MOABI, MOABITËT
1. Biri që pati Loti me vajzën e tij të madhe. Ashtu si gjysmëvëllai i tij, Amoni, edhe Moabi u ngjiz pasi Loti me të bijat u larguan nga Zoari dhe nisën të banonin në një shpellë në rajonin malor fqinj. Moabi u bë paraardhësi i moabitëve.—Zn 19:30-38.
2. Territori i banuar në lashtësi nga moabitët quhej ‘Moab’ dhe ‘fusha(t) e Moabit’ ose ‘rrafshina e Moabit’. (Zn 36:35; Nu 21:20; Ru 1:2; 1Kr 1:46; 8:8; Ps 60:8) Më parë atje kishin banuar emimët por, me sa duket, moabitët i dëbuan. (Lp 2:9-11; krahaso Lp 2 vrg. 18-22.) Aty nga fundi i endjes së Izraelit nëpër shkretëtirë, territori i Moabit shtrihej nga lugina e përroit të Zeredit në jug deri në luginën e përroit të Arnonit në veri (një distancë rreth 50 km), kurse Deti i Vdekur ishte kufiri perëndimor dhe shkretëtira e Arabisë ishte kufiri i papërcaktuar lindor. (Nu 21:11-13; Lp 2:8, 9, 13, 18, 19) Ky rajon është kryesisht një rrafshnaltë me gryka të thella, ngrihet thikë mbi Detin e Vdekur dhe arrin lartësinë mesatare rreth 900 m mbi detin Mesdhe. Në lashtësi atje kullotnin kope të mëdha (2Mb 3:4) dhe kishte vreshta e pemishte. (Krahaso Is 16:6-10; Jr 48:32, 33.) Kultivohej edhe drithë.—Krahaso Lp 23:3, 4.
Në një epokë më të hershme, Moabi shtrihej në veri të Arnonit dhe përfshinte ‘rrafshinat e shkreta të Moabit, që gjendeshin matanë Jordanit, përballë Jerikosë’. (Nu 22:1) Mirëpo, ca kohë para ardhjes së izraelitëve, atë rajon e aneksoi mbreti amorit Sihoni, dhe Arnoni u bë kufiri verior i Moabit. (Nu 21:26-30; Gjy 11:15-18) Ai mundi edhe amonitët, që u zmbrapsën në veri e në lindje. Territori që u morën amoritët dy popujve ndërfutej mes Moabit dhe Amonit, e kështu Moabi u gjend në kufi me amoritët në veri dhe me edomitët në jug. (Gjy 11:13, 21, 22; krahaso Lp 2:8, 9, 13, 14, 18.) Në kulmin e zgjerimit të tij, territori i Moabit ishte rreth 100 km nga veriu në jug dhe 40 km nga lindja në perëndim.
Një pjesë e territorit amorit vazhdoi të quhej ‘vendi i Moabit’, mbase ngaqë dikur i përkiste Moabit. (Lp 1:5) Pikërisht në atë ish-territor moabit e ngritën kampin izraelitët para se të kalonin Jordanin. (Nu 31:12; 33:48-51) Atje u regjistruan për herë të dytë burrat e Izraelit nga 20 vjeç e lart. (Nu 26:2-4, 63) Po atje Perëndia dha urdhërimet dhe vendimet gjyqësore për qytetet e levitëve, qytetet e strehimit dhe trashëgiminë. (Nu 35:1–36:13) Moisiu mbajti atje fjalimin e fundit dhe bëri një besëlidhje me Izraelin, duke i nxitur t’i qëndronin besnikë Jehovait. (Lp 1:1-5; 29:1) Në fund, Moisiu u ngjit në malin e Nebos që të shihte Tokën e Premtuar, e pastaj vdiq. Për vdekjen e tij, Izraeli mbajti zi 30 ditë në rrafshinat e shkreta të Moabit.—Lp 32:49, 50; 34:1-6, 8.
