ata filluan ‘të urrenin të mirën dhe të donin të keqen’. Mikea i paralajmëroi se, po të mos ndryshonin, kur ‘t’i thërritnin Jehovait për ndihmë, ai s’do t’u përgjigjej’. (Mikea 3:2, 4; 7:7) Hozea, bashkëkohës i Mikesë, përdori terma bujqësore kur i nxiti banorët e mbretërisë veriore të Izraelit: «Mbillni farë me drejtësi. Korrni sipas dashamirësisë. Punoni arën tuaj, sa ka kohë për ta kërkuar Jehovain.» Pavarësisht nga kjo, shumica nuk dëgjuan. Ata kishin «lëruar ligësinë», prandaj korrën padrejtësinë. (Hozea 10:12, 13) Toleronin ose merrnin pjesë vetë në praktika të korruptuara, ‘duke pasur besim tek udha e tyre’ e jo tek udha e Jehovait. Disa sot mund të pyesin: ‘Si ka mundësi t’u ndodhte kjo adhuruesve të vërtetë që jetonin pikërisht në Tokën e Premtuar?’ Hozea tregoi se problemi i tyre ishte qëndrimi që po shfaqnin: ata u rehatuan dhe «u ngopën». Ky është i njëjti qëndrim që duhet të shmangim nëse duam të rrimë në pritje të ditës së madhe të Jehovait.
12. (a) Cila dukuri e padëshiruar, që identifikoi Hozea, ishte zhvilluar tek izraelitët para vitit 740 p.e.s.? (b) Në cilat mënyra e tregoi populli se ishte ‘ngopur’?
12 Pasi hyri në Tokën e Premtuar, një vend ku rridhte qumësht e mjaltë, populli i Perëndisë pati begati të madhe. Cili qe reagimi i tyre? Hozea përcolli fjalët e Jehovait: «Kur ua dhanë kullotën, u ngopën. U ngopën dhe zemra nisi t’u lartësohej. Ja pse më harruan.» (Hozea 13:6) Shekuj më parë, Perëndia e kishte paralajmëruar popullin e tij pikërisht për këtë rrezik. (Ligji i përtërirë 8:11-14; 32:15) E megjithatë, në ditët e Hozesë dhe të Amosit, izraelitët ranë në këtë grackë, «u ngopën». Amosi na jep edhe më tepër hollësi. Ai përmend se shumë veta kishin mobilie luksoze në shtëpi, e madje, disa familje kishin dy shtëpi. Hanin ushqimet më të mira, pinin verë me enë të veçanta dhe e lyenin lëkurën «me vajrat më të zgjedhura», që ndoshta ishin produkte kozmetike aromatike. (Amosi 3:12, 15; 6:4-6) Me siguri, ti e kupton se, në vetvete, asnjë nga ato gjëra të jetës nuk ishte e papërshtatshme, por gabimi qëndronte se u kushtonin tepër rëndësi.
13. Cilën mangësi themelore kishin izraelitët, si të pasurit, ashtu edhe të varfrit?
13 Por jo të gjithë në mbretërinë veriore u begatuan dhe «u ngopën». Disa ishin të varfër dhe duhej të luftonin për të siguruar jetesën e për të ushqyer familjen. (Amosi 2:6; 4:1; 8:4-6) E njëjta gjë ndodh edhe sot në shumë vende përreth tokës. A zbatohej edhe për të varfrit në Izraelin e lashtë këshilla që dha Perëndia te Hozea 13:6, dhe a zbatohet sot? Po. Jehovai po tregonte se, i pasur ose jo, një adhurues i vërtetë duhet të ruhet që të mos përqendrohet në gjërat materiale aq shumë, sa ‘të harrojë Perëndinë’.—Luka 12:22-30.
14. Pse është e përshtatshme që të meditojmë për ndjenjën tonë të pritjes?
14 Meqenëse jetojmë në një kohë kur mund të mendojmë për të kaluarën dhe të shohim sa shumë profeci biblike janë përmbushur, duhet të jemi dhe më tepër syçelë, gati, në pritje. Por, ç’të themi nëse tashmë kemi kohë që jemi në pritje, ndoshta disa dhjetëvjeçarë? Në të kaluarën, bënim shumë përpjekje për të kryer shërbimin dhe merrnim vendime që pasqyronin bindjen tonë se dita e Jehovait nuk ishte larg. Po ja që dita s’ka ardhur ende. A po vazhdojmë të rrimë në pritje? Për ta bërë edhe më personale, pyet veten: ‘A e kam ende të fortë ndjenjën e pritjes apo është dobësuar mjaft?’—Zbulesa 2:4.
