Ezekieli
29 Vitin e 10-të,* ditën e 12-të të muajit të dhjetë, fjala e Jehovait m’u drejtua: 2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga faraoni, mbreti i Egjiptit, dhe profetizo kundër tij e kundër tërë Egjiptit.+ 3 Thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova:
‘Ja, unë jam kundër teje, o faraon, mbret i Egjiptit,+
përbindëshi i madh i detit, ti që rri shtrirë në rrjedhat e Nilit*+ tënd.
Ti thua: “Lumi Nil është imi. Unë e kam bërë atë për veten time.”+
4 Mirëpo unë do të të vë grremça në nofulla
e do të bëj që peshqit e Nilit tënd të kapen pas luspave të tua;
do të të nxjerr nga Nili yt bashkë me tërë peshqit që janë në të e që janë kapur pas luspave të tua.
5 Ty dhe tërë peshqit e Nilit do t’ju lë në shkretëtirë.
Ti do të biesh i vdekur në fushë të hapur
dhe kufoma jote do të mbetet atje, e askush nuk do ta marrë.+
Unë do të të jap si ushqim për kafshët e egra të tokës dhe për zogjtë e qiellit.+
6 Atëherë të gjithë banorët e Egjiptit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai,
sepse, aq sa mund të jetë mbështetje një fije kashte,*
po aq ishin ata mbështetje për shtëpinë e Izraelit.+
7 Kur izraelitët të kapën nga dora, ti vetë u dërrmove
dhe ua bëre edhe atyre shpatullën copë.
8 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Ja, unë do të sjell kundër teje shpatën+ dhe do të t’i shfaros njerëz e kafshë. 9 Egjipti do të kthehet në rrënojë e në shkreti;+ atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, sepse ti ke* thënë: ‘Lumi Nil është imi. Unë vetë e kam bërë.’+ 10 Prandaj unë jam kundër teje e kundër Nilit tënd, dhe do ta kthej Egjiptin në gërmadhë, në vend të thatë, të shkretë e krejtësisht të pabanuar+ nga Migdoli+ deri në Sienë,+ deri në kufi me Etiopinë. 11 Nëpër të nuk do të shkelë këmbë njeriu e bagëtie,+ dhe për 40 vjet do të mbetet i pabanuar. 12 Unë do ta kthej Egjiptin në vendin më të shkretë dhe, për 40 vjet, qytetet e tij do të jenë qytetet më të shkretuara;+ unë do t’i shpërndaj egjiptianët mes kombeve dhe do t’i hallakat sa andej këtej.”+
13 Megjithatë, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Pas 40 vjetësh do t’i mbledh egjiptianët nga popujt ku ishin shpërndarë;+ 14 do t’i kthej prapë robërit egjiptianë në vendin e Patrosit+ ku kanë rrënjët, dhe atje do të bëhen një mbretëri e papërfillshme. 15 Egjipti do të bëhet më i dobët se mbretëritë e tjera dhe nuk do të mbizotërojë më mbi kombet;+ unë do ta pakësoj aq shumë numrin e tyre, sa të mos nënshtrojnë më asnjë komb.+ 16 Egjipti nuk do të jetë më kurrë burim sigurie për shtëpinë e Izraelit;+ ai do t’i shërbejë vetëm për t’i kujtuar sa gabim bëri kur iu drejtua egjiptianëve për ndihmë. Atëherë ka për ta marrë vesh se unë jam Zotëria Sovran Jehova.”»
17 Tani, vitin e 27-të,* ditën e parë të muajit të parë, fjala e Jehovait m’u drejtua: 18 «Bir njeriu, Nabukodonosori,*+ mbreti i Babilonisë, e mundoi shumë ushtrinë e tij në luftën kundër Tirit.+ Të gjitha kokat u bënë tullace, të gjitha supet u rropën.* Mirëpo as ai, as ushtria e tij nuk morën ndonjë pagë për mundin e tyre kundër Tirit.
19 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë i jap Egjiptin Nabukodonosorit,* mbretit të Babilonisë.+ Ai do t’ia marrë pasuritë, do të bëjë shumë plaçkë e do të zërë pre të madhe; kjo do të jetë paga për ushtrinë e tij.
20 Si shpërblim për mundin e tij kundër Tirit, unë do t’i jap Egjiptin, sepse ai punoi për mua,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
21 Atë ditë unë do të nxjerr një bri për shtëpinë e Izraelit,*+ dhe ty* do të të jap rast të flasësh mes tyre. Atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»