Lidhja me Izraelin. Si pasardhës të nipit të Abrahamit, Lotit, moabitët kishin lidhje gjaku me izraelitët. Gjuhët e dy popujve ngjasonin shumë, siç vërehet nga mbishkrimi në Gurin e Moabit. Veç kësaj, ashtu si izraelitët, edhe ata duket se e kishin zakon të rrethpriteshin. (Jr 9:25, 26) Megjithatë, moabitët shfaqën armiqësi të thellë ndaj Izraelit, me përjashtime të rralla, si Rutha dhe Ithmahu, një nga burrat e fuqishëm të mbretit David. (Ru 1:4, 16, 17; 1Kr 11:26, 46)
Para hyrjes së Izraelit në Tokën e Premtuar. Kënga e Moisiut për shkatërrimin e ushtrisë egjiptiane nga Jehovai në Detin e Kuq tregonte se lajmi rreth asaj ngjarjeje do t’u fuste dridhmat ‘despotëve të Moabit’. (Da 15:14, 15) Moabitët u frikësuan vërtet, siç e tregon fakti që mbreti i tyre nuk i dha leje Izraelit të kalonte paqësisht përmes territorit të tij afro 40 vjet më pas. (Gjy 11:17) Gjithsesi, izraelitët nuk i sulmuan moabitët, sepse kishin marrë urdhër të qartë nga Perëndia për këtë. Kështu, pasi arritën në kufirin jugor të Moabit, në luginën e përroit të Zeredit, i ranë anash territorit moabit. (Nu 21:11-13; Lp 2:8, 9; Gjy 11:18) Ndonëse u shitën ushqime dhe ujë izraelitëve (Lp 2:26-29), moabitët ‘nuk i erdhën në ndihmë Izraelit me bukë e ujë’. (Lp 23:3, 4) Kjo me sa duket do të thotë se nuk i mikpritën dhe ua dhanë gjërat e nevojshme vetëm për të nxjerrë përfitime.
Më vonë, pasi izraelitët kaluan luginën e përroit të Arnonit, amoritët dolën kundër tyre në betejë, të udhëhequr nga mbreti Sihon, që dikur kishte shtënë në dorë territorin e moabitëve në veri të Arnonit. Pas fitoreve që u dha Perëndia mbi atë sundimtar dhe mbi mbretin Og të Bashanit, izraelitët fushuan në rrafshinat e shkreta të Moabit. (Nu 21:13, 21–22:1; Lp 2:24–3:8) Kampi i madh izraelit u kalli tmerrin moabitëve dhe mbretit të tyre, Balakut. Edhe pse nuk pretendonte t’i kthehej territori i dikurshëm moabit që izraelitët ua morën amoritëve, Balaku kishte frikë për mbretërinë e vet. Prandaj u këshillua me pleqtë e Midianit dhe dërgoi si lajmëtarë pleq të Moabit e të Midianit, për ta paguar profetin Balaam që të shkonte e të mallkonte Izraelin. (Nu 22:2-8; krahaso Gjy 11:25.) Kështu ‘luftoi’ kundër izraelitëve Balaku. (Js 24:9) Mirëpo Jehovai bëri që Balaami ta bekonte Izraelin, e madje të parathoshte se Izraeli do të kishte epërsi mbi Moabin. (Nu kap. 23, 24; Js 24:10; Ne 13:1, 2; Mi 6:5) Më pas, sipas fjalës së Balaamit, gra moabite e midianite i joshën burrat e Izraelit të kryenin imoralitet dhe idhujtari që lidheshin me Baalin e Peorit. Shumë izraelitë ranë para atij tundimi, e si pasojë mbi ta u derdh zemërimi i Jehovait dhe vdiqën 24.000 burra. (Nu 25:1-3, 6, 9; 31:9, 15, 16) Meqë nuk i ndihmuan izraelitët me bukë e ujë dhe pajtuan Balaamin që të mallkonte Izraelin, moabitëve iu ndalua të hynin në kongregacionin e Jehovait «deri në brezin e dhjetë».—Lp 23:3, 4; shih AMONITËT (Krushqitë me izraelitët).
