Fjalorth i termave të Biblës
A B C Ç D E F G GJ H I J K L M N O P Q R RR S SH T U V Y Z
A
Ab.
Emri i muajit të 5-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 11-të të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Ai fillonte në mes të korrikut dhe mbaronte në mes të gushtit. Në Bibël nuk përmendet me këtë emër, por përshkruhet thjesht me fjalët ‘muaji i pestë’. (Nu 33:38; Ezd 7:9)—Shih Shtojcën B15.
Abib.
Emri fillestar i muajit të parë të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 7-të të kalendarit bujqësor; do të thotë «kallinj të gjelbër (drithi)». Ai fillonte në mes të marsit dhe mbaronte në mes të prillit. Pas kthimit të judenjve nga Babilonia, quhej nisan. (Lp 16:1)—Shih Shtojcën B15.
Adar.
Emri i muajit të 12-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 6-të të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Ai fillonte në mes të shkurtit dhe mbaronte në mes të marsit. (Es 3:7)—Shih Shtojcën B15.
Afërm (i).
Dikush që jeton afër, qoftë mik ose armik; ose mund t’i referohet dikujt që shfaq dashuri dhe zemërmirësi siç urdhërojnë Shkrimet, ndonëse mund të jetojë larg e të mos jetë familjar a shok.
Agjërim.
Të mos hash fare ushqim për një kohë të shkurtër. Izraelitët agjëronin Ditën e Shlyerjes, në kohë halli dhe kur kishin nevojë për drejtimin e Perëndisë. Judenjtë themeluan katër agjërime vjetore për të kujtuar ngjarje shumë të rënda në historinë e tyre. Agjërimi nuk është kërkesë për të krishterët.—Ezd 8:21; Is 58:6; Lu 18:12.
Akai.
Në Shkrimet e Krishtere Greke i referohet provincës romake në jug të Greqisë, me kryeqytet Korintin. Akaia përfshinte të gjithë Peloponezin dhe pjesën qendrore të Greqisë kontinentale. (Ve 18:12)—Shih Shtojcën B13.
Alabastër.
Emri i një ene të vogël parfumi, e cila në fillim bëhej nga një lloj guri që gjendej afër Alabastronit, Egjipt. Kjo enë zakonisht kishte grykë të ngushtë e mund të vulosej që të mos derdhej asnjë pikë nga parfumi i shtrenjtë. Më vonë, edhe guri nga i cili përbëhej, u quajt me të njëjtin emër.—Mr 14:3.
Alamoth.
Term muzikor që do të thotë «vasha; vajza të reja»; me sa duket lidhej me zërat soprano të vajzave të reja. Ka të ngjarë t’i referohej një pjese muzikore ose orkestrale që duhej luajtur në regjistër të lartë.—1Kr 15:20; Ps 46:Mbishk.
Alfa dhe Omega.
Altar.
Strukturë ose platformë e ngritur e bërë me dhé, gurë, bllok shkëmbor ose me dru, e cila ishte e mbuluar me metal; mbi të ofroheshin flijime ose temjan në adhurim. Në dhomën e parë të tabernakullit dhe të tempullit ndodhej një ‘altar i vogël prej ari’ ku ofrohej temjan. Ai ishte prej druri të veshur me ar. Jashtë në oborr ndodhej një ‘altar prej bakri’ më i madh ku ofroheshin flijime të djegura. (Eks 27:1; 39:38, 39; Zn 8:20; 1Mb 6:20; 2Kr 4:1; Lu 1:11)—Shih Shtojcat B5 dhe B8.
Amin.
«Ashtu qoftë» ose «sigurisht». Kjo fjalë vjen nga rrënja e fjalës hebraike ʹamán, që do të thotë «të jesh besnik, i besueshëm». «Amin» thuhej për të rënë dakord me një betim, lutje a pohim. Te libri i Zbulesës përdoret si titull për Jezuin.—Lp 27:26; 1Kr 16:36; Zb 3:14.
Anijet e Tarshishit.
Fillimisht një shprehje që u referohej anijeve që lundronin për në Tarshishin e lashtë (Spanja e sotme). Me sa duket, me kalimin e kohës ky term u përdor për anijet e mëdha që mund të lundronin në distanca të largëta. Solomoni dhe Jehozafati i përdorën këto anije për tregti.—1Mb 9:26; 10:22; 22:48.
Antikrisht.
Termi grek ka kuptim të dyfishtë. I referohet asaj që është anti ose kundër Krishtit. Mund t’i referohet edhe një Krishti të rremë, pra, dikujt që merr vendin e Krishtit. Të gjithë njerëzit, organizatat ose grupet që në mënyrë të rreme pretendojnë se përfaqësojnë Krishtin, se janë Mesia ose që i kundërvihen Krishtit dhe dishepujve të tij mund të quhen me të drejtë antikrishtër.—1Gjo 2:22.
Apostazi.
Ky term në greqisht (apostasía) vjen nga një folje që fjalë për fjalë do të thotë «të qëndrosh larg nga». Emri përcjell idenë e «dezertimit, të braktisjes ose të rebelimit». Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «apostazi» përdoret kryesisht për ata që e braktisin adhurimin e vërtetë dhe kthehen kundër tij.—Pr 11:9; Ve 21:21; 2Se 2:3.
Apostull.
Aramaisht.
Një gjuhë semitike shumë e ngjashme me hebraishten, me të njëjtin alfabet si ajo. Në fillim flitej nga aramaitët, kurse më vonë u bë gjuha ndërkombëtare e tregtisë dhe e komunikimit në perandoritë asiriane dhe babilonase. Gjithashtu ishte gjuha zyrtare administrative e Perandorisë Perse. (Ezd 4:7) Disa pjesë të librave të Ezdrës, të Jeremisë dhe të Danielit u shkruan në aramaisht.—Ezd 4:8–6:18; 7:12-26; Jr 10:11; Dn 2:4b–7:28.
Arami; Aramaitë.
Areopag.
Kodër e lartë në Athinë, në veriperëndim të Akropolit. Kështu quhej edhe këshilli (gjykata) që mblidhej atje. Filozofët stoikë dhe epikurianë e çuan Pavlin në Areopag që të shpjegonte besimin e tij.—Ve 17:19.
Arka e besëlidhjes.
Arka e bërë me dru akacieje dhe e veshur me ar, që mbahej në Më të Shenjtën e tabernakullit dhe më vonë në Më të Shenjtën e tempullit të ndërtuar nga Solomoni. Kapaku ishte krejtësisht prej ari dhe kishte dy kerubinë përballë njëri-tjetrit. Gjërat më të rëndësishme brenda saj ishin dy pllakat me Dhjetë Urdhërimet. (Lp 31:26; 1Mb 6:19; He 9:4)—Shih Shtojcat B5 dhe B8.
Armagedon.
Vjen nga fjala hebraike HarMeghiddóhn që do të thotë «Mali i Megidos». Kjo fjalë lidhet me «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm» në të cilën «mbretërit e mbarë tokës së banuar» mblidhen për të luftuar kundër Jehovait. (Zb 16:14, 16; 19:11-21)—Shih SHTRËNGIMI I MADH.
Armaturë.
Veshja mbrojtëse e ushtarëve që përbëhej nga helmeta, thuraku, brezi, palestrinat dhe mburoja.—1Sa 31:9; Ef 6:13-17.
Asamble.
Aselgeia.—
Shih SJELLJE E PACIPË.
Astrolog.
Ashtorethi.
Perëndeshë kananite e luftës dhe e pjellorisë, gruaja e Baalit.—1Sa 7:3.
Azazel.
Azi.
Në Shkrimet e Krishtere Greke i referohet provincës romake që përfshinte pjesën perëndimore të Turqisë së sotme, si edhe disa ishuj bregdetarë, si Samoja dhe Patmosi. Kryeqyteti ishte Efesi. (Ve 20:16; Zb 1:4)—Shih Shtojcën B13.
B
Baali.
Perëndi kananit që konsiderohej pronar i qiellit dhe burim i shirave e i pjellorisë. Termi «Baal» përdorej edhe si titull për perënditë vendëse më pak të rëndësishme. Fjala hebraike ka kuptimin «pronar; zotëri».—1Mb 18:21; Ro 11:4.
Bato.
Njësi matëse për lëngjet, afro 22 l, sipas gjetjeve arkeologjike të copave të enëve të baltës që përmbajnë këtë emër. Shumica e njësive të tjera matëse, si për lëndët e ngurta dhe për lëngjet, në Bibël përcaktohen sipas vëllimit të një batoje. (1Mb 7:38; Ezk 45:14)—Shih Shtojcën B14.
Belzebub.
Besëlidhje.
Marrëveshje zyrtare ose kontratë mes Perëndisë dhe njerëzve ose mes dy palëve njerëzore, për të bërë ose për të mos bërë diçka. Ndonjëherë vetëm njëra palë ishte përgjegjëse për të plotësuar kushtet e besëlidhjes (besëlidhje e njëanshme, që në thelb ishte një premtim). Në raste të tjera, të dyja palët duhej të plotësonin disa kushte të besëlidhjes (besëlidhje e dyanshme). Përveç besëlidhjeve që Perëndia bën me njerëzit, Bibla përmend edhe besëlidhje mes njerëzve, fiseve, kombeve dhe grupeve njerëzore. Ndër besëlidhjet që kanë pasur ndikim me shtrirje të gjerë, janë ato që Perëndia bëri me Abrahamin, me Davidin, me kombin e Izraelit (besëlidhja e Ligjit) dhe me Izraelin e Perëndisë (besëlidhja e re).—Zn 9:11; 15:18; 21:27; Eks 24:7; 2Kr 21:7.
Betim.
Të zësh be për të vërtetuar se diçka është e vërtetë ose të premtosh solemnisht se do të bësh a nuk do të bësh një gjë të caktuar. Shpesh është zotim që bëhet ndaj dikujt me pozitë më të lartë, sidomos ndaj Perëndisë. Besëlidhjen me Abrahamin, Jehovai e përforcoi me anë të një betimi.—Zn 14:22; He 6:16, 17.
Bijtë e Aronit.
Pasardhësit e nipit të Levit, Aronit, i cili u zgjodh si kryeprifti i parë nën Ligjin e Moisiut. Bijtë e Aronit kryenin detyra priftërore në tabernakull e në tempull.—1Kr 23:28.
Biri i Davidit.
Biri i njeriut.
Shprehje që del rreth 80 herë tek Ungjijtë. Ajo përdoret për Jezu Krishtin dhe tregon se kur erdhi në tokë si njeri, ai lindi prej mishi e gjaku, dhe nuk ishte krijesë qiellore që mori trup njerëzor. Kjo shprehje tregon edhe se Jezui do të përmbushte profecinë e dokumentuar te Danieli 7:13, 14. Në Shkrimet Hebraike, kjo frazë u përdor për Ezekielin dhe për Danielin, që të theksonte ndryshimin mes këtyre zëdhënësve vdekatarë dhe Burimit hyjnor të mesazhit të tyre.—Ezk 3:17; Dn 8:17; Mt 19:28; 20:28.
