Prindër, gjeni kënaqësi me fëmijët tuaj
«Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote.»—PROVERBAT 23:25.
1. Nga vjen kënaqësia që prindërit gjejnë tek fëmijët?
Ç’BUKURI është të shohësh një filiz tek rritet e bëhet një pemë madhështore, që fal bukuri dhe hije, sidomos kur e ke mbjellë vetë dhe je kujdesur për të! Ngjashëm, prindërit që kujdesen për fëmijët, të cilët rriten e bëhen shërbëtorë të pjekur të Perëndisë, gjejnë shumë kënaqësi me ta, siç thotë edhe proverbi biblik: «Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë [të mençur, BR] do t’ia ndjejë gëzimin. Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.»—Proverbat 23:24, 25.
2, 3. (a) Si mund t’i shmangin prindërit vuajtjet dhe hidhërimet? (b) Për çfarë kanë nevojë filizat dhe fëmijët, për t’u bërë një burim kënaqësie?
2 Por, një fëmijë nuk bëhet automatikisht «i drejtë» dhe «i mençur». Duhen përpjekje të mëdha, për t’i mbajtur të rinjtë që të mos bëhen «burim vuajtjesh» dhe «hidhërimesh», aq sa ç’duhet punë për ta kthyer një filiz në një pemë madhështore. (Proverbat 17:21, 25) Për shembull, shtyllat mbështetëse mund ta stërvitin një fidan të ri që të rritet i drejtë dhe i fortë. Ujitja e rregullt është jetësore, si edhe mbrojtja nga insektet. Së fundi, krasitja, ndihmon për të bërë një pemë të bukur.
3 Fjala e Perëndisë zbulon se fëmijët kanë nevojë për gjëra të tilla, si stërvitja, ujitja me ujin e së vërtetës biblike, mbrojtja nga abuzimet morale dhe disiplina e dashur, për të krasitur aspektet e padëshirueshme. Për të mbështetur këto nevoja, veçanërisht etërit janë të nxitur që t’i rritin fëmijët e tyre «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) Çfarë përfshin kjo?
Theksi mbi Fjalën e Jehovait
4. Çfarë përgjegjësie kanë prindërit kundrejt fëmijëve dhe çfarë kërkohet para se ta përmbushin atë?
4 «Rregulli mendor i Jehovait» do të thotë, të rregullojmë mendimet tona në përputhje me vullnetin e Jehovait. Prindërit, pra, duhet të ngulitin në mendjet e fëmijëve të tyre mendimet e Jehovait mbi çështjet. Gjithashtu, ata duhet të imitojnë shembullin e Perëndisë në sigurimin e disiplinës së dhembshur, apo të stërvitjes korrigjuese. (Psalmi 103:10, 11; Proverbat 3:11, 12) Por përpara se të bëjnë këtë, vetë prindërit duhet të asimilojnë fjalët e Jehovait, siç i nxiti profeti i Perëndisë, Moisiu, izraelitët e lashtë: «Dhe këto fjalë [nga Jehovai] që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.»—Ligji i përtërirë 6:6.
5. Kur dhe në ç’mënyrë duhej t’i mësonin prindërit izraelitë fëmijët e tyre dhe ç’do të thotë «ngulit»?
5 Studimi i rregullt i Biblës, meditimi dhe lutja, i pajisin prindërit për të bërë çfarë thoshte edhe urdhri tjetër i Moisiut: «Do t’ua ngulitësh [fjalët e Jehovait] bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» Fjala hebraike e përkthyer «ngulit», do të thotë «përsërit», «them gjithnjë e përsëri», «bëj përshtypje». Vërej se si e theksoi Moisiu më tej nevojën për të mbajtur parasysh fjalët e Jehovait: «Do t’i lidhësh si shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.» Është e qartë se Jehovai kërkon që prindërit t’u kushtojnë fëmijëve vëmendjen e tyre të rregullt e të dashur!—Ligji i përtërirë 6:7-9.
6. Çfarë duhej të ngulitnin prindërit te fëmijët e tyre dhe me çfarë dobish?
6 Cilat janë «këto fjalë» të Jehovait, të cilat prindërit duhej t’i ngulitnin tek fëmijët e tyre? Moisiu sapo kishte përsëritur ato që zakonisht quhen Dhjetë Urdhërimet, të cilat përfshinin urdhrat për të mos vrarë, për të mos kryer tradhti bashkëshortore, për të mos vjedhur, për të mos bërë dëshmi të rreme dhe për të mos dëshiruar. Ishin kryesisht këto kërkesa morale, si edhe urdhri për ‘të dashur Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde’, që prindërit izraelitë duhej të ngulitnin te fëmijët e tyre. (Ligji i përtërirë 5:6-21; 6:1-5, BR) A nuk je dakort se sot fëmijët kanë nevojë për këtë lloj mësimi?