15. Cilat janë disa shenja se ndjenja e pritjes mund të na jetë venitur?
15 Ndjenja e pritjes mund të matet në mënyra të ndryshme, po përse të mos përdorim aspektet që gjejmë në përshkrimin e Amosit për njerëzit e kohës së tij, të cilët «u ngopën»? Kur bëjmë këtë shqyrtim, mund të analizojmë veten se mos dallojmë ndonjë prirje për ‘t’u ngopur’. Edhe pse në të kaluarën mund ta ketë pasqyruar ndjenjën e pritjes në mendimet e në veprimet e tij, një i krishterë ndoshta fillon të përpiqet për një shtëpi ose makinë më luksoze, për të pasur rrobat më të fundit, artikuj kozmetikë dhe bizhuteri të shtrenjta ose verëra të zgjedhura e ushqime të shumëllojshme. Asgjëkundi në Bibël nuk sugjerohet që duhet të jetojmë si asketë, duke i mohuar vetes kënaqësitë e arsyeshme. Njeriu që punon shumë, duhet «të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij». (Eklisiastiu 3:13) Mirëpo, rreziku është që një i krishterë të përqendrohet gjithnjë e më tepër tek ushqimi, pija dhe te pamja e jashtme. (1 Pjetrit 3:3) Jezui vërejti se disa të mirosur në Azinë e Vogël e kishin zhvendosur vëmendjen e tyre, duke treguar se ky është një rrezik për të krishterët. (Zbulesa 3:14-17) Mos ka ndodhur diçka e ngjashme edhe në rastin tonë? A po ‘ngopemi’, ndoshta ngaqë e përqendrojmë gjithë jetën te gjërat materiale? A na është venitur ndjenja e pritjes?—Romakëve 8:5-8.
16. Pse nuk është në të mirën e fëmijëve tanë t’i nxitim që të kërkojnë një stil jetese të rehatshëm?
16 Kjo venitje e ndjenjës sonë të pritjes për ditën e madhe të Jehovait mund të zbulohet te këshillat që u japim fëmijëve tanë ose të tjerëve. Një i krishterë mund të arsyetojë me vete: ‘Unë nuk i ndoqa mundësitë për arsimim ose për karrierë, sepse mendoja që fundi ishte shumë afër. Tani dua të sigurohem që fëmijët e mi të marrin një arsim që do t’u japë mundësi të bëjnë jetë të rehatshme.’ Ndoshta disa njerëz në kohën e Hozesë kishin mendime të ngjashme. Nëse po, a do të kishte qenë në të mirën e fëmijëve që ata prindër t’i këshillonin të përqendroheshin në një stil jetese të rehatshëm? Po sikur në atë kohë fëmijët të kishin ndjekur faktikisht një stil jetese të rehatshëm, si do të kishte qenë situata e tyre në vitin 740 p.e.s., kur Samaria u shkatërrua nga asirianët?—Hozea 13:16; Sofonia 1:12, 13.
JETO ME SHPRESA TË BAZUARA
17. Në ç’drejtim duhet të imitojmë Mikenë?
17 Ashtu si adhuruesit e vërtetë në lashtësi, edhe ne mund të jemi të sigurt se ajo që ka premtuar Perëndia do të përmbushet në kohën që ai ka caktuar. (Josiu 23:14) Profeti Mikea u tregua i mençur që ndenji në pritje të Perëndisë së shpëtimit të tij. Tani që lexojmë historinë, mund të vërejmë tabelën kronologjike të kohës së tij dhe të shohim se Mikea jetoi shumë afër periudhës kur u pushtua Samaria. Ç’të themi për ne dhe për kohën në të cilën jetojmë? Kur të hedhim sytë pas, a do të duket qartë se kemi bërë zgjedhje të mençura në jetë, për shembull, për karrierën në botë, stilin e jetesës dhe shërbimin e plotkohor? Kuptohet, ne nuk e dimë «atë ditë dhe atë orë». (Mateu 24:36-42) Po s’ka diskutim që, nëse zhvillojmë një qëndrim si i Mikesë dhe veprojmë në përputhje me të, po tregohemi të mençur. Sa i kënaqur do të jetë Mikea kur të marrë shpërblimin e jetës në parajsën tokësore të rivendosur, e të mësojë se mesazhi profetik që shpalli dhe shembulli i tij besnik na kanë ndihmuar vërtet! Ne do të jemi bërë një provë e gjallë se Jehovai është Perëndia i shpëtimit!