Blasfemi.
Fjala greke blasphemía në thelb do të thotë të shpifësh, të shash a të thuash fjalë lënduese, sidomos kundër Perëndisë ose njerëzve. Në Përkthimin Bota e Re kjo fjalë zakonisht i referohet vetëm të folurit çnderues ose sharës kundër Perëndisë dhe kundër gjërave të shenjta.
Blatim i djegur.
Një flijim në kafshë që digjej mbi altar si blatim i plotë për Perëndinë; adhuruesi nuk mbante për vete asnjë pjesë të kafshës (dem, dash, cjap, turtull ose zog pëllumbi).—Eks 29:18; Lp 6:9.
Blatimi i falënderimit.
Blatim në bashkësi që ofrohej për të lëvduar Perëndinë për të gjitha të mirat që jepte dhe për dashurinë e tij besnike. Në këto raste hahej mishi i flijuar dhe buka, qoftë me maja, qoftë pa maja. Mishi duhej ngrënë po atë ditë.—2Kr 29:31.
Blatimi i tundur.
Një blatim ku, me sa duket, prifti vinte duart e tij nën duart e adhuruesit që mbante blatimin që do të paraqitej dhe e tundte nga njëra anë në tjetrën; ndonjëherë blatimin e tundte vetë prifti. Ky veprim simbolizonte paraqitjen e blatimit a të flijimit që i ofrohej Jehovait.—Le 7:30.
Blatimi në bashkësi.
Një flijim që i paraqitej Jehovait si kërkesë për të qenë në paqe me të. Në të merrnin pjesë adhuruesi bashkë me ata të shtëpisë së vet, prifti në detyrë dhe priftërinjtë e tjerë të caktuar të shërbenin. Jehovai pranonte në njëfarë mënyre tymin me aromë të këndshme të dhjamit që digjej. Atij i jepej edhe gjaku, që përfaqësonte jetën. Ishte sikur priftërinjtë dhe adhuruesit të uleshin për të ngrënë një vakt së bashku me Jehovain, diçka që tregonte një marrëdhënie paqësore.—Le 7:29, 32; Lp 27:7.
Blatimi në pije.
Blatimi për fajin.
Një flijim për mëkatet individuale. Ndryshonte pak nga blatimet e tjera për mëkatin, sepse shërbente për të ndrequr një padrejtësi nga ana e keqbërësit ose për të rivendosur disa të drejta sipas besëlidhjes së Ligjit, që keqbërësi i penduar i kishte humbur për shkak të mëkatit. Duke bërë kështu, ai nuk ndëshkohej.—Le 7:37; 19:22; Is 53:10.
Blatimi për mëkatin.
Blatim zotimi.
Bregore.
Brirët e altarit.
Briri.
U referohet brirëve të kafshëve që përdoreshin si enë për të pirë, si enë për vaj, si mbajtëse boje a tualeti dhe si instrumente muzikore e sinjalizuese. (1Sa 16:1, 13; 1Mb 1:39; Ezk 9:2, shën.) Fjala ‘bri’ përdoret shpesh në mënyrë të figurshme për të treguar forcën, pushtimin dhe fitoren.—Lp 33:17; Mi 4:13; Za 1:19.
Bukët e paraqitjes.
Dymbëdhjetë bukë që vendoseshin në dy stiva, me nga gjashtë bukë secila, mbi tryezën që ndodhej në ndarjen e të Shenjtës së tabernakullit dhe të tempullit. Quheshin edhe «bukë të vëna stivë». Ky blatim për Perëndinë, çdo Sabat zëvendësohej me bukë të freskët. Bukën që hiqej, zakonisht e hanin vetëm priftërinjtë. (2Kr 2:4; Mt 12:4; Eks 25:30; Le 24:5-9; He 9:2).—Shih Shtojcën B5.
Bul.
Emri i muajit të 8-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 2-të të kalendarit bujqësor. Vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të korra; prodhime»; fillonte në mes të tetorit dhe mbaronte në mes të nëntorit. (1Mb 6:38)—Shih Shtojcën B15.
Byk.
C
Caktuar për shkatërrim/shfarosje; Gjë e kushtuar.
Këto shprehje janë përkthim i termave hebraikë që përshkruajnë diçka që Perëndia nuk e lejonte të përdorej, ose që ‘i ishte kushtuar atij pa asnjë kusht’ (në mënyrë të pakthyeshme). Kur bëhej fjalë për njerëzit, këto shprehje nënkuptonin ekzekutimin me vdekje, domethënë ‘caktoheshin për shfarosje’. (1Sa 15:8; Js 11:20) Kurse kur bëhej fjalë për kafshët, sendet ose pronat (për shembull, arat, e madje edhe qytetet), këto ose mund të shkatërroheshin, ose mund të konfiskoheshin dhe të ndaheshin veç (gjë e kushtuar) për përdorim të shenjtë nga prifti apo në shërbimin në shenjtërore, në varësi të asaj që vendoste Jehovai në secilin rast.—Js 6:17; Le 27:28.
Cezar.
Emër familjeje romake që u bë titull për perandorët romakë. Bibla përmend me emër Augustin, Tiberin dhe Klaudin. Ndonëse Neroni nuk përmendet me emër, ky titull vlen edhe për të. Fjala «Cezar» përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke edhe për të përfaqësuar autoritetin civil, ose shtetin.—Mr 12:17; Ve 25:12.
Copa e thesit.
Ç
Çallmë.
Pëlhurë e mbështjellë përreth kokës që përdorej si mbulesë koke. Kryeprifti mbante një çallmë prej linoje cilësore. Në pjesën e përparme të saj vihej një pllakë ari e mbërthyer me kordon blu. Mbreti e mbante çallmën nën kurorë. Jobi e përdori këtë term në mënyrë të figurshme kur e krahasoi drejtësinë e tij me një çallmë.—Eks 28:36, 37; Jb 29:14; Ezk 21:26.
D
Dagoni.
Perëndi i filistinëve. Nuk dihet me siguri etimologjia e kësaj fjale, por disa studiues e lidhin me fjalën hebraike dagh (peshk).—Gjy 16:23; 1Sa 5:4.
Darik.
Monedhë e artë persiane që peshonte 8.4 g. (1Kr 29:7)—Shih Shtojcën B14.
Darka e Zotërisë.
Një vakt i mirëfilltë ku përdoren bukë pa maja dhe verë si simbole të trupit e të gjakut të Krishtit; përkujtim i vdekjes së Jezuit. Meqë Shkrimet kërkojnë që të krishterët ta kremtojnë këtë rast, me të drejtë quhet «Përkujtimi».—1Ko 11:20, 23-26.
Dashuri besnike.
Dekapol.
Grup qytetesh greke që në fillim ishin 10 (nga greqishtja déka, që do të thotë «dhjetë» dhe pólis, «qytet»). Po ashtu, emri i rajonit në lindje të detit të Galilesë dhe të lumit Jordan, ku ndodheshin shumica e këtyre qyteteve. Ato ishin qendra të kulturës dhe të tregtisë helene. Jezui kaloi në këtë rajon, por askund nuk lexojmë që ai të ketë hyrë në ndonjë nga këto qytete. (Mt 4:25; Mr 5:20)—Shih Shtojcat A7 dhe B10.
Demonët.
Krijesa të padukshme e të liga qiellore me fuqi mbinjerëzore. Te Zanafilla 6:2 quhen «bijtë e Perëndisë së vërtetë», kurse te Juda 6 quhen ‘engjëj’. Ata nuk u krijuan të ligj, përkundrazi ishin engjëj që u kthyen në armiq të Perëndisë në ditët e Noesë, duke mos iu bindur atij dhe duke u bashkuar me rebelimin e Satanait kundër Jehovait.—Lp 32:17; Lu 8:30; Ve 16:16; Jk 2:19.
Denar.
Monedhë e argjendtë romake që peshonte rreth 3,85 g dhe në njërën anë kishte fytyrën e Cezarit. Ishte paga ditore e një punëtori dhe monedha që quhej «haraç për kokë», të cilën romakët e caktuan si taksë për judenjtë. (Mt 22:17; Lu 20:24)—Shih Shtojcën B14.
Detyra që i takon kunatit.
Dëshmia.
Zakonisht u referohet Dhjetë Urdhërimeve të shkruara në dy pllakat prej guri që iu dhanë Moisiut.—Eks 31:18.
Disiplinë.
Dita e Gjykimit.
Një ditë ose periudhë specifike kur Jehovai u kërkon llogari grupeve të caktuara, kombeve ose njerëzve në përgjithësi. Mund të jetë një kohë gjykimi kur ekzekutohen ata që meritojnë vdekjen, ose kur disave u jepet mundësia që të shpëtojnë dhe të fitojnë jetën e përhershme. Jezu Krishti dhe apostujt e tij folën për një ‘Ditë Gjykimi’ në të ardhmen kur do të gjykohen jo vetëm ata që janë gjallë, por edhe ata që kanë vdekur në të kaluarën.—Mt 12:36.
Dita e Përgatitjes.
Dita e Shlyerjes.
Dita e shenjtë më e rëndësishme për izraelitët; quhet edhe Jom Kipur (nga hebraishtja yohmhak·kippurím, «dita e kapakëve») dhe kremtohej më 10 ethanim. Ishte e vetmja ditë në vit kur kryeprifti hynte në Më të Shenjtën e tabernakullit dhe më vonë të tempullit. Atje paraqiste gjakun e flijimeve për mëkatet e veta, për mëkatet e levitëve të tjerë si edhe për mëkatet e popullit. Atë ditë mbahej një asamble e shenjtë dhe agjërohej; ishte edhe sabat, një kohë për të pushuar nga punët e përditshme.—Le 23:27, 28.
Ditët e fundit.
Kjo shprehje përdoret në profecitë e Biblës për t’iu referuar kohës kur ngjarjet historike arrijnë kulmin. (Ezk 38:16; Da 10:14; Ve 2:17) Në varësi të llojit të profecisë, kjo periudhë mund të zgjatë pak vjet ose shumë. Në Bibël, kjo shprehje lidhet sidomos me «ditët e fundit» të këtij sistemi, që përkojnë me praninë e padukshme të Jezuit.—2Ti 3:1; Jk 5:3; 2Pj 3:3.
Djall.
Emri përshkrues i Satanait në Shkrimet e Krishtere Greke, që do të thotë «Shpifës». Satanait iu vu emri Djall, sepse është shpifësi i parë dhe më i madh kundër Jehovait; ai ngre akuza të rreme kundër Jehovait, fjalës së Tij të mirë dhe emrit të Tij të shenjtë.—Mt 4:1; Gjo 8:44; Zb 12:9.