7. (a) Me çfarë krahasohen fëmijët në Bibël? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?
7 Babait izraelit i qe thënë: «Gruaja jote: vresht plot fruta në dhomat e shtëpisë sate; djemtë e tu: pinjoj ulliri përreth tryezës sate!» (Psalmi 128:3, DSF) Por, që të gjenin kënaqësi në «filizat» e tyre e të mos provonin hidhërime, prindërit duhej të tregonin një interes personal të përditshëm për fëmijët e tyre. (Proverbat 10:1; 13:24; 29:15, 17) Le të shqyrtojmë se në ç’mënyrë prindërit mund të stërvitin, të ujitin frymësisht, të mbrojnë dhe të disiplinojnë me dashuri fëmijët e tyre, në mënyrë të atillë që të gjejnë me të vërtetë kënaqësi me ta.
Stërvitje që nga foshnjëria
8. (a) Cilat shërbyen si shtylla stërvitëse për Timoteun? (b) Kur fillon stërvitja dhe me çfarë rezultati?
8 Le të shqyrtojmë Timoteun, i cili, nëse mund të themi kështu, gjeti mbështetje në dy shtylla stërvitëse të ngulura fortësisht, mamaja dhe gjyshja e tij. Meqë babai i Timoteut ishte grek dhe me sa duket jobesimtar, ishin mamaja e tij hebreje, Eunika dhe gjyshja, Loideja, ato që e stëvitën djalin ‘që nga foshnjëria në shkrimet e shenjta’. (2. Timoteut 1:5; 3:15; Veprat 16:1) Zelli i tyre për t’i mësuar Timoteut, qysh kur ishte foshnjë, «mrekullitë që [Jehovai] ka bërë», pati një shpërblim të pasur. (Psalmi 78:1, 3, 4) Timoteu u bë misionar në vende të largëta, ndoshta në një kohë që ishte akoma adoleshent dhe luajti, gjithashtu, një rol kryesor në forcimin e kongregacioneve të hershme të krishtere.—Veprat 16:2-5; 1. Korintasve 4:17; Filipianëve 2:19-23.
9. Si mund të mësojnë të rinjtë që të shmangin kurthet e materializmit?
9 Po ju, prindër, ç’lloj shtyllash stërvitëse jeni? Për shembull, a dëshironi që fëmijët tuaj të zhvillojnë një pikëpamje të ekuilibruar mbi gjërat materiale? Atëherë, ju duhet të lini shembullin e duhur, duke mos blerë çdo gjë të re të modës së fundit apo gjëra të tjera, për të cilat në të vërtetë s’keni nevojë. Nëse ju zgjidhni si synim të mirat materiale, mos u habitni kur fëmijët t’ju kopjojnë. (Mateu 6:24; 1. Timoteut 6:9, 10) Në fakt, nëse shtyllat stërvitëse nuk janë të drejta, si mund të rritet i drejtë fidani?
10. Drejtimin e kujt duhet të kërkojnë gjithmonë prindërit dhe çfarë qëndrimi duhet të kenë?
10 Prindërit që gjejnë kënaqësi me fëmijët e tyre, do të kërkojnë vazhdimisht ndihmën hyjnore për t’i stërvitur ata, duke mbajtur gjithmonë në konsideratë se cilat janë interesat më të mira frymore të fëmijëve. Një mama me katër fëmijë kujton: «Edhe përpara se të na lindnin fëmijët, ne i luteshim rregullisht Jehovait që të na ndihmonte të bëheshim prindër të mirë, të drejtoheshim nga Fjala e tij e ta zbatonim atë në jetën tonë.» Ajo shton: «Për ne, fjalët ‘Jehovai është në vend të parë’ nuk ishin vetëm një frazë e zakonshme, por mënyra e jetës sonë.»—Gjykatësit 13:8.
«Ujitje» e rregullt
11. Çfarë kërkojnë fidanët dhe fëmijët për t’u rritur?