18, 19. (a) Cilën gjëmë paralajmëroi Abdia? (b) Çfarë shprese i dha Izraelit Abdia?
18 Siguria jonë ka një bazë të fortë. Mendo, për shembull, për librin e shkurtër profetik të Abdisë, që përqendrohet tek Edomi i lashtë, dhe përmban gjykimin e Jehovait kundër atij populli që keqtrajtonte ‘vëllanë’ e vet, Izraelin. (Abdia 12) Shkatërrimi i parathënë ndodhi vërtet, siç e kemi shqyrtuar në kapitullin e dhjetë të këtij libri. Babilonasit, nën komandën e Nabonidit, pushtuan Edomin në mes të shekullit të gjashtë p.e.s., dhe, si komb, Edomi pushoi së ekzistuari. Por, në mesazhin e Abdisë gjendet edhe një mendim tjetër i rëndësishëm, që lidhet me qëndrimin në pritje të ditës së madhe të Jehovait.
19 Siç e di, kombi armik (Babilonia) që shkretoi Edomin, kishte ekzekutuar edhe ndëshkimin e Perëndisë mbi popullin e tij të pabesë. Në vitin 607 p.e.s., babilonasit e shkatërruan Jerusalemin dhe i çuan në mërgim judenjtë. Më pas, vendi mbeti i shkretë. A mbaruan me kaq gjërat? Jo. Nëpërmjet Abdisë, Jehovai paratha se izraelitët do ta merrnin prapë në zotërim tokën e tyre. Tek Abdia 17, mund të lexosh këtë premtim inkurajues: «Të shpëtuarit do të jenë në malin e Sionit e ai do të bëhet një gjë e shenjtë, kurse shtëpia e Jakobit do të shtijë në dorë ato që duhet të zotërojë.»
20, 21. Pse duhet të na ngushëllojnë fjalët e Abdisë 17?
20 Historia vërteton se ato që tha Jehovai me anë të Abdisë, ndodhën vërtet. Perëndia i paratha, dhe ato ndodhën. Mijëra të mërguar nga Juda e nga Izraeli, u rikthyen në vitin 537 p.e.s. Me bekimin e Jehovait, të riatdhesuarit e kthyen tokën e shkretë në një parajsë tërë gjelbërim. Tek Isaia 11:6-9 dhe 35:1-7 ke lexuar profecitë për këtë shndërrim të mrekullueshëm. Diçka me rëndësi parësore ishte rivendosja e adhurimit të vërtetë, të përqendruar te tempulli i rindërtuar i Jehovait. Kështu, Abdia 17 mund të na shërbejë si një provë tjetër se premtimet e Jehovait janë të besueshme. Ato përmbushen gjithnjë.
21 Abdia e përfundoi profecinë e tij me këto fjalë të fuqishme: «Mbretëria do të bëhet e Jehovait.» (Abdia 21) Në përputhje me këtë premtim, ti po pret kohën e lavdishme kur Jehovai, me anë të Jezu Krishtit, do të sundojë pa pasur asnjë kundërshtar në të gjithë universin, përfshirë edhe planetin tonë. Pavarësisht nëse ke pak ose shumë vite që e pret ditën e madhe të Jehovait—me bekimet që do të sjellë ajo—mund të jesh krejt i sigurt se këto premtime të bazuara në Bibël, do të realizohen.
22. Përse dëshiron që qëndrimi yt të jetë si ai që gjejmë te fjalët e Habakukut 2:3 dhe të Mikesë 4:5?
22 Pra, është e përshtatshme të përsëritim sigurinë që kishte Habakuku, e cila, pa dyshim, zbatohet për kohën tonë: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Edhe sikur nga pikëpamja njerëzore të duket se dita e madhe e Jehovait është vonuar, ajo do të vijë me siguri në kohën e caktuar prej tij. Jehovai na e ka premtuar këtë. Kështu, ata që i kanë shërbyer Perëndisë për shumë vjet, si dhe ata që kanë filluar ta adhurojnë atë kohët e fundit, mund të ecin përpara së bashku, me një siguri si ajo e shprehur te Mikea 4:5: «Ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.»