Drahmë.
Në Shkrimet e Krishtere Greke kjo fjalë i referohet një monedhe argjendi greke që në atë kohë peshonte 3,4 g. Në Shkrimet Hebraike përmendet një drahmë ari nga epoka perse, që është barasvlerëse e darikut. (Ne 7:70; Mt 17:24)—Shih Shtojcën B14.
Drejtësi.
E
Edom.
E dhjeta.
Një e dhjeta ose 10 për qind që jepet ose paguhet si haraç, sidomos për qëllime fetare. (Ma 3:10; Lp 26:12; Mt 23:23) Nën Ligjin e Moisiut, për të mbështetur levitët, çdo vit mbarë vendi u jepte atyre një të dhjetën e prodhimit të tokës dhe një të dhjetën e pjellave të dhenve e të gjedhëve. Për të mbështetur priftërinë aronike, vetë levitët jepnin të dhjetën e së dhjetës që merrnin. Kishte edhe raste të tjera kur duhej të jepej e dhjeta. Të krishterëve nuk u kërkohet e dhjeta.
Efë.
Njësi matëse për lëndët e ngurta dhe emri i enës që i mbante; përdorej për të përcaktuar sasinë e drithit. Ishte baras me një bato, një njësi matëse për lëngjet, pra, 22 l. (Eks 16:36; Ezk 45:10)—Shih Shtojcën B14.
Efod.
Veshje si përparëse që e vishnin priftërinjtë. Kryeprifti vishte një efod të veçantë, në pjesën e përparme të të cilit ishte vendosur pektorali me 12 gurë të çmuar. (Eks 28:4, 6)—Shih Shtojcën B5.
Efraimi.
Elul.
Emri i muajit të 6-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 12-të të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Ai fillonte në mes të gushtit dhe mbaronte në mes të shtatorit. (Ne 6:15)—Shih Shtojcën B15.
Engjëll.
Në hebraisht málakh dhe në greqisht ággelos; fjalë për fjalë do të thonë «lajmëtar», por janë përkthyer «engjëll» kur u referohen lajmëtarëve që janë krijesa qiellore. (Zn 16:7; 32:3; Mt 11:10; Zb 22:8) Engjëjt janë krijesa të fuqishme qiellore, të cilat Perëndia i krijoi shumë kohë para se të krijonte njeriun. Në Bibël, ata përshkruhen edhe si «bijtë e Perëndisë» dhe «yjet e mëngjesit». (Jb 1:6; 38:7) Engjëjt nuk u krijuan me aftësi riprodhuese, por u krijuan secili më vete. Numri i tyre i tejkalon njëqind milionë. (Dn 7:10) Bibla tregon se secili ka emrin dhe personalitetin e vet, e megjithatë, këto krijesa të përulura nuk pranojnë të adhurohen e madje shumica prej tyre as e tregojnë fare emrin. (Zn 32:29; Lu 1:26; Zb 22:8, 9) Engjëjt kanë rangje dhe caktime të ndryshme, si shërbejnë para fronit të Jehovait, përcjellin mesazhet e tij, ndërhyjnë në dobi të shërbëtorëve të Jehovait në tokë, ekzekutojnë gjykimet e Perëndisë dhe përkrahin predikimin e lajmit të mirë. (2Mb 19:35; Ps 34:7; Lu 1:30, 31; Zb 5:11; 14:6) Në të ardhmen do t’i bëhen krah Jezuit gjatë betejës së Armagedonit.—Zb 19:14, 15.
E Shenjta.
Ndarja e parë dhe më e madhe e tabernakullit ose e tempullit, e cila ndryshonte nga ndarja më e brendshme, Më e Shenjta. Në tabernakull, në të Shenjtën ndodheshin shandani prej ari, altari i temjanit prej ari, tryeza e bukëve të paraqitjes dhe pajisje të tjera prej ari; kurse në tempull, në të Shenjtën ndodheshin altari prej ari, dhjetë shandanë prej ari dhe dhjetë tryeza për bukët e paraqitjes. (Eks 26:33; He 9:2)—Shih Shtojcat B5 dhe B8.
Etiopi.
Një komb i lashtë në jug të Egjiptit. Përfshinte pjesën më jugore të Egjiptit të sotëm dhe gjysmën veriore të Sudanit të sotëm. Ndonjëherë ky term përdoret për emrin hebraik «Kush».—Es 1:1.
Ethanim.
Emri i muajit të 7-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të parë të kalendarit bujqësor. Ai fillonte në mes të shtatorit dhe mbaronte në mes të tetorit. Pas kthimit të judenjve nga Babilonia, quhej Tishër. (1Mb 8:2)—Shih Shtojcën B15.
Eufrat.
Lumi më i gjatë dhe më i rëndësishëm i Azisë jugperëndimore dhe një nga dy lumenjtë kryesorë të Mesopotamisë. Për herë të parë përmendet te Zanafilla 2:14 si një nga katër lumenjtë e Edenit. Shpesh quhet ‘Lumi’. (Zn 31:21) Përbënte kufirin verior të territorit që i ishte caktuar Izraelit. (Zn 15:18; Zb 16:12)—Shih Shtojcën B2.
Eunuk.
Në kuptimin e drejtpërdrejtë kjo fjalë do të thotë «një mashkull i tredhur». Burra të tillë shpesh caktoheshin në oborret mbretërore si shërbëtorë ose kujdestarë të mbretëreshës dhe të konkubinave. Ky term i referohet edhe një zyrtari që kishte detyra në oborrin e mbretit, pra, jo një eunuku të mirëfilltë. Përdoret në mënyrë të figurshme në shprehjen ‘eunukë për Mbretërinë’, domethënë për dikë që ushtron vetëkontroll për t’i shërbyer sa më shumë Perëndisë.—Mt 19:12; Es 2:15; Ve 8:27.
F
Fallaka.
Faraon.
Farë.
Term që shpesh përdoret në Bibël në mënyrë të figurshme për t’iu referuar fjalës «pasardhës» (njëjës ose shumës).
Farisenj.
Sekt fetar i rëndësishëm i judaizmit në shekullin e parë të e.s. Ndonëse s’kishin prejardhje priftërore, e zbatonin me rreptësi Ligjin, madje edhe hollësitë më të vogla. Traditave gojore u jepnin të njëjtën peshë si Ligjit. (Mt 23:23) Kundërshtonin çdo lloj ndikimi të kulturës greke, dhe, si studiues të Ligjit e të traditave, kishin autoritet të madh mbi popullin. (Mt 23:2-6) Madje, disa ishin anëtarë të Sinedrit. Shpesh e kundërshtonin Jezuin për mbajtjen e Sabatit, të traditave dhe ngaqë shoqërohej me mëkatarët e taksambledhësit. Disa prej tyre u bënë të krishterë, siç ishte Sauli nga Tarsi.—Mt 9:11; 12:14; Mr 7:5; Lu 6:2; Ve 26:5.
Festa e Bukëve Pa Maja.
E para nga tri festat kryesore vjetore të izraelitëve. Fillonte më 15 nisan, ditën pas Festës së Kalimit, dhe zgjaste 7 ditë. Në atë rast mund të hanin vetëm bukë pa maja, për të kujtuar Eksodin nga Egjipti.—Eks 23:15; Mr 14:1.
Festa e Ditës së Pesëdhjetë.
E dyta nga tri festat e rëndësishme që çdo mashkull hebre duhej të shkonte në Jerusalem për ta kremtuar. Në disa Bibla përkthehet ‘Rrëshajë’ dhe ‘Pentekost’. Shprehja «Festa e Ditës së Pesëdhjetë» përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke për atë që në Shkrimet Hebraike quhet Festa e Mbledhjes ose Festa e Javëve. Ajo kremtohej ditën e 50-të, duke numëruar nga 16 nisani.—Eks 23:16; 34:22; Ve 2:1.
Festa e Kalimit.
Festë vjetore që kremtohej më 14 abib (më vonë u quajt nisan), për të kujtuar çlirimin e izraelitëve nga Egjipti. Kjo festë kujtonte ‘kalimin’ e Jehovait mbi shtëpitë e izraelitëve, duke mos i vrarë të parëlindurit e tyre siç bëri me të parëlindurit e Egjiptit. Ajo kremtohej duke therur e duke pjekur një qengj (ose kec), që më pas hahej me barishte të hidhura e me bukë pa maja.—Eks 12:27; Gjo 6:4; 1Ko 5:7.
Festa e Kasolleve.
Quhet edhe Festa e Tabernakujve, ose Festa e Mbledhjes. Mbahej më 15-21 ethanim. Ajo kremtonte të korrat në fund të vitit bujqësor për Izraelin dhe ishte kohë për të gëzuar e për të falënderuar Jehovain që i kishte bekuar të korrat e tyre. Gjatë ditëve të festës, populli jetonte në kasolle, ose strehë të thjeshta, që të kujtonin Eksodin nga Egjipti. Ishte një nga tri festat që çdo mashkull duhej të shkonte në Jerusalem për ta kremtuar.—Le 23:34; Ezd 3:4.
Festa e Korrjes; Festa e Javëve.—
Festa e Kushtimit.
Dita e përvitshme për të kujtuar pastrimin e tempullit pasi u përdhos nga Antioku Epifan. Kremtimi fillonte më 25 hislev dhe zgjaste 8 ditë.—Gjo 10:22.
Fikës.
Mjete prej ari ose bakri që përdoreshin në tabernakull dhe në tempull. Mund të kenë qenë si gërshërë që përdoren për të prerë fitilat e llambave.—2Mb 25:14.
Filisti; Filistinë.
«Filisti» u quajt vendi në bregdetin jugor të Izraelit, kurse «filistinë» u quajtën imigrantët nga Kreta, që u vendosën atje. Davidi i nënshtroi filistinët, por ata mbetën të pavarur dhe armiq të betuar të Izraelit. (Eks 13:17; 1Sa 17:4; Am 9:7)—Shih Shtojcën B4.
Filozofët epikurianë.
Ndjekës të Epikurit, një filozofi grek (341-270 p.e.s.). Filozofia e tyre përqendrohej tek ideja se kënaqësia e individit ishte synimi më i lartë në jetë.—Ve 17:18.
Filozofët stoikë.
Ndjekës të shkollës greke të filozofëve që besonin se lumturia vjen vetëm kur jeton në harmoni me arsyen dhe me natyrën. Sipas tyre, njeriu që është vërtet i mençur, i shpërfill dhimbjen apo kënaqësitë.—Ve 17:18.
Flijim; Blatim.