Në kohën e gjykatësve. Gjatë periudhës së gjykatësve, moabitët me sa duket e zgjeruan territorin në veri të Arnonit dhe, gjatë sundimit të mbretit të tyre Eglon, pushtuan territorin izraelit në perëndim të Jordanit të paktën deri në «qytetin e palmave», në Jeriko. (Gjy 3:12, 13; krahaso Lp 34:3.) Izraeli i shërbeu Moabit për 18 vjet, derisa Ehudi, një beniaminit mëngjarash, vrau mbretin Eglon gjatë një takimi vetëm për vetëm me të. Pas kësaj, Ehudi u priu izraelitëve në luftë kundër Moabit, vrau rreth 10.000 moabitë dhe e mposhti Moabin.—Gjy 3:14-30.
Në atë periudhë, në Judë ra një zi buke, dhe Elimeleku bashkë me të shoqen, Naomin, dhe dy bijtë, Mahlonin e Kilionin, u shpërngulën në vendin më pjellor të Moabit. Atje djemtë u martuan me moabitet Rutha dhe Orpa. Pasi të tre burrat vdiqën në Moab dhe kushtet në Izrael u përmirësuan, Naomi u kthye në Betlehem e shoqëruar nga Rutha. Boazi, një i afërm i Elimelekut, u martua me Ruthën, e cila e kishte braktisur fenë politeiste të moabitëve dhe ishte bërë adhuruese e Jehovait. Kështu Rutha, një moabite, u bë paraardhëse e Davidit dhe, si rrjedhojë, edhe e Jezu Krishtit.—Ru 1:1-6, 15-17, 22; 4:13, 17.
Po në kohën e gjykatësve, Izraeli zuri të adhuronte hyjnitë e moabitëve, ndër të cilat pa dyshim edhe perëndinë e tyre Kemosh. (Gjy 10:6; Nu 21:29; Jr 48:46) Ngaqë përvetësuan adhurimin e rremë të popujve fqinj, izraelitët e humbën miratimin e Jehovait dhe vuajtën në duart e armiqve të tyre. (Gjy 10:7-10) Deri në kohën e Samuelit, Izraelin jobesnik e sulmuan moabitët.—1Sa 12:9-11.
Gjatë mbretërimit të Saulit, Davidit dhe Solomonit. Problemet mes moabitëve dhe izraelitëve vazhduan për vite të tëra. Mbreti i parë i Izraelit, Sauli, luftoi kundër tyre dhe korri fitore (1Sa 14:47), e për pasojë moabitët e shihnin si armik. Prandaj kuptohet pse mbreti i Moabit pranoi që prindërit e Davidit, të cilin Sauli e kishte nxjerrë jashtë ligjit, të banonin në Mizpeh të Moabit.—1Sa 22:3, 4.
Edhe më vonë, kur u bë mbret vetë Davidi, mes Izraelit dhe Moabit pati luftë. Moabitët u mposhtën dhe u detyruan t’i paguanin haraç Davidit. Në fund të një beteje, me sa duket, u vranë dy të tretat e luftëtarëve të Moabit. Davidi i shtriu përtokë në rresht dhe pastaj e mati rreshtin për të përcaktuar dy të tretat që do të vriteshin dhe një të tretën që do të lihej gjallë. (2Sa 8:2, 11, 12; 1Kr 18:2, 11) Ka të ngjarë që në po atë betejë, Benajahu, biri i Jehojadës, ‘të ketë vrarë dy bijtë e Arielit nga Moabi’. (2Sa 23:20; 1Kr 11:22) Fitorja vendimtare e Davidit kundër moabitëve ishte një përmbushje e fjalëve profetike të thëna nga Balaami mbi 400 vjet më parë: «Një yll do të dalë nga Jakobi, një skeptër do të ngrihet nga Izraeli. Ai do të çajë tëmthat e Moabit dhe kafkën e tërë bijve të shkretimit.» (Nu 24:17) Siç duket, edhe psalmisti e kishte fjalën për këtë fitore kur tha se Moabi ishte për Perëndinë ‘legeni ku lahej’.—Ps 60:8; 108:9.
