Zanafilla
9 Pastaj Perëndia e bekoi Noenë me djemtë e tij dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.+ 2 Çdo krijesë e gjallë në tokë, çdo krijesë fluturuese në qiej, çdo gjë që lëviz në tokë dhe të gjithë peshqit e detit do të vazhdojnë të kenë frikë e tmerr nga ju. Tani janë në duart tuaja.*+ 3 Po ju jap si ushqim çdo kafshë që lëviz dhe ka jetë;+ ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po ju jap edhe të gjitha këto.+ 4 Vetëm mos e hani+ mishin me jetën* e tij, domethënë me gjakun e tij.+ 5 Veç kësaj do të kërkoj llogari për jetën tuaj, për gjakun tuaj.* Do t’i kërkoj llogari çdo krijese të gjallë; do t’i kërkoj llogari çdo njeriu për jetën e vëllait të vet.+ 6 Kujtdo që derdh gjak njeriu, do t’i derdhet gjaku nga dora e njeriut,+ sepse Perëndia e bëri njeriun sipas imazhit të vet.+ 7 Pra jini të frytshëm, shumohuni dhe shtohuni sa më shumë e mbusheni tokën.»+
8 Më pas Perëndia i tha Noesë dhe djemve të tij: 9 «Po bëj një besëlidhje me ju,+ me pasardhësit tuaj 10 dhe me çdo krijesë* të gjallë që doli nga arka me ju: zogjtë, kafshët* dhe të gjitha krijesat e gjalla të tokës, po, me çdo krijesë të gjallë të tokës.+ 11 Ja besëlidhja që po bëj me ju: s’do të shfaroset më kurrë çdo qenie e gjallë* nga ujërat e një përmbytjeje, dhe nuk do të ketë më kurrë përmbytje që të shkatërrojë krejt tokën.»+
12 Perëndia shtoi: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje e jush dhe çdo krijese* të gjallë që është me ju, brez pas brezi. 13 Po vë ylberin tim në re, që do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje dhe tokës. 14 Kur të sjell re mbi tokë, në to do të shfaqet ylberi, 15 dhe unë do ta kujtoj besëlidhjen që bëra mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë.* Ujërat nuk do të shkaktojnë më kurrë një përmbytje që të shfarosë çdo qenie të gjallë.+ 16 Ylberi do të dalë në re, dhe unë do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përhershme mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë në tokë.»
17 Perëndia i tha përsëri Noesë: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje dhe çdo qenieje të gjallë që është në tokë.»+
18 Djemtë e Noesë që dolën nga arka ishin Semi, Kami dhe Jafeti.+ Më vonë Kamit i lindi Kanani.+ 19 Këta të tre ishin djemtë e Noesë dhe prej këtyre u popullua e gjithë toka.+
20 Tani, Noeja filloi të punonte si bujk dhe mbolli një vresht. 21 Pasi piu verë, u deh dhe u zhvesh brenda tendës. 22 Kami, babai i Kananit, pa lakuriqësinë e të atit dhe ua tregoi dy vëllezërve të tij që ishin jashtë. 23 Atëherë Semi dhe Jafeti morën një mantel, e hodhën mbi supe dhe hynë në tendë duke ecur mbrapsht. Kështu e mbuluan të atin ndërkohë që fytyrat i kishin kthyer nga ana tjetër, ndaj nuk e panë lakuriqësinë e tij.
24 Pasi i doli vera, Noeja u zgjua, mori vesh ç’i kishte bërë djali më i vogël 25 dhe tha:
«Mallkuar qoftë Kanani!+
Qoftë skllavi më i ulët i vëllezërve të tij!»+
26 Pastaj shtoi:
«Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Semit!
Ndërsa Kanani u bëftë skllavi i tij!+
27 Perëndia i dhëntë Jafetit një vend të gjerë!
Banoftë Jafeti në tendat e Semit!
Kurse Kanani u bëftë edhe skllav i tij!»
28 Noeja jetoi edhe 350 vjet pas Përmbytjes.+ 29 Kështu ai jetoi gjithsej 950 vjet dhe pastaj vdiq.