Dhuratë që i ofrohej Perëndisë për ta falënderuar, për të pranuar fajin dhe për të rivendosur marrëdhëniet e mira me të. Duke filluar nga Abeli, njerëzit ofronin vullnetarisht flijime e blatime të ndryshme, ku përfshiheshin edhe kafshët, derisa nën Ligjin e Moisiut kjo u bë kërkesë e detyrueshme. Pasi Jezui dha jetën si flijim të përsosur, flijimet në kafshë nuk ishin më të nevojshme. Megjithatë, të krishterët vazhdojnë t’i ofrojnë Perëndisë si flijim kohën, energjitë dhe të mirat materiale.—Zn 4:4; He 13:15, 16; 1Gjo 4:10.
Frika nga Perëndia.
Froni i gjykimit.
Zakonisht një platformë e ngritur në vend të hapur, ku ngjiteshe me shkallë dhe nga ku zyrtarët e ulur mund t’u drejtoheshin turmave dhe t’u shpallnin vendimet. Shprehjet ‘froni i gjykimit i Perëndisë’ dhe ‘froni i gjykimit i Krishtit’ simbolizojnë masat që ka marrë Jehovai për të gjykuar njerëzimin.—Ro 14:10; 2Ko 5:10; Gjo 19:13.
Fryma e shenjtë.
Fryma.
Fjala hebraike rúah dhe fjala greke pnéuma, që shpesh përkthehen «frymë», kanë disa kuptime. Të gjitha kuptimet i referohen asaj që është e padukshme për sytë e njerëzve dhe që është forcë aktive ose vepruese. Si fjala hebraike, edhe ajo greke, përdoren për: (1) erën, (2) forcën e jetës që vepron te krijesat tokësore, (3) forcën nxitëse që buron nga zemra e figurshme e një personi dhe që e shtyn t’i thotë e t’i bëjë gjërat në një mënyrë të caktuar, (4) shprehjet e frymëzuara që vijnë nga një burim i padukshëm, (5) krijesat qiellore dhe (6) forcën vepruese të Perëndisë ose frymën e shenjtë.—Eks 35:21; Ps 104:29; Mt 12:43; Lu 11:13.
Frytet e para.
Frytet e para të stinës së të korrave; arritjet ose frytet e para të çdo gjëje. Jehovai kërkonte që kombi i Izraelit t’i jepte frytet e para, qofshin njerëz, kafshë ose fryt i tokës. Si komb, izraelitët i paraqitnin Perëndisë frytet e para gjatë Festës së Bukëve Pa Maja dhe Festës së Ditës së Pesëdhjetë. Shprehja «fryte të para» përdorej edhe në mënyrë të figurshme për Krishtin dhe për dishepujt e tij të mirosur.—1Ko 15:23; Nu 15:21; Pr 3:9; Zb 14:4.
Fshikullimë.
Gjatë shekullit të parë, fshikullima ishte një lloj rrahjeje me kamxhik, shpesh në formë torture. Disa prej kamxhikëve kishin zinxhirë me sfera prej metali në fund, kurse disa të tjerë kishin rripa lëkure të ndërthurur me copa kockash ose metali të mprehtë.—Gjo 19:1.
Furrë.
Strukturë për rafinimin e mineraleve ose për shkrirjen e metaleve; përdorej edhe për të pjekur enë balte dhe objekte të tjera qeramike. Në kohët për të cilat flet Bibla, furrat ishin prej tulle ose prej guri. Një furrë për të pjekur enë balte, qeramikë dhe gëlqere quhet edhe furrë tullash.—Zn 15:17; Dn 3:17; Zb 9:2.
G
Galad.
Në kuptimin e ngushtë të fjalës, zona pjellore në lindje të lumit Jordan që shtrihej në veri dhe në jug të luginës së Jabokut. Ndonjëherë përdorej për gjithë territorin e izraelitëve në lindje të Jordanit, ku banonin fiset e Rubenit, të Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut. (Nu 32:1; Js 12:2; 2Mb 10:33)—Shih Shtojcën B4.
Garda Pretoriane.
Grup ushtarësh romakë që shërbenin si truprojë për perandorin romak. Me kalimin e kohës, garda u bë një forcë politike e fuqishme për të mbështetur ose për të përmbysur një perandor.—Fi 1:13.
Gehena.
Emri grek për Luginën e Hinomit, që ndodhej në jug e në jugperëndim të Jerusalemit të lashtë. (Jr 7:31) Për të flitej në mënyrë profetike si për një vend ku do të hidheshin kufomat. (Jr 7:32; 19:6) Nuk ka dëshmi se njerëzit apo kafshët hidheshin në Gehenë që të digjeshin të gjallë ose të torturoheshin. Prandaj, ajo nuk mund të simbolizonte një vend të padukshëm ku shpirtrat e njerëzve torturohen përjetësisht në një zjarr të mirëfilltë. Përkundrazi, Jezui dhe dishepujt e tij e përdorën Gehenën si simbol të ndëshkimit të përjetshëm të ‘vdekjes së dytë’, domethënë, të shkatërrimit ose të asgjësimit të përhershëm.—Zb 20:14; Mt 5:22; 10:28.
Gerë.
Një njësi peshe prej 0,57 g që ishte e barasvlershme me 1/20 e siklës. (Le 27:25)—Shih Shtojcën B14.
Gitith.
Term muzikor, domethënia e të cilit nuk dihet me siguri, edhe pse mendohet se vjen nga fjala hebraike gath. Meqë fjala gath ka kuptimin «shtypëse rrushi», disa mendojnë se mund t’i referohet melodisë së këngëve të lidhura me prodhimin e verës.—Ps 81:Mbishk.
Grek.
Guri i mullirit; Mokër.
Një gur i rrumbullakët që vendosej sipër një guri të ngjashëm dhe përdorej për të bluar drithin. Në qendrën e gurit të poshtëm futej një kunj që shërbente si bosht për gurin e sipërm. Gjatë periudhës që u shkrua Bibla, në shumicën e shtëpive gratë përdornin mokrën. Meqenëse nga mokra varej buka e përditshme, Ligji i Moisiut e ndalonte marrjen peng të saj ose të gurit të sipërm të saj. Kurse gurët e mëdhenj të mullirit me strukturë të ngjashme lëvizeshin nga kafshët.—Lp 24:6; Mr 9:42.
Guri i qoshes.
Një gur i vendosur te këndi ose te qoshja e një ndërtese, atje ku takohen dy mure; është i rëndësishëm për të bashkuar a lidhur të dy muret. Guri kryesor i qoshes ndodhej në themelin e një ndërtese, dhe për ndërtesat publike e muret e qytetit zakonisht zgjidhej një gur veçanërisht i fortë. Kjo fjalë përdoret në kuptimin e figurshëm për themelimin e tokës; edhe Jezui përshkruhet si ‘një gur qosheje për themelin’ e kongregacionit të krishterë që krahasohet me një shtëpi të ngritur falë frymës së Perëndisë.—1Pj 2:5, 6; Jb 38:6.
GJ
Gjykatës.
Burra të caktuar nga Jehovai që të shpëtonin popullin e tij para periudhës së mbretërve njerëzore të Izraelit.—Gjy 2:16.
H
Hades.
Fjalë greke që përkon me fjalën hebraike «Sheol». Përkthehet «Varr» (me shkronjë të madhe) për të treguar se bëhet fjalë për varrin e përbashkët të njerëzimit.—Shih VARR.
Haraç.
Pagesë e një shteti a sundimtari ndaj një shteti a sundimtari tjetër në shenjë nënshtrimi, që të ruhej paqja e të sigurohej mbrojtje. (2Mb 3:4; 18:14-16; 2Kr 17:11) Kjo fjalë përdorej edhe për taksat që u kërkoheshin individëve.—Ne 5:4; Ro 13:7.
Havan.
Enë e thellë e rrumbullakët që shërben për të shtypur drithë, erëza, ullinj ose gjëra të tjera me anë të një shtypësi.
Hebraisht.
Hebre.
Term me të cilin u quajt në fillim Abrami (Abrahami), për të bërë dallimin mes tij dhe amoritëve fqinjë. Më pas u përdor për t’iu referuar pasardhësve të Abrahamit nga nipi i tij, Jakobi.
Hermesi.
Perëndi grek, bir i Zeusit. Në Listër, Pavlin e morën gabimisht për Hermesin, sepse, sipas asaj që mendohej, ky perëndi ishte lajmëtar i perëndive dhe perëndi i oratorisë.—Ve 14:12.
Herod.
Emër i familjes së një dinastie që Roma e kishte vënë të sundonte mbi judenjtë. Herodi i Madh njihej për rindërtimin e tempullit në Jerusalem dhe për urdhrin që dha për të vrarë fëmijët, duke u përpjekur të zhdukte Jezuin. (Mt 2:16; Lu 1:5) Herod Arkelau dhe Herod Antipa, bij të Herodit të Madh, u caktuan mbi disa rajone nën sundimin e të atit. (Mt 2:22) Antipa ishte tetrark, të cilin shumica e quante «mbret». Ishte sundimtar gjatë tri viteve e gjysmë kur shërbeu Krishti dhe vazhdoi deri në ngjarjet që përshkruhen te kapitulli 12 i Veprave. (Mr 6:14-17; Lu 3:1, 19, 20; 13:31, 32; 23:6-15; Ve 4:27; 13:1) Më pas, Herod Agripa I, nipi i Herodit të Madh, u ekzekutua nga engjëlli i Perëndisë pasi kishte sunduar për një kohë të shkurtër. (Ve 12:1-6, 18-23) Biri i tij, Herod Agripa II, u bë sundimtar dhe mbretëroi deri në kohën e revoltës judaike kundër Romës.—Ve 23:35; 25:13, 22-27; 26:1, 2, 19-32.
Hëna e re.
Dita e parë e çdo muaji të kalendarit judaik, që mbahej si një ditë për t’u mbledhur së bashku, për të festuar e për të ofruar flijime të veçanta. Më vonë, kjo ditë u bë festë e rëndësishme kombëtare, gjatë së cilës njerëzit nuk punonin.—Nu 10:10; 2Kr 8:13; Kl 2:16.
Higaion.
Term teknik i lidhur me udhëzimet muzikore. Siç përdoret te Psalmi 9:16, kjo fjalë mund të nënkuptojë një interlud muzikor solemn me tone të ulëta, të luajtur në harpë, ose një pauzë solemne të përshtatshme për meditim.
Hin.
Njësi matëse për lëngjet dhe ena për këtë njësi matëse. Është baras me 3,67 l, sipas një pohimi të historianit Jozef se një hin është baras me dy khoes (njësi matëse athinase e vjetër). (Eks 29:40)—Shih Shtojcën B14.
Hislev.
Emri i muajit të 9-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 3-të të kalendarit bujqësor, pas kthimit nga Babilonia. Ai fillonte në mes të nëntorit dhe mbaronte në mes të dhjetorit. (Ne 1:1; Za 7:1)—Shih Shtojcën B15.
Hisop.
