KADESHI
[vend i shenjtë], Kadesh-Barnea [vend i shenjtë i Barneas].
Vendfushim izraelit në shkretëtirë, në skaj të territorit edomit, afër ‘udhës për në Shur’. Mbase ndodhej në rrugën e sotme Darb-el-Shur që shtrihet nga Hebroni deri në Egjipt. (Zn 16:7, 14; Nu 20:14-16 [heb., ʽir (qytet) te Nu 20:16 mund të nënkuptojë thjesht fushim; krahaso Nu 13:19.]) Duket se nga Horebi në Kadesh-Barnea duheshin 11 ditë rrugë, duke kaluar nga mali i Seirit.—Lp 1:2.
Për Kadeshin thuhet se gjendej edhe në shkretëtirën e Paranit, edhe në atë të Zinit. Ndoshta Zini e Parani ishin shkretëtira fqinje dhe takoheshin në Kadesh, prandaj, për këtë vend mund të thuhej se shtrihej qoftë në njërën shkretëtirë, qoftë në tjetrën. Ose shkretëtira e Zinit mund të ketë qenë pjesë e shkretëtirës më të madhe të Paranit. (Nu 13:26; 20:1) Në kohën e Abrahamit ky vend quhej edhe En-Mishpat, edhe Kadesh. (Zn 14:7; 20:1) Mbase është i njëjti vend që quhej Kedesh.—Js 15:21, 23.
Si një vendndodhje e mundshme e Kadeshit është sugjeruar ʽAin-Kedeisi, rreth 80 km në jug-jugperëndim të Beer-Shebës. Në mes të një shkretëtire të madhe (krahaso Lp 1:19), uji i pastër dhe i ëmbël i burimit në Kedeis i jep jetë një oaze me bar, kaçuba e pemë. Aty afër ka edhe dy kroje të tjera, ʽAin-el-Kudeirati dhe ʽAin-el-Keseimehu. Sot, nga të tria burimet, ʽAin-el-Kudeirati është më i madhi, prandaj disa përkrahin idenë se Kadesh-Barnea ndodhej atje. Megjithatë, ʽAin-Kedeisi është burimi më në lindje. Për këtë arsye, mendimi se ʽAin-Kedeisi është vendndodhja e Kadesh-Barneas duket se përputhet më shumë me përshkrimin e drejtimit lindje-perëndim të kufirit jugor të Kanaanit: Kadesh-Barnea (ʽAin-Kedeisi?), Hazar-Adari (ʽAin-el-Kudeirati?) dhe Azmoni (ʽAin-el-Keseimehu?).—Nu 34:3-5.
Nëse izraelitët fushuan në këtë zonë, pa dyshim duhet t’i kenë përdorur të tria burimet, meqë ishin popullsi mjaft e madhe. Për shembull, vendfushimi para se të kalonin Jordanin shtrihej «nga Beth-Jeshimoti deri në Abel-Shitim». (Nu 33:49) Duke pasur parasysh vendndodhjet e sugjeruara për këto vende, bëhej fjalë për një largësi rreth 8 km. Kadesh-Barnea (ʽAin-Kedeisi) është 14 km larg Azmonit (ʽAin-el-Keseimehut) dhe 9 km larg Hazar-Adarit (ʽAin-el-Kudeiratit). Pra, nuk është e pamundur që izraelitët t’i kenë përdorur të tria burimet. Ka mundësi edhe që e tërë zona të jetë quajtur Kadesh-Barnea dhe emrin ta ketë ruajtur burimi juglindor.—Shih ADARI nr. 2; AZMONI.
Vitin e dytë pas Daljes nga Egjipti, izraelitët u nisën nga Hazeroti dhe fushuan në Kadesh-Barnea. (Krahaso Nu 10:11, 12, 33, 34; 12:16; 13:26.) Atëherë Moisiu dërgoi 12 burra për të vëzhguar Tokën e Premtuar. Dhjetë prej tyre thanë fjalë të këqija, e si pasojë izraelitët murmuritën e u rebeluan. Prandaj, Jehovai e dënoi kombin që të endej nëpër shkretëtirë. Pas kësaj, Izraeli u orvat ta merrte Kanaanin pa miratimin dhe drejtimin e Perëndisë, e si rrjedhojë pësoi një disfatë poshtëruese. (Nu 13:1-16, 25-29; 14:1-9, 26-34, 44, 45; 32:7-13; Lp 1:41-45) Më vonë izraelitët qëndruan për njëfarë kohe në Kadesh-Barnea. (Lp 1:46) Por, Jehovai nuk kishte si qëllim të rrinin atje. Më parë, ai u kishte thënë: «Meqenëse në ultësirë banojnë amalekitët dhe kananitët, ju nesër [idiomë në heb., që do të thotë «më vonë», si te Da 13:14] kthehuni e merrni rrugën drejt shkretëtirës, duke ndjekur udhën e Detit të Kuq.»—Nu 14:25.
Kështu, izraelitët lanë Kadesh-Barnean dhe u endën nëpër shkretëtirë për 38 vjet. (Lp 2:1, 14) Nga renditja e kampeve të ngritura pasi u nisën nga Hazeroti, duket se gjatë këtyre viteve ata ndenjën në rreth 18 vende. (Krahaso Nu 12:16–13:3, 25, 26; 33:16-36.) Ndonëse Izraeli fushoi në Kadesh pasi u nis nga Hazeroti, te Numrat 33:18 nuk përmendet Kadeshi pas Hazerotit. Mund të mos jetë përmendur qëllimisht ose ndoshta, siç kanë sugjeruar disa në të kaluarën, Kadeshi dhe Ritmahu mund të jenë i njëjti vend.
Në fund izraelitët duket se u kthyen në Kadesh muajin e parë të vitit të 40-të pas Daljes. (Nu 20:1; 33:36-39) Atje vdiq Miriami, motra e Moisiut. Më vonë, Moisiu dhe Aaroni humbën privilegjin të hynin në Tokën e Premtuar, ngaqë nuk e shenjtëruan Jehovain për ujin që u siguroi izraelitëve me anë të një mrekullie në kampin e Kadeshit. Më pas, nga Kadeshi, Moisiu i kërkoi leje Edomit që të kalonin përmes territorit të tij. (Nu 20:1-17) Por Edomi nuk i lejoi, dhe duket se izraelitët qëndruan edhe ca kohë në Kadesh (Nu 20:18; Gjy 11:16, 17) para se të shkonin drejt Tokës së Premtuar duke kaluar nga mali i Horit. (Nu 20:22; 33:37) Kur arritën në rrafshinat e Moabit, në lindje të Jordanit, Jehovai e përcaktoi Kadesh-Barnean si pjesë të kufirit jugor të Tokës së Premtuar. (Nu 33:50; 34:4) Më vonë, izraelitët, të udhëhequr nga Josiu, shtinë në dorë zonën që shtrihej nga Kadesh-Barnea deri në Gazë (Js 10:41), dhe Kadesh-Barnea u bë pjesë e kufirit jugor të Judës.—Js 15:1-4.
Në Psalmin 29:8 thuhet se zëri i Jehovait bën që shkretëtira e Kadeshit «të përpëlitet». Këtu mund të jetë fjala për një stuhi të furishme që vjen nga malet në veri, rreh me forcë rajonin e Kadeshit në jug dhe, nga mënyra si e ngre rërën, duket sikur shkretëtira përpëlitet.