11 Fidanët kanë veçanërisht nevojë për një furnizim të vazhdueshëm me ujë, duke parë edhe se sa mirë rriten pemët buzë lumenjve. (Krahaso Zbulesën 22:1, 2.) Edhe foshnjat do të lulëzojnë frymësisht, po t’u sigurohet regullisht uji i së vërtetës biblike. Por prindërit duhet të marrin në konsideratë se sa kohë mund të rrinë fëmijët të përqendruar. Ndoshta periudha të shkurtra, por të shpeshta mësimi, do të ishin më të efektshme sesa pak periudha të gjata. Mos e nënvlerësoni vlerën e këtyre periudhave të shkurtra. Kalimi i kohës së bashku, është diçka jetësore për të krijuar një lidhje mes prindit dhe fëmijës, një afërsi e inkurajuar vazhdimisht nga Shkrimet.—Ligji i përtërirë 6:6-9; 11:18-21; Proverbat 22:6.
12. Cila është vlera e lutjes me të vegjlit?
12 Një nga periudhat që mund të kalohet me të vegjlit është përfundimi i ditës. Një vajzë e re kujton: «Prindërit e mi uleshin në fund të krevatit tonë çdo natë dhe na dëgjonin tek thoshim lutjet tona.» Për vlerën e kësaj, një tjetër vajzë thotë: «Kjo më nguliti zakonin për t’iu lutur Jehovait çdo natë, para se të shkoja në shtrat.» Kur fëmijët përditë i dëgjojnë prindërit të flasin për Jehovain e t’i luten atij, atëherë ai bëhet për ta një person real. Një i ri thotë: «Mund t’i mbyll sytë gjatë lutjes që i bëj Jehovait e të shoh një person të vërtetë babagjysh. Prindërit më ndihmuan të kuptoja se Jehovai luan rol në gjithçka që bëjmë e themi.»
13. Çfarë mund të përfshijnë periudhat e rregullta të mësimit?
13 Për t’i ndihmuar të vegjlit që të thithin ujin e së vërtetës biblike, prindërit mund të përfshijnë shumë gjëra praktike në periudhat e rregullta të mësimit. Prindërit e dy vogëlushëve thonë: «Të dy fëmijët nisën të merrnin stërvitje për t’u ulur me qetësi në Sallën e Mbretërisë, qysh në javët e para të jetës së tyre.» Një baba përshkruan çfarë bënte familja e tij: «Ne renditnim të gjithë librat e Biblës mbi copa letrash dhe ushtroheshim për t’i vënë ato në rregull, të gjithë me radhë. Fëmijët gjithmonë mezi pritnin për këtë.» Shumë familje përfshijnë një periudhë të shkurtër mësimi para ose pas bukës. Një baba tha: «Darka është për ne një çast i mirë për të diskutuar shkrimin e ditës nga Bibla.»
14. (a) Cilat aktivitete frymore shpërblyese mund të ndahen me të vegjlit? (b) Çfarë mundësie për të mësuar kanë fëmijët?
14 Gjithashtu, të vegjëlve u pëlqen të dëgjojnë tregimet e gjalla biblike të Libri im i tregimeve biblike.a «Kur fëmijët ishin të rinj,—vëren një çift,—bënim një mësim nga libri Tregime biblike e më pas fëmijët vishnin kostumet dhe luanin pjesët në formën e një minidrame. Atyre u pëlqente shumë kjo dhe shpesh ngulnin këmbë që të bënin më shumë se një tregim gjatë studimit.» Mos e nënvlerësoni aftësinë që kanë fëmijët tuaj për të mësuar! Fëmijë katëvjeçarë kanë mësuar përmendësh të gjithë kapitujt e librit Tregime biblike dhe kanë mësuar të lexojnë edhe Biblën! Një vajzë e re kujton se kur ishte pothuajse tre vjeç e gjysmë, ajo e thoshte vazhdimisht gabim shprehjen «vendime gjyqësore», por i ati e inkurajonte që të vazhdonte të praktikohej.
15. Cilat çështje mund të përfshihen në bisedat me fëmijët dhe ç’dëshmi ekziston se biseda të tilla janë të vlefshme?
15 Periudhat e mësimit me të vegjlit tuaj mund të përdoren edhe për t’i përgatitur ata që të ndajnë ujërat e së vërtetës me të tjerët, për shembull, duke komentuar në mbledhje. (Hebrenjve 10:24, 25) «Gjatë periudhave të praktikës, më duhej të komentoja me fjalët e mia,—kujton një e re.—Nuk më lejohej vetëm të lexoja, pa kuptuar.» Veç kësaj, fëmijët mund të stërviten për një pjesëmarrje domethënëse në shërbimin në fushë. Një grua e rritur nga prindër me frikë Perëndie shpjegon: «Ne kurrë nuk kemi shkuar thjesht për të shoqëruar prindërit në veprën e tyre. E dinim se edhe ne kishim pjesën tonë, edhe pse kjo donte të thoshte vetëm t’i binim ziles së ndonjë dere apo të linim një fletë ftese. Falë përgatitjes së kujdesshme përpara aktiviteteve të çdo fundjave, ne e dinim ç’duhej të thoshim. Kurrë nuk jemi ngritur ndonjë të shtunë në mëngjes e të kemi pyetur nëse do të shkonim në shërbim. E dinim se po.»