Megjithatë, biri i Davidit, Solomoni, e shpërfilli ligjin e Perëndisë dhe u martua me moabite që s’ishin bërë adhuruese të Jehovait. Ai ndërtoi një vend të lartë për perëndinë e tyre Kemosh, që t’u bënte qejfin. Vetëm pas afro tre shekujsh, gjatë mbretërimit të Josisë, ai vend i lartë u bë i papërshtatshëm për adhurim.—1Mb 11:1, 7; 2Mb 23:13.
Deri në mërgimin e Judës. Ca kohë pas shkëputjes së Izraelit nga Juda, duket se moabitët e morën sërish territorin në veri të Arnonit. Në stelën prej bazalti të zi që njihet si Guri i Moabit, mbreti i Moabit, Mesha, tregon se mbreti i Izraelit, Omri, kishte shtënë në dorë rajonin e Medebës. Meqë rrafshnalta e Medebës ndodhej në territorin e Rubenit (Js 13:15, 16), ka të ngjarë që moabitët t’ia kishin marrë atë rajon Izraelit, prandaj Omrit më vonë iu desh ta ripushtonte.
Gjatë mbretërimit të Omrit dhe të Akabit, Moabi siç duket mbeti nën sundimin izraelit. Mirëpo, pas vdekjes së Akabit, mbreti i Moabit, Mesha, që «i paguante mbretit të Izraelit si haraç njëqind mijë qengja dhe njëqind mijë desh të paqethur», ngriti krye. (2Mb 1:1; 3:4, 5) Ajo kryengritje kujtohet në Gurin e Moabit. (FIGURA, vëll. 1, f. 946 në botimin anglisht) Në rast se 10 nga qytetet që mbreti Mesha pretendon se i nënshtroi, i pushtoi ose i (ri)ndërtoi përkojnë vërtet me vendet e përmendura në Bibël, atëherë pa dyshim që ndodheshin në territorin izraelit në veri të Arnonit. Ato qytete janë: Diboni, Ataroti, Aroeri, Kiriataimi, Neboja, Baal-Meoni (Nu 32:34, 37, 38), Medeba, Bamot-Baali, Jahazi (Js 13:9, 17-19) dhe Bezeri (Js 20:8).
Ndryshe nga mbishkrimi propagandistik i Meshës, Shkrimet tregojnë se moabitët pësuan një humbje poshtëruese. Pasi siguroi ndihmën e mbretit Jehozafat të Judës dhe të mbretit të Edomit për të shuar kryengritjen e Moabit, Jehorami (që u bë mbret i Izraelit afro dy vjet pas vdekjes së Akabit) marshoi kundër Moabit nga jugu, nga udha e shkretëtirës së Edomit. Mirëpo ushtritë aleate me gjithë kafshët e tyre gati sa s’morën fund, sepse u mbaroi uji. Atëherë kërkuan ndihmën e profetit Elise dhe, në përmbushje të profecisë së tij se Jehovai do t’i ndihmonte për hir të Jehozafatit, lugina e përroit u mbush me ujë. Të nesërmen në mëngjes, dielli pasqyrohej në ujë, prandaj moabitëve iu duk si gjak. Ngaqë nxorën përfundimin e gabuar se ushtritë aleate kishin vrarë njëra-tjetrën, moabitët shkuan drejt kampit izraelit pa pikë kujdesi, por u detyruan t’ia mbathnin. Në valën e luftës u shkatërruan qytete moabite, u mbushën me gurë pjesët e mira të tokës, u rrëzuan pemë dhe u zunë burimet e ujit. Kur u ndie i zënë në kurth në qytetin e Kir-Haresetit dhe pa se po e humbte betejën, mbreti Mesha, bashkë me 700 burra, u orvat të çante rrugën deri te mbreti i Edomit, por më kot. Atëherë mori birin e tij të parëlindur dhe e paraqiti si flijim të djegur mbi mur. Për këtë a për ndonjë arsye tjetër, «indinjata kundër Izraelit qe e madhe» dhe rrethimi u hoq.—2Mb 3:6-27.