Bimë me gjethe e degë të imëta që përdorej për spërkatjen e gjakut ose të ujit gjatë pastrimit ceremonial. Me sa duket ishte bima e manxuranës (Origanum maru; Origanum syriacum). Siç përdoret te Gjoni 19:29, mund të ketë qenë manxurana e lidhur majë një dege ose dura, një lloj manxurane e zakonshme (Sorghum vulgare), pasi kjo bimë mund të kishte një kërcell aq të gjatë, saqë me të mund të çohej një sfungjer me verë të thartë deri te goja e Jezuit.—Eks 12:22; Ps 51:7.
Hobe.
Rrip lëkure ose shirit i thurur me materiale të tilla, si tejzat a qimet e gjata të kafshëve, ose kërcejtë e xunkthit. Në mes të hobesë kishte një pjesë të gjerë ku vendosej një gur a diçka të ngjashme. Njëra anë e saj lidhej në dorë ose në kyçin e dorës, kurse ana tjetër mbahej në të njëjtën dorë teksa hobeja rrotullohej me forcë e më pas lëshohej. Kombet e lashta përdornin hobetarë në ushtritë e tyre.—Gjy 20:16; 1Sa 17:50.
Homer.
Njësi matëse për lëndët e ngurta që përkon me korën. Bazuar te vëllimi i një batoje, një homer ishte 220 l. (Le 27:16)—Shih Shtojcën B14.
Horeb; Mali Horeb.
Rajoni malor përreth malit Sinai. Një emër tjetër për malin Sinai. (Eks 3:1; Lp 5:2)—Shih Shtojcën B3.
Hosten.
Shkop i gjatë me majë të mprehtë metalike që bujqit e përdornin për të shtyrë një kafshë. Hosteni krahasohet me fjalët e një personi të mençur që e nxit dëgjuesin t’u vërë veshin këshillave të mençura. Shprehja ‘t’u gjuash me shqelm hostenëve’ lidhet me veprimin e një demi kokëfortë që i reziston shtytjes së hostenit, duke i gjuajtur me shqelm, e kështu dëmton veten.—Ve 26:14; Gjy 3:31.
Humnerë.
I
Idhull; Idhujtari.
I Ligu.
Term përshkrues për Satana Djallin, i cili kundërshton Perëndinë dhe normat e tij të drejta.—Mt 6:13; 1Gjo 5:19.
Iliri; Ilirik.
Provincë romake në veriperëndim të Greqisë. Pavli udhëtoi deri atje gjatë shërbimit të tij, por nuk thuhet nëse predikoi brenda Ilirisë apo deri në kufi me të. (Ro 15:19)—Shih Shtojcën B13.
Imoraliteti seksual.
Vjen nga fjala greke porneía, term i përgjithshëm për të gjitha marrëdhëniet seksuale të paligjshme. Përfshin kurorëshkeljen, prostitucionin, marrëdhëniet seksuale midis dy të pamartuarve, marrëdhëniet homoseksuale dhe marrëdhëniet seksuale me kafshë. Te Zbulesa, ky term përdoret në mënyrë të figurshme për «Babiloninë e Madhe», të cilën e quan prostitutë, për të përshkruar lidhjen e saj «intime» me udhëheqësit e kësaj bote, për të fituar pushtet dhe të mira materiale. (Zb 14:8; 17:2, 5; 18:3; Mt 5:32; Ve 15:29; Ga 5:19)—Shih PROSTITUTË.
Indi dhe maja.
Ind: fijet që thuren për së gjati kur endet një pëlhurë. Majë: fijet që thuren për së gjeri kur endet një pëlhurë.—Le 13:59.
Integritet.
Në Bibël, fjala integritet ka kuptimin tërësi morale ose plotësi, si edhe të jesh i paqortueshëm. Mund të ketë kuptimin t’i përkushtohesh pa u lëkundur asaj që është e drejtë. Shembujt dhe përdorimi i kësaj fjale në Bibël theksojnë se është me rëndësi jetësore t’i përkushtohesh pa rezerva një personi, Perëndisë Jehova, dhe vullnetit e qëllimeve të tij.—Js 24:14; Jb 27:5; Ps 26:1.
Izrael.
Emri që Perëndia i vuri Jakobit. Më vonë iu referua të gjithë pasardhësve të tij si grup në çfarëdo kohe. Pasardhësit e 12 bijve të Jakobit shpesh quheshin bijtë e Izraelit, shtëpia e Izraelit, populli (burrat) e Izraelit, ose izraelitët. «Izrael» ishte edhe emri me të cilin u quajt mbretëria dhjetëfisëshe veriore që u nda nga mbretëria jugore; më vonë, ky term u përdor për të krishterët e mirosur, pra, për «Izraelin e Perëndisë».—Ga 6:16; Zn 32:28; 2Sa 7:23; Ro 9:6.
J
Jakobi.
Bir i Isakut dhe i Rebekës. Më vonë, Perëndia i vuri emrin Izrael, dhe ai u bë patriarku i popullit të Izraelit (ose izraelitëve, që me kohë u quajtën edhe judenj). Ai ishte ati i 12 bijve që, bashkë me pasardhësit e tyre, përbënin 12 fiset e kombit të Izraelit. Emri Jakob vazhdoi të përdorej për kombin ose për popullin e Izraelit.—Zn 32:28; Mt 22:32.
Jeduthun.
Term që del te mbishkrimet e Psalmeve 39, 62 dhe 77, kuptimi i të cilit nuk dihet me siguri. Me sa duket, këto mbishkrime janë udhëzime për mënyrën si duhet interpretuar psalmi, ndoshta duke treguar një stil ose një instrument muzikor të caktuar. «Jeduthun» ishte edhe emri i një muzikanti levit, kështu që ky stil interpretimi ose lloj instrumenti mund të lidhej me të ose me bijtë e tij.
Jehovai.
Jubile.
Çdo vit i 50-të që kremtohej duke e llogaritur nga koha kur Izraeli hyri në Tokën e Premtuar. Gjatë vitit të Jubileut toka duhej të pushonte dhe skllevërit hebrenj duhej të liheshin të lirë. Tokat e trashëguara që ishin shitur, duheshin rikthyer. Si të thuash, viti i Jubileut ishte një vit feste, një vit lirie që e rikthente kombin në gjendjen që kishte pasur kur e kishte themeluar Perëndia.—Le 25:10.
Juda.
Djali i katërt i Jakobit që i lindi gruaja e tij, Lea. Në profecinë që tha kur ishte në shtratin e vdekjes, Jakobi paratha se nga linja familjare e Judës do të vinte një mbret i madh e i përjetshëm. Jezui, në ekzistencën e tij njerëzore, ishte pasardhës i Judës. Emri «Judë» i referohet edhe fisit, e më vonë mbretërisë, që mbajti emrin e tij. Juda përshkruhet si mbretëria jugore dhe përbëhej nga fiset izraelite të Judës e të Beniaminit, si edhe nga priftërinjtë e levitët. Juda zinte pjesën jugore të vendit, ku ndodhej edhe Jerusalemi e tempulli.—Zn 29:35; 49:10; 1Mb 4:20; He 7:14.
Jude.
Term i përdorur për dikë nga fisi i Judës pas rënies së mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit. (2Mb 16:6) Pasi izraelitët u kthyen nga mërgimi në Babiloni, përdorej për individë nga fise të ndryshme në Izrael. (Ezd 4:12) Më vonë u përdor në mbarë botën për të bërë dallimin mes izraelitëve dhe kombeve johebreje. (Es 3:6) Pavli e përdor këtë term në mënyrë të figurshme kur arsyeton se në kongregacionin e krishterë nuk ka rëndësi kombësia.—Ro 2:28, 29; Ga 3:28.
K
Kab.
Njësi matëse për lëndët e ngurta, 1,22 l, bazuar te vëllimi i një batoje. (2Mb 6:25)—Shih Shtojcën B14.
Kacek.
Mbajtëse vere e bërë nga e tërë lëkura e një kafshe, si lëkura e dhive ose e deleve. Vera futet në kacekë të rinj, sepse teksa fermentohet, lëshon dyoksid karboni dhe kacekët fryhen e tendosen. Lëkurët e reja janë elastike, kurse të vjetrat janë të ngurta dhe çahen kur në to ushtrohet presion.—Js 9:4; Mt 9:17.
Kalde; Kaldeas.
Fillimisht rajoni dhe popullsia e deltës së lumenjve Tigër dhe Eufrat; në rrjedhën e viteve këta terma përdoreshin për tërë Babiloninë dhe për popullin e saj. Fjala ‘kaldeas’ i referohej edhe një grupi njerëzish të arsimuar që studionin shkencë, histori, gjuhë dhe astronomi, por që merreshin edhe me magji e astrologji.—Ezd 5:12; Dn 4:7; Ve 7:4.
Kallam matës.
Gjatësia e një kallami matës ishte gjashtë kute. Bazuar në kutin standard, kallami ishte 2,67 m; bazuar në kutin e gjatë, ishte 3,11 m. (Ezk 40:3, 5; Zb 11:1)—Shih Shtojcën B14.
Kallam.
Term i përdorur për bimë të ndryshme që zakonisht rriten në vende me ujë. Në shumë raste bëhet fjalë për bimën barishtore Arundo donax. (Jb 8:11; Is 42:3; Mt 27:29; Zb 11:1)—Shih KALLAM MATËS.
Kanani.
Nip i Noesë, i katërti nga djemtë e Kamit. Të 11-të fiset që rrodhën nga Kanani me kalimin e kohës, banuan në rajonin përgjatë Mesdheut Lindor, mes Egjiptit dhe Sirisë. Ajo zonë u quajt ‘vendi i Kananit’. (Le 18:3; Zn 9:18; Ve 13:19)—Shih Shtojcën B4.
Kapaku i pajtuesit.
Kapaku i arkës së besëlidhjes, para së cilës, Ditën e Shlyerjes, kryeprifti spërkaste gjakun e flijimeve për mëkatin. Termi hebraik vjen nga rrënja e një foljeje që do të thotë «të mbulosh (mëkatin)» ose «të fshish (mëkatin)». Kapaku ishte krejtësisht prej ari dhe kishte dy kerubinë, një në secilën anë. Ndonjëherë quhej thjesht ‘kapaku’. (Eks 25:17-22; 1Kr 28:11; He 9:5)—Shih Shtojcën B5.
Kapitel.
Pjesa e sipërme e zbukuruar e një shtylle. Kapitele madhështore u vunë në majë të shtyllave binjake Jakin dhe Boaz, të cilat ndodheshin në pjesën e përparme të tempullit të Solomonit. (1Mb 7:16)—Shih Shtojcën B8.
Karkalec.
Lloj kandrre që shtegton në tufa. Karkalecat ishin ndër ushqimet e pastra nën Ligjin e Moisiut. Tufat e tyre të stërmëdha që përpijnë gjithçka u del përpara dhe sjellin shkatërrim katastrofik, konsideroheshin si plagë.—Eks 10:14; Mt 3:4.