16. Përse është e rëndësishme rregullsia në mbajtjen e studimit familjar me fëmijët?
16 Theksimi i nevojës për t’i furnizuar rregullisht të vegjlit me ujin e së vërtetës biblike nuk është i tepërt, gjë që do të thotë se një studim biblik familjar i përjavshëm është jetësor. Një baba me dy fëmijë thotë se «një faktor i madh që i zemëron fëmijët është mungesa e qëndrueshmërisë». (Efesianëve 6:4) Ai tha: «Gruaja dhe unë zgjidhnim një ditë e një kohë dhe drejtonim studimin e familjes, duke iu përmbajtur me besueshmëri atij programi. S’kaloi shumë kohë dhe fëmijët e pritnin studimin në atë kohë.» E gjithë kjo stërvitje që nga foshnjëria është e nevojshme, siç thotë me vërtetësi shprehja, ‘si të formohet filizi, ashtu do të rritet edhe pema’.
17. Çfarë është po aq e rëndësishme për të vegjlit, sa edhe dhënia e të vërtetave biblike?
17 T’u japësh të vegjëlve të vërtetat biblike është diçka e rëndësishme, por jo më pak vlen edhe shembulli i prindërve. A ju shohin fëmijët duke studiuar, duke ndjekur rregullisht mbledhjet, duke marrë pjesë në shërbimin në fushë, po, duke u kënaqur në kryerjen e vullnetit të Jehovait? (Psalmi 40:8) Kjo është jetësore. Në mënyrë domethënëse, një vajzë tha për të ëmën, e cila kishte duruar kundërshtimin e të shoqit dhe kishte rritur gjashtë fëmijë, duke i bërë Dëshmitarë besnikë: «Ajo që na bëri më shumë përshtypje ishte vetë shembulli i mamasë; ai na vlejti më shumë sesa fjalët.»
Sigurimi i mbrojtjes për të vegjlit
18. (a) Si mund t’u sigurojnë prindërit fëmijëve, mbrojtjen e nevojshme? (b) Çfarë lloj mësimi merrnin të vegjlit në Izrael, në lidhje me pjesët riprodhuese të trupit?
18 Sikurse fidanët kanë shpesh nevojë të mbrohen nga insektet e rrezikshme, në këtë sistem të lig gjërash, të vegjlit kanë nevojë të mbrohen nga «njerëzit e këqinj». (2. Timoteut 3:1-5, 13) Si mund ta japin prindërit këtë mbrojtje? Duke i ndihmuar që të fitojnë mençurinë hyjnore! (Eklisiastiu 7:12) Jehovai i urdhëroi izraelitët, duke përfshirë edhe «fëmijët» e tyre, që të dëgjonin leximin e këtij Ligji, i cili përfshinte edhe identifikimin e sjelljes seksuale të përshtatshme dhe të papërshtatshme. (Ligji i përtërirë 31:12; Levitiku 18:6-24) Pjesët riprodhuese të trupit janë përmendur vazhdimisht, duke përfshirë «herdhet» dhe «organin gjenital». (Levitiku 15:1-3, 16; 21:20; 22:24; Numrat 25:8; Ligji i përtërirë 23:10) Për shkak të korrupsionit ekstrem të botës së sotme, të vegjlit kanë nevojë të dinë përdorimin e duhur dhe të papërshtatshëm të këtyre pjesëve të trupit, të cilat përfshihen në krijimin që Perëndia e quajti «shumë mirë».—Zanafilla 1:31; 1. Korintasve 12:21-24.