Meqë ajo disfatë poshtëruese nuk ndodhi në dhé të huaj, por rrënoi Moabin, natyrisht do të jetë dashur mjaft kohë që vendi të mëkëmbej. Prandaj, ka shumë të ngjarë që sulmi i ushtrive aleate të Moabit, të Amonit dhe të rajonit malor të Seirit kundër Judës të ketë ndodhur më herët gjatë mbretërimit të Jehozafatit. Me ndërhyrjen e Jehovait, tri ushtritë goditën dhe shkatërruan njëra-tjetrën. (2Kr 20:1, 22-24) Sipas disa studiuesve, në Psalmin 83:4-9 bëhet fjalë për këtë ngjarje.—Krahaso 2Kr 20:14 me Ps 83:Mbishk.
Në vitet pasuese, armiqësia mes Moabit dhe Izraelit vazhdoi. Pas vdekjes së profetit Elise, Izraelin e mësynin rregullisht banda kusarësh moabitë. (2Mb 13:20) Afro dy shekuj më vonë, në kohën e Jehojakimit, banda të tilla moabite ndikuan në rrënimin e Judës gjatë viteve të saj të fundit. (2Mb 24:2) Si u shkatërrua Jerusalemi në vitin 607 p.e.s., disa judenj kërkuan strehë në Moab dhe, kur u caktua guvernator Gedaliahu, u kthyen në Judë.—Jr 40:11, 12.
Pas mërgimit. Pasi u kthyen nga mërgimi në Babiloni në vitin 537 p.e.s., disa izraelitë u martuan me gra moabite. Megjithatë, sipas këshillës së Ezdrës, i larguan ato gra bashkë me fëmijët e tyre. (Ezd 9:1, 2; 10:10, 11, 44) Vite më vonë, Nehemia u gjend para një situate të ngjashme: shumë izraelitë kishin marrë gra moabite.—Ne 13:1-3, 23.
Moabi në profeci. Moabi përmendet ndër armiqtë e betuar të popullit të Jehovait, çka përputhet me historinë e gjatë të sulmeve të tij kundër Izraelit. (Krahaso Is 11:14.) I dënuar për poshtërimin që i bëri Izraelit dhe për krenarinë e fodullëkun e vet, Moabi në fund do të kthehej në një vend të shkretë, tamam si Sodoma. (So 2:8-11; shih edhe Jr 48:29.) Qysh në fund të shekullit të 9-të p.e.s., Amosi shkroi se Moabit do t’i binte gjëma, sepse «dogji eshtrat e mbretit të Edomit për t’i kthyer në gëlqere». (Am 2:1-3) Sipas disave, kjo nënkupton se në ngjarjen e 2 Mbretërve 3:26, 27, fëmija që flijoi mbreti Mesha nuk ishte biri i vet, por i parëlinduri i mbretit të Edomit. Mirëpo nuk ka shumë gjasa të ketë ndodhur kështu. Gjithsesi, një traditë judaike e lidh ngjarjen e përmendur nga Amosi me luftën kundër Meshës dhe thotë se ca kohë pas asaj beteje, moabitët zhvarrosën eshtrat e mbretit të Edomit e pastaj i dogjën për t’i kthyer në gëlqere. Sidoqoftë, Bibla nuk jep asnjë të dhënë për të përcaktuar kohën kur ndodhi kjo.
Pak a shumë në kohën e vdekjes së mbretit Akaz dhe gjatë sundimit të Asirisë në shekullin e 8-të p.e.s., Isaia (kap. 15, 16) përmendi qytetet moabite që do t’i zinte gjëma njëra pas tjetrës. Pastaj përfundoi me këto fjalë: «Ndërsa tani Jehovai thotë: ‘Brenda tre vjetësh, sipas viteve të një mëditësi, lavdia e Moabit do të çnderohet mes trazirash të shumta e të çdo lloji dhe ata që do të mbeten, do të jenë fare të papërfillshëm në numër e aspak të fuqishëm.’ »—Is 16:14.
Nga dokumentet historike nuk mund të përcaktohet me saktësi se në ç’pikë në rrjedhën e kohës u plotësuan profecitë e Isaisë dhe të Amosit. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se Moabi u vu nën zgjedhën e Asirisë. Mbreti asirian Tiglath-Pileseri III përmend edhe Salamanun e Moabit mes atyre që i paguanin haraç. Senakeribi pohon se i kishte dhënë haraç mbreti Kamusunadbi i Moabit. Gjithashtu, monarkët asirianë Esar-Hadon dhe Ashurbanipal i quajnë mbretërit moabitë Musuri dhe Kamashaltu vasalë të tyre. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 282, 287, 291, 294, 298) Ka edhe dëshmi arkeologjike se rreth shekullit të 8-të p.e.s. shumë pjesë të Moabit i kishin shpopulluar.
Profecia që shpalli Jeremia në shekullin e 7-të p.e.s. e drejtonte vëmendjen te koha kur Jehovai do t’i kërkonte llogari Moabit (Jr 9:25, 26) nëpërmjet babilonasve të udhëhequr nga mbreti Nabukodonosor. (Jr 25:8, 9, 17-21; 27:1-7) Shumë qytete moabite do të shkretoheshin. (Jr 48) Me sa duket, kur babilonasit ekzekutuan gjykimin e Jehovait kundër Judës, moabitët thanë: «Shtëpia e Judës është si të gjitha kombet e tjera.» Meqë nuk e pranuan se gjykimi në të vërtetë vinte nga Perëndia dhe se banorët e Judës ishin populli i tij, moabitëve do t’u binte gjëma, e kështu ‘kishin për ta njohur Jehovain’.—Ezk 25:8-11; krahaso Ezk 24:1, 2.
Historiani jude Jozef shkruan se në vitin e pestë pas shkretimit të Jerusalemit, Nabukodonosori u kthye që të luftonte kundër Koele-Sirisë, Amonit dhe Moabit, e më pas sulmoi Egjiptin. (Antikitete judaike, X, 181, 182 [ix, 7]) Ja ç’thuhet në një vepër për dëshmitë arkeologjike të shkretimit të Moabit: «Kërkimet arkeologjike kanë treguar se pjesa dërrmuese e Moabit ishte shpopulluar rreth fillimit të shekullit të gjashtë, e shumë pjesë të tjera rreth shekullit të tetë. Nga shekulli i gjashtë e tutje, nëpër atë vend endeshin nomadë, derisa faktorët politikë dhe ekonomikë bënë të mundur që njerëzit të vendoseshin sërish me banim atje në shekujt e fundit p.e.s.»—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 3, f. 418; krahaso Ezk 25:8-11.
Më vonë, në përmbushje të Jeremisë 48:47, ka shumë të ngjarë që Kiri, pushtuesi i Babilonisë, t’i ketë lejuar mërgimtarët moabitë të ktheheshin në atdheun e tyre.
Është fakt i pamohueshëm se profecitë për Moabin u plotësuan me saktësi. Moabitët nuk ekzistojnë më si popull prej shumë shekujsh. (Jr 48:42) Sot, atje ku mendohet se ndodheshin qytete moabite, si Neboja, Heshboni, Aroeri, Beth-Gamuli dhe Baal-Meoni, sheh veç rrënoja. Mjaft vende të tjera mbeten të panjohura.
I vetmi shpjegim për zhdukjen e moabitëve si popull gjendet në Bibël. Një enciklopedi vëren: «Izraeli mbeti një fuqi e madhe, kurse Moabi u zhduk. Është e vërtetë se Moabi vuante pareshtur nga hordhitë e shkretëtirës; vendi s’kishte mbrojtje natyrore, siç del në pah nga radhët e fortesave dhe të kështjellave të kthyera në rrënojë, që edhe romakëve madje iu desh t’i ndërtonin. Megjithatë, shpjegimi duhet kërkuar brenda vetë Izraelit, veçanërisht në veprën e profetëve.»—Encyclopædia Britannica, botimi i vitit 1959, vëll. 15, f. 629.
Meqë moabitët u zhdukën si popull, logjikisht përmendja e Moabit te Danieli 11:41 mes kombeve të tjera në «kohën e fundit» (Dn 11:40) ka kuptim të figurshëm. Me sa duket, moabitët përfaqësojnë disa prej atyre që «mbreti i veriut» nuk i vë dot nën pushtetin e tij.
Për informacione rreth Gurit të Moabit, shih MESHA nr. 2.