Karrocë.
Mjet me dy rrota i tërhequr nga kuajt që përdorej kryesisht në luftë.—Eks 14:23; Gjy 4:13; Ve 8:28.
Kasi.
Produkt që vjen nga pema e kasisë-lëvore (Cinnamomum cassia), e cila bën pjesë në të njëjtën familje me pemën e kanellës. Kasia përdorej si parfum dhe si një nga përbërësit e vajit të shenjtë për mirosje.—Eks 30:24; Ps 45:8; Ezk 27:19.
Kemoshi.
Perëndia kryesor i moabitëve.—1Mb 11:33.
Kerubinë.
Engjëj të një rangu të lartë që kryejnë detyra të veçanta. Ata ndryshojnë nga serafinët.—Zn 3:24; Eks 25:20; Is 37:16; He 9:5.
Këngë e përvajshme.
Një kompozim, qoftë poezi, qoftë i shoqëruar me muzikë, që shpreh trishtim të thellë, siç është pikëllimi për vdekjen e një miku a një njeriu të shtrenjtë; vajtim.—2Sa 1:17; Ps 7:Mbishk.
Këngët e ngjitjeve.
Mbishkrimi i Psalmeve 120-134. Ndonëse për kuptimin e kësaj fraze ka ide të ndryshme, shumë mendojnë se këto 15 psalme i këndonin izraelitë të gëzuar teksa ‘ngjiteshin’ për të adhuruar në Jerusalem, i cili ndodhej lart në malet e Judës. Ata shkonin atje që të merrnin pjesë në tri festat e mëdha vjetore.
Kolonada e Solomonit.
Në tempullin e ditëve të Jezuit, një vendkalim me strehë që ndodhej në lindje të oborrit të jashtëm. Mendohej se ishte mbetje e tempullit të Solomonit. Në Bibël përmendet një rast ku Jezui kaloi atje ‘në dimër’, kurse për të krishterët e hershëm ishte vendtakim për të adhuruar. (Gjo 10:22, 23; Ve 5:12)—Shih Shtojcën B11.
Kolona e shenjtë.
Shtyllë vertikale zakonisht prej guri; me sa duket, simbol falik (organi gjinor mashkullor) që lidhej me adhurimin e Baalit ose të perëndive të tjera të rreme.—Eks 23:24.
Kombe.
Kongregacion.
Një grup njerëzish të mbledhur së bashku për një qëllim ose aktivitet të caktuar. Në Shkrimet Hebraike zakonisht i referohet kombit të Izraelit. Në Shkrimet e Krishtere Greke u referohet kongregacioneve specifike të të krishterëve, por më shpesh nënkupton kongregacionin e krishterë në përgjithësi.—1Mb 8:22; Ve 9:31; Ro 16:5.
Konkubinë.
Gruaja dytësore në një martesë poligame me të cilën martohej dikush, përveç gruas (ose grave) kryesore. Ajo nuk gëzonte të gjitha të drejtat e gruas kryesore dhe shpesh ishte skllave.—Eks 21:8; 2Sa 5:13; 1Mb 11:3.
Koral.
Substancë e fortë si gur, që formohet nga skeletet e kafshëve të vockla të detit. Në oqean gjendet në lloj-lloj ngjyrash, si: i kuq, i bardhë dhe i zi. Dikur, Deti i Kuq ishte i pasur me korale. Gjatë periudhës që u shkrua Bibla, korali i kuq çmohej tej mase dhe përdorej për të bërë rruaza e zbukurime të tjera.—Pr 8:11.
Kor.
Njësi matëse për lëndët e ngurta dhe për lëngjet; ishte 220 l, bazuar te vëllimi i një batoje. (1Mb 5:11)—Shih Shtojcën B14.
Kreu i priftërinjve.
Në Shkrimet Hebraike është një shprehje tjetër për emrin «kryeprift». Në Shkrimet e Krishtere Greke, shprehja «krerët e priftërinjve» me sa duket u referohet të parëve të priftërinjve, ku ndoshta përfshiheshin edhe priftërinjtë e hequr nga detyra dhe krerët e 24 ndarjeve të priftërisë.—2Kr 26:20; Ezd 7:5; Mt 2:4; Mr 8:31.
Krishterë (i, e).
Krishti.
Titulli i Jezuit; vjen nga fjala greke Khristós, që është ekuivalente e fjalës hebraike të përkthyer ‘Mesia’ ose «i Mirosuri».—Mt 1:16; Gjo 1:41, He 11:26.
Kryeengjëll.
Kryepërfaqësues.
Kryeprift.
Nën Ligjin e Moisiut ishte prifti kryesor që përfaqësonte popullin para Perëndisë dhe mbikëqyrte priftërinjtë e tjerë. Quhej edhe «kreu i priftërinjve». (2Kr 26:20; Ezd 7:5) Vetëm atij i lejohej të hynte në Më të Shenjtën, pra në ndarjen më të brendshme të tabernakullit dhe më vonë të tempullit. Këtë e bënte vetëm një herë në vit, Ditën e Shlyerjes. Termi «kryeprift» përdoret edhe për Jezu Krishtin.—Le 16:2, 17; 21:10; Mt 26:3; He 4:14.
Kunji.
Kurorëshkelje.
Marrëdhënie seksuale e vullnetshme e një burri a gruaje të martuar me dikë që nuk është bashkëshorti i vet.—Eks 20:14; Mt 5:27; 19:9.
Kurvëria.—
Shih IMORALITETI SEKSUAL.
Kut.
Njësi matëse lineare afërsisht sa gjatësia nga bërryli deri te maja e gishtit të mesit. Izraelitët zakonisht përdornin një kut prej 44,5 cm, por përdornin edhe një kut më të madh që ishte 4 gisht më i gjatë, rreth 51,8 cm. (Zn 6:15; Lu 12:25)—Shih Shtojcën B14.
L
Lajm i mirë.
Lebër; I lebrosur.
Lepton.
Monedha më e vogël judaike prej bakri ose prej bronzi në periudhën e Shkrimeve të Krishtere Greke. Në disa Bibla përkthehet «kuadran». Mr 12:42, shën.; Lu 21:2, shën.—Shih Shtojcën B14.
Leviathan.
Një kafshë që zakonisht përmendet bashkë me një vend ku ka ujë, me sa duket, kafshë ujore. Te Jobi 3:8 dhe 41:1, me sa duket i referohet krokodilit ose ndonjë kafshe tjetër ujore gjigante e me forcë të madhe. Te Psalmi 104:26 ky term mund të nënkuptojnë një lloj balene. Në raste të tjera përdoret në mënyrë të figurshme dhe nuk lidhet me ndonjë kafshë të veçantë.—Ps 74:14; Is 27:1.
Levi; Levit.
Djali i tretë i Jakobit që i lindi gruaja e tij, Lea; fisi që mbante emrin e tij. Tre djemtë e tij u bënë themeluesit e tri ndarjeve kryesore të levitëve. Ndonjëherë termi «levitë» i referohet gjithë fisit, por në përgjithësi nuk përfshihet familja priftërore e Aronit. Fisit të Levit nuk iu caktua pjesë në Tokën e Premtuar, por iu dhanë 48 qytete brenda kufijve të territorit që morën me short fiset e tjera.—Lp 10:8; 1Kr 6:1; He 7:11.
Lëmi; Shirja.
Vendi ku drithi ndahej nga kërcelli dhe nga byku; ky proces quhet shirje. Kjo punë bëhej me dorë me një shufër, ose për sasi më të mëdha, me pajisje të veçanta, si trinat shirëse ose rulat që tërhiqeshin nga kafshët. Këto pajisje kalonin mbi drithin e shpërndarë në lëmë. Lëmi zakonisht ishte një vend i sheshtë në formë rrethi në majë të ndonjë kodre ku frynte erë.—Le 26:5; Is 41:15; Mt 3:12.
Lëmoshë.
Dhurata që i jepen dikujt në nevojë. Nuk përmenden drejtpërdrejt Shkrimet Hebraike, por Ligji u jepte udhëzime specifike izraelitëve për detyrimet që kishin ndaj të varfërve.—Mt 6:2, shën.
Ligji i Moisiut.
Ligji.
Liqeni i zjarrtë.
Një vend simbolik që digjet «me zjarr dhe squfur»; përshkruhet edhe si ‘vdekja e dytë’. Në të hidhen mëkatarët e papenduar, Djalli, madje edhe vdekja e Varri (ose Hadesi). Fakti që në këtë liqen hidhen krijesa qiellore, vdekja dhe Hadesi, që nuk mund t’i djegë zjarri i mirëfilltë, tregon se ky liqen nuk simbolizon torturën e përhershme, por shkatërrimin e përhershëm.—Zb 19:20; 20:14, 15; 21:8.
Lirë (i, e); Libert.
Gjatë sundimit romak, njeri «i lirë» ishte ai që kishte lindur i tillë dhe gëzonte gjithë të drejtat e qytetarisë. Ndryshe nga kjo, një «libert» ishte një person i çliruar nga skllavëria. Një skllav që çlirohej zyrtarisht, fitonte qytetarinë romake, por nuk mund të zinte poste politike. Çlirimi jozyrtar e lironte nga skllavëria, por nuk i jepte të drejta civile të plota.—1Ko 7:22, shën.
Log.
Në Bibël, kjo është njësia më e vogël për lëngjet. Në Talmudin judaik përshkruhet si 1/12 e një hini, dhe në bazë të kësaj, një log ishte 0,31 l. (Le 14:10)—Shih Shtojcën B14.
M
Magjistratë.
Nën qeverinë babilonase, magjistratët ishin zyrtarë civilë të provincave që e njihnin ligjin dhe kishin njëfarë autoriteti gjyqësor. Në kolonitë romake, magjistratët civilë ishin administratorë të qeverisë. Detyrat e tyre përfshinin të ruanin rendin, të kontrollonin financat, të gjykonin shkelësit e ligjit dhe të urdhëronin e të ekzekutonin një ndëshkim.—Da 3:2; Ve 16:20.
Mahalath.
Me sa duket, term muzikor që gjendet te mbishkrimet e Psalmeve 53 dhe 88. Mund të lidhet me rrënjën e një fjale hebraike që do të thotë «të dobësohesh; të sëmuresh», duke nënkuptuar kështu një ton të trishtë e të zymtë që do të përshtatej me tekstin melankolik të të dyja këngëve.
Majá.
Një substancë që i shtohej brumit ose lëngjeve për t’u fermentuar; sidomos farë buke e marrë nga brumi tashmë i zënë. Në Bibël përdoret shpesh si simbol i mëkatit dhe i mbrapshtisë; përdoret edhe për të treguar se diçka përhapet pa rënë në sy.—Eks 12:20; Mt 13:33; Ga 5:9.
Malkami.
Mallkim.