19. Cili mësim i përshtatshëm u duhet dhënë të vegjëlve, në lidhje me pjesët e tyre private të trupit?
19 Do të ishte shumë mirë sikur të dy prindërit bashkë, apo edhe ai që kujdeset për fëmijët, t’u bënte të njohur fëmijëve pjesët intime të trupit të tyre. Pastaj, duhet t’u shpjegojë se askush tjetër nuk duhet lejuar t’i prekë këto pjesë. Meqë shpeshherë ngacmuesit e fëmijëve provojnë se si u përgjigjen të vegjlit provokimeve delikate seksuale, fëmija duhet të mësohet se si të rezistojë me vendosmëri e të thotë: «Do të të denoncoj!» Mësojuni fëmijëve se gjithmonë duhet të denoncojnë dikë që përpiqet t’i prekë në njëfarë mënyre që ata s’ndihen rehat, pavarësisht nga kërcënimet e frikshme që mund t’u bëhen.
Dhënia e disiplinës së dashur
20. (a) Në ç’mënyrë disiplina është ngjashëm krasitjes? (b) Cili është ndikimi i parë i disiplinës, por cili është rezultati?
20 Të vegjlit marrin dobi nga disiplina e dashur, sikurse një pemë nga krasitja. (Proverbat 1:8, 9; 4:13; 13:1) Kur degët e padëshirueshme priten, rritja e të tjerave nxitet. Kështu, nëse fëmijët tuaj po përqendrohen veçanërisht mbi zotërimet materiale, ose priren drejt shoqërive të këqija apo zbavitjeve të pashëndetshme, atëherë këto prirje të gabuara janë si ato degë që duhen prerë. Nëse hiqen, fëmijët do të jenë të ndihmuar të rriten në drejtim frymor. Fillimisht, kjo disiplinë mund të mos duket e pëlqyeshme, ashtu si edhe krasitja mund t’i shkaktojë ndonjë shqetësim pemës. Por rezultati përfundimtar i disiplinës është përtëritja e rritjes në drejtimin, në të cilin ju dëshironi që fëmija të shkojë.—Hebrenjve 12:5-11.
21, 22. (a) Nga duket se disiplina nuk është e pëlqyeshme as për t’u dhënë, as për t’u marrë? (b) Përse prindërit nuk duhet të kursehen në dhënien e disiplinës?
21 Është një fakt që pranohet kollaj se disiplina nuk është e pëlqyeshme as për t’u dhënë, as për t’u marrë. «Djali im po kalonte shumë kohë me një të ri, për të cilin pleqtë më kishin paralajmëruar që nuk ishte një shoqëri e mirë,—vëren një baba.—Duhej të kisha vepruar më shpejt nga sa bëra. Edhe pse im bir nuk u përfshi në ndonjë shkelje të hapur, m’u desh shumë kohë për të ndrequr mendimet e tij.» Djali vërejti: «Kur u shkëputa nga shoku im më i mirë, ndihesha i dërrmuar.» Por, pastaj shtoi: «Ky ishte një vendim i mirë, sepse pak më vonë ai u përjashtua.»
22 «Qortimet e disiplinës janë udha e jetës»,—thotë Fjala e Perëndisë. Prandaj, sado e vështirë të jetë disiplina për t’u dhënë, mos ua kurseni fëmijëve tuaj. (Proverbat 6:23; 23:13; 29:17) Me kohë, ata do t’ju jenë mirënjohës që i keni korrigjuar. «Më kujtohet që isha shumë i zemëruar me prindërit kur më disiplinonin,—kujton një i ri.—Tani do të isha edhe më shumë i zemëruar, sikur prindërit të mos ma kishin dhënë atë disiplinë.»
Shpërblim i denjë për përpjekje
23. Përse ia vlejnë përpjekjet, për t’u kushtuar të rinjve gjithë kujdesin e dashur?
23 S’ka dyshim, fëmijët me të cilët prindërit, por edhe të tjerët, gjejnë kënaqësi, janë prodhim i një kujdesi të madh të përditshëm e të dashur. Megjithatë, të gjitha përpjekjet që bëhen me ta, qofshin fëmijë fizikë apo edhe frymorë, ia vlejnë përpara shpërblimit që mund të gëzojmë. Apostulli i moshuar Gjoni e tregoi këtë, kur shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për falënderim, se këto gjëra, që të dëgjoj se bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»—3. Gjonit 4, BR.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Për çfarë kanë nevojë filizat dhe fëmijët, që të bëhen të denjë për lëvdim?
◻ Në ç’mënyrë prindërit mund të shërbejnë si shtylla të efektshme stërvitëse?
◻ Çfarë mund të përfshihet në periudhat e mësimit me të vegjlit dhe çfarë u duhet mësuar që të rezistojnë?
◻ Në ç’mënyrë disiplina është e dobishme për fëmijën, sikurse krasitja për një pemë?
[Burimi i figurës në faqen 10]
Me mirësjellje nga Green Chimney’s Farm