Ta kërcënosh ose t’i urosh të ligën dikujt a diçkaje. Nuk duhet ngatërruar me të folurit e ndyrë ose me shpërthimet e zemërimit. Mallkimi shpesh është një shpallje formale e një urimi ose parashikimi për të ligën, dhe, kur bëhet nga Perëndia ose nga një individ i autorizuar, ka forcë dhe vlerë profetike.—Zn 12:3; Nu 22:12; Ga 3:10.
Manë.
Ushqimi kryesor i izraelitëve gjatë 40 vjetëve në shkretëtirë. Manën ua siguronte Jehovai me anë të një mrekullie. Çdo mëngjes, përveç Sabatit, ajo shfaqej në sipërfaqen e tokës, e mbuluar nga një shtresë vese. Kur e panë për herë të parë, izraelitët thanë «Ç’është kjo?» ose në hebraisht, «man hú?» (Eks 16:13-15, 35) Në kontekste të tjera quhet ‘gruri i qiellit’ (Ps 78:24), ‘buka e qiellit’ (Ps 105:40) dhe ‘buka e të fuqishmëve’ (Ps 78:25). Jezui e përdori manën edhe në gjuhë të figurshme.—Gjo 6:49, 50.
Maqedoni.
Rajon në veri të Greqisë që u bë i njohur nën sundimin e Aleksandrit të Madh; mbeti vend i pavarur deri sa e pushtuan romakët. Në kohën kur apostulli Pavël vizitoi për herë të parë Evropën, Maqedonia ishte provincë romake. Pavli e vizitoi tri herë. (Ve 16:9)—Shih Shtojcën B13.
Maskil.
Term hebraik që nuk i dihet me siguri kuptimi; gjendet në mbishkrimet e 13 psalmeve. Ka mundësi të ketë kuptimin «poezi që të zhyt në mendime». Sipas disave, kjo fjalë ngjan kuptimisht me një term që përkthehet «të shërbesh me maturi».—2Kr 30:22; Ps 32:Mbishk.
Masha.
Mjete prej ari, ka mundësi të ngjashme me pincat, që përdoreshin në tabernakull e në tempull për të shuar flakën e llambave.—Eks 37:23.
Mbajtëset e zjarrit.
Pajisje prej ari, prej argjendi ose prej bakri që përdoreshin në tabernakull dhe në tempull për të djegur temjan e për të hequr thëngjijtë nga altari i flijimeve dhe fitilat e djegur nga shandani prej ari. Quheshin edhe temjanica.—Eks 37:23; 2Kr 26:19; He 9:4.
Mbajtja e zisë; Vajtim.
Shprehje e hapur e pikëllimit për vdekjen e dikujt ose për një ngjarje shumë të rëndë. Gjatë periudhës që u shkrua Bibla, ishte zakon të mbaje zi për njëfarë kohe. Përveçse qanin me zë të lartë, vajtuesit vishnin rroba zie, hidhnin hi mbi kokë, grisnin rrobat dhe goditnin gjoksin. Ndonjëherë në varrime merrnin vajtues me pagesë.—Zn 23:2; Es 4:3; Zb 21:4.
Mbikëqyrës.
Një burrë që ka si përgjegjësi kryesore të kujdeset dhe të kullotë kongregacionin. Ideja bazë që përcjell fjala greke epískopos, është ajo e mbikëqyrjes me qëllimin për të mbrojtur. Termat «mbikëqyrës» dhe «plak» (presbýteros) i referohen të njëjtit rol në kongregacionin e krishterë. Fjala «plak» thekson pjekurinë e atij që emërohet si i tillë, kurse fjala «mbikëqyrës» thekson detyrat që përfshin ky caktim.—Ve 20:28; 1Ti 3:2-7; 1Pj 5:1, 2.
Mbishkrim.
Mbledhja e prodhimit të mbetur.
Mbledhja e çfarëdo pjese të të korrave që korrësit linin pas me dashje ose pa dashje. Ligji i Moisiut i udhëzonte njerëzit që të mos i korrnin arat e tyre plotësisht deri në cep e as të mos i vilnin të gjithë ullinjtë ose rrushin. Të drejtën për të mbledhur prodhimin e mbetur nga të korrat, Perëndia ua kishte dhënë të varfërve, të munduarve, banorëve të ardhur, fëmijëve pa baballarë dhe vejushave.—Ru 2:7.
Mbretëresha e Qiejve.
Titulli i një perëndeshe që adhuronin izraelitët apostatë në ditët e Jeremisë. Disa janë të mendimit se bëhet fjalë për perëndeshën babilonase Ishtar (Astarta). Më përpara, në Sumer ajo quhej Inana, që do të thotë «Mbretëresha e Qiejve». Përveçse konsiderohej si perëndeshë e qiejve, ishte edhe perëndeshë e pjellorisë. Në një mbishkrim egjiptian, Astarta quhej edhe «Zonja e Qiejve».—Jr 44:19.
Mbretëria e Perëndisë.
Medë; Medi.
Popull me prejardhje nga Madai, biri i Jafetit; ata u vendosën me banim në rrafshnaltën iraniane që u bë vendi i Medisë. Medët u bashkuan me Babiloninë për të mposhtur Asirinë. Në atë kohë, Persia ishte provincë e Medisë, por Kiri u revoltua dhe Media u bashkua me Persinë që të formohej Perandoria Medo-Perse, e cila mposhti Perandorinë Neo-Babilonase në vitin 539 p.e.s. Gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., në Jerusalem ndodheshin disa medë. (Dn 5:28, 31; Ve 2:9)—Shih Shtojcën B9.
Medium.
Dikush që pohon se flet me të vdekurit.—Le 20:27; Lp 18:10-12; 2Mb 21:6.
Merodaku.
Perëndia kryesor i qytetit të Babilonisë. Pasi mbreti dhe ligjdhënësi Hamurab e bëri Babiloninë kryeqytet të Babilonisë, Merodaku (ose Marduku) u bë gjithnjë e më i rëndësishëm. Me kohë, ai zëvendësoi shumë nga perënditë e mëparshme e u bë perëndia kryesor i panteonit babilonas. Në periudhat e mëvonshme, emri Merodak (ose Marduk) u zëvendësua nga titulli «Belu» («Pronar»), por zakonisht njerëzit e quanin Bel.—Jr 50:2.
Mesia.
Më e Shenjta.
Dhoma më e brendshme e tabernakullit dhe e tempullit, ku mbahej arka e besëlidhjes; quhej edhe E Shenjta e të Shenjtave. Sipas Ligjit të Moisiut, i vetmi person që lejohej të hynte te Më e Shenjta, ishte kryeprifti, i cili mund ta bënte këtë vetëm një herë në vit, Ditën e Shlyerjes.—Eks 26:33; Le 16:2, 17; 1Mb 6:16; He 9:3.
Mërgim.
Dëbimi i dikujt nga vendi a nga shtëpia e vet, shpesh me urdhër të pushtuesve. Fjala hebraike ka kuptimin «largim». Izraelitët përjetuan dy mërgime kryesore. Mbretërinë veriore dhjetëfisëshe e çuan në mërgim asirianët, dhe më vonë mbretërinë jugore dyfisëshe e çuan në mërgim babilonasit. Një mbetje nga të dy grupet e mërguara u rikthye në vendin e vet me urdhër të Kirit, sundimtarit pers.—2Mb 17:6; 24:16; Ezd 6:21.
Miktam.
Milje.
Njësi e matjes së distancës; përmendet vetëm një herë në tekstin origjinal të Shkrimeve të Krishtere Greke, te Mateu 5:41 (shih shënimin), ku me sa duket i referohet miljes romake që ishte 1.479,5 m.—Shih Shtojcën B14.
Milkomi.
Perëndi që e adhuronin amonitët; ka të ngjarë një emër tjetër për Molekun. (1Mb 11:5, 7) Nga fundi i mbretërimit, Solomoni ndërtoi vende të larta për këtë perëndi të rremë.—Shih MOLEKU.
Minë.
Te libri i Ezekielit quhet edhe maneh; njësi peshe dhe monetare. Sipas dëshmive arkeologjike, një minë ishte baras me 50 sikla dhe një sikël peshonte 11,4 g, prandaj mina që përmendet në Shkrimet Hebraike, peshonte 570 g. Mund të ketë ekzistuar edhe një minë mbretërore, siç ekzistonte edhe një kut mbretëror. Në Shkrimet e Krishtere Greke, një minë ishte baras me 100 drahma. Ajo peshonte 340 g. Gjashtëdhjetë mina ishin baras me një talentë. (Ezd 2:69; Lu 19:13)—Shih Shtojcën B14.
Mirësia e pamerituar.
Përkthimi i një fjale greke që në thelb përcjell idenë e diçkaje të pëlqyeshme dhe të këndshme. Shpesh kjo shprehje i referohet një dhurate bujare ose mënyrës së dashur si jepet ajo. Kur i referohet mirësisë së pamerituar të Perëndisë, kjo fjalë përshkruan një dhuratë që Perëndia e jep bujarisht, pa pritur që t’i kthehet. Pra, është shprehje e bujarisë pa kursim, e dashurisë së madhe dhe e zemërmirësisë së Perëndisë ndaj njerëzve. Termi grek përkthehet edhe ‘hir’ dhe ‘dhuratë bujare’. Ajo i tregohet dikujt ndonëse nuk e ka fituar dhe nuk e ka merituar, pra, jepet vetëm falë bujarisë së dhënësit.—2Ko 6:1; Ef 1:7.
Miros.
Kjo fjalë në hebraisht në thelb do të thotë «të lyesh me lëng». Mbi një individ ose mbi një objekt derdhej vaj si simbol i kushtimit ndaj një shërbimi të veçantë. Në Shkrimet e Krishtere Greke kjo fjalë përdoret edhe për derdhjen e frymës së shenjtë mbi ata që zgjidhen për shpresën qiellore.—Eks 28:41; 1Sa 16:13; 2Ko 1:21.
Mirrë.
Rrëshirë aromatike që nxirret nga një shumëllojshmëri shkurresh gjembore ose pemësh të vogla të gjinisë Commiphora. Mirra ishte një nga përbërësit e vajit të shenjtë të mirosjes. Përdorej për të parfumuar rrobat ose shtretërit, dhe u shtohej vajrave të masazhit e kremrave të trupit. Mirra përdorej edhe për të bërë gati kufomat për varrim.—Eks 30:23; Pr 7:17; Gjo 19:39.
Mish.
Në Bibël, ky term përdoret në kuptimin e mirëfilltë për mishin e njerëzve ose të kafshëve, por shpesh përdoret edhe në mënyrë të figurshme. Prandaj, termat e gjuhës origjinale janë përkthyer jo vetëm «mish», por edhe ‘njeri’, ‘trup’, ‘dëshira mëkatare’ dhe ‘natyrë e papërsosur njerëzore’.—Zn 6:12; Ve 2:31; Mt 24:22; Ga 5:13; Ro 6:19.
Mjeshtri i korit.
Siç përdoret te Psalmet, ky term hebraik duket se i referohet dikujt që në njëfarë mënyre përpunonte këngët dhe drejtonte mënyrën si këndoheshin ato, stërviste këngëtarët levitë dhe bënte prova me ta, e madje dirigjonte shfaqje zyrtare. Versione të tjera të këtij termi janë ‘i pari muzikant’ ose «dirigjent».—Ps 4:Mbishk.; 5:Mbishk.
Moleku.
Moloku.—
Shih MOLEKU.
Mrekulli; Vepra të fuqishme.
Vepra ose fenomene të jashtëzakonshme nga një burim a forcë e mbinatyrshme. Shprehje të tilla, si ‘shenja’ dhe ‘çudira’ përdoren në Bibël si sinonime të këtij termi.—Eks 4:21; Ve 4:22; He 2:4.
Murtajë.
Çdo lloj sëmundjeje infektive që përhapet me shpejtësi dhe që mund të arrijë përmasa epidemike e të shkaktojë vdekje. Shpesh ky term lidhet me ekzekutimin e gjykimit nga Perëndia.—Nu 14:12; Ezk 38:22, 23; Am 4:10.
Muth-laben.
Term që gjendet te mbishkrimi i Psalmit 9. Në përgjithësi mendohej se kishte kuptimin «për vdekjen e të birit». Sipas disave, ishte emri ose fjalët hapëse të një melodie të njohur, që duhej përdorur kur këndohej ky psalm.
N
Nard.
Vaj i parfumuar e me ngjyrë të kuqe të hapur; është i kushtueshëm e nxirret nga një bimë aromatike (Nardostachys jatamansi ). Ngaqë ishte shumë i shtrenjtë, shpesh e përzienin me vajra më pak cilësorë, dhe nganjëherë e zëvendësonin me një substancë krejt tjetër. Ia vlen të përmendet se Gjoni dhe Marku tregojnë se vaji që u përdor për Jezuin, ishte ‘nard i pastër’.—Mr 14:3; Gjo 12:3.
Nazareas.
Emër me të cilin thirrej Jezui, meqë ishte nga qyteti i Nazaretit. Ka të ngjarë që ky term të ketë lidhje me fjalën hebraike «filiz», që përdoret tek Isaia 11:1. Më vonë termi ‘nazareas’ u përdor edhe për dishepujt e Jezuit.—Mt 2:23; Ve 24:5.
Nazire.
Term që vjen nga fjala hebraike që ka kuptimin «i zgjedhur», «i kushtuar», «i ndarë veç». Kishte dy grupe nazirejsh: ata që zgjidhnin me dëshirë të bëheshin nazirej dhe ata që emëroheshin nga Perëndia. Një burrë a grua mund t’i bënte një zotim të veçantë Jehovait, që të jetonte si nazire për njëfarë kohe. Ata që zgjidhnin vetë të ishin nazirej, kishin tri kufizime kryesore: s’duhej të pinin asnjë pije alkoolike a të hanin ndonjë prodhim nga hardhia, s’duhej t’i pritnin flokët dhe s’duhej të preknin asnjë të vdekur. Ata që emëronte Perëndia, mbeteshin nazirej gjithë jetën, dhe kërkesat për ta i përcaktonte vetë Jehovai.—Nu 6:2-7; Gjy 13:5.
Ndërmjetës.
Nefilimë.
Bijtë hibridë që lindën nga marrëdhëniet e engjëjve të materializuar me bijat e njerëzve, para Përmbytjes; njiheshin si të dhunshëm.—Zn 6:4.
Nehiloth.
Term që del në mbishkrimin e Psalmit 5 dhe që nuk i dihet me siguri domethënia. Disa mendojnë se i referohet një instrumenti frymor, duke e lidhur me rrënjën e një fjale hebraike, halíl (fyell). Megjithatë, ky term mund të përcaktojë një melodi.
Nethinimë.
Shërbëtorë joizraelitë të tempullit. Fjalë për fjalë, termi hebraik do të thotë «të dhuruarit», dhe nënkupton se ata ishin dhuruar për të shërbyer në tempull. Ka të ngjarë që shumë nethinimë të ishin pasardhës të gibeonitëve, të cilët Josiu i caktoi «të mblidhnin dru e të nxirrnin ujë për asamblenë dhe për altarin e Jehovait».—Js 9:23, 27; 1Kr 9:2; Ezd 8:17.
Nisan.
Emri i ri për muajin abib, muaji i parë i kalendarit të shenjtë judaik dhe muaji i 7-të i kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Fillonte në mes të marsit dhe mbaronte në mes të prillit. (Ne 2:1)—Shih Shtojcën B15.
O
Oborr.
Hapësira e rrethuar përreth tabernakullit; më vonë një zonë përqark ndërtesës kryesore të tempullit, e rrethuar me mur. Në oborrin e tabernakullit dhe në oborrin e brendshëm të tempullit ndodhej altari i blatimeve të djegura. (Shih Shtojcat B5, B8, B11.) Bibla përmend edhe oborret e shtëpive dhe të pallateve mbretërore.—Eks 8:13; 27:9; 1Mb 7:12; Es 4:11; Mt 26:3.
Omer.
Njësi matëse për lëndët e ngurta, e barabartë me 2,2 l, ose me një të dhjetën e një efe. (Eks 16:16, 18)—Shih Shtojcën B14.
Oniks.
Gur gjysmë i çmuar; një lloj agati i fortë ose kalcedoni vija-vija. Oniksi ka shtresa të bardha të ndërthurura me shtresa me ngjyrë të zezë, kafe, të kuqe, gri ose të gjelbër. Përdorej në rrobat e veçanta të kryepriftit.—Eks 28:9, 12; 1Kr 29:2; Jb 28:16.
P
Pagëzimi; Të pagëzosh.
Folja do të thotë «të zhytësh» ose të futësh nën ujë. Jezui e caktoi pagëzimin si një kërkesë për dishepujt e tij. Mes të tjerave, Shkrimet i referohen edhe pagëzimit të Gjonit, pagëzimit me frymë të shenjtë dhe pagëzimit me zjarr.—Mt 3:11, 16; 28:19; Gjo 3:23; 1Pj 3:21.
Pajtimi.—
Shih SHLYERJE.
Pa majá.
Papastërti.
Papirus.
Bimë ujore në formë kallami që përdorej për të bërë gjëra të tilla, si: shporta, enë dhe varka. Përdorej edhe për të bërë njëfarë materiali që shërbente si letër. Shumë rrotulla ishin prej papirusi.—Eks 2:3.
Parajsë.
Një park i bukur ose një kopsht si park. Parajsa e parë ishte Edeni, të cilin Jehovai e bëri për çiftin e parë njerëzor. Teksa ishte në shtyllën e torturës, Jezui i tregoi njërit prej kriminelëve që ishin vënë pranë tij, se e gjithë toka do të bëhej parajsë. Te 2 Korintasve 12:4, kjo fjalë, me sa duket, i referohet një parajse të ardhshme, kurse te Zbulesa 2:7, një parajse qiellore.—Kng 4:13; Lu 23:43.
Paranjohje.
Përkthimi i fjalës greke prógnosis (nga pro, që do të thotë «para», dhe gnósis, që do të thotë «njohuri»). (Ve 2:23; 1Pj 1:2) Paranjohje do të thotë të kesh njohuri për diçka para se ajo të ndodhë ose të ekzistojë. Në Bibël lidhet kryesisht, por jo gjithmonë, me Perëndinë Jehova, Krijuesin, dhe me qëllimet e tij.
Parashikues fati.
Parashikues.
Njeri të cilit Perëndia i jepte aftësinë për të dalluar vullnetin e Tij; Perëndia i hapte sytë për të parë ose për të kuptuar gjëra të padukshme për njerëzimin në përgjithësi. Fjala hebraike vjen nga një term që do të thotë «të shohësh», si në kuptimin e mirëfilltë ashtu edhe në atë të figurshëm. Kush kishte ndonjë problem, konsultohej me parashikuesin për të marrë këshilla të mençura.—1Sa 9:9.
Parëlindur (i).
Kryesisht biri i madh i të atit (jo i parëlinduri i nënës). Në kohët për të cilat flet Bibla, i parëlinduri gëzonte vend të nderuar në familje dhe, me vdekjen e të atit, bëhej kreu i shtëpisë. Ky term i referohet edhe të voglit të parë të kafshëve, që ndonjëherë quhej ‘pjellë e parë’.—Eks 11:5; 13:12; Zn 25:33; Kl 1:15.
Pastërti.
Në Bibël, kjo fjalë nuk i referohet vetëm pastërtisë fizike. Do të thotë edhe që ta mbash a ta rikthesh në një gjendje të panjollë, të patëmetë dhe pa asnjë gjë që e ndot, e përdhos ose e prish pastërtinë morale dhe marrëdhënien me Jehovain. Nën Ligjin e Moisiut kjo fjalë nënkuptonte të ishe i pastër nga ana ceremoniale.—Le 10:10; Ps 51:7; Mt 8:2; 1Ko 6:11.
Pash detar.
Njësi matëse lineare për të matur thellësinë e ujit, e barabartë me 1,8 m. (Ve 27:28)—Shih Shtojcën B14.
Pektoral.
Pëlhura e palosur më dysh, me gurë të çmuar të mbërthyer në fole, që e mbante mbi zemër kryeprifti i Izraelit çdo herë që hynte tek e Shenjta. Ai quhej ‘pektorali i gjykimit’, sepse në të mbahej Urimi dhe Thumimi, të cilët përdoreshin kur tregoheshin gjykimet e Jehovait. (Eks 28:15-30)—Shih Shtojcën B5.
Pelin.
Bimë barishtore shumë e hidhur dhe me aromë të fortë. Në Bibël, pelini përdoret në mënyrë të figurshme për të përshkruar pasojat e hidhura të imoralitetit, të skllavërisë, të padrejtësisë dhe të apostazisë. Te Zbulesa 8:11, fjala «pelin» nënkupton një substancë të hidhur e helmuese.—Lp 29:18; Pr 5:4; Jr 9:15; Am 5:7.
Pema e jetës.
Pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.
Pendim.
Peng.
Send personal që një borxhli ia jepte huadhënësit si garanci se do t’ia kthente borxhin në të ardhmen; quhej edhe garanci. Ligji i Moisiut përmbante disa kushte për pengjet që mbronin interesat e të varfërve dhe të individëve të pambrojtur të kombit.—Eks 22:26; Ezk 18:7.
Perde.
Pëlhura e endur bukur dhe e qëndisur me figura kerubinësh që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta, si në tabernakull edhe në tempull. (Eks 26:31; 2Kr 3:14; Mt 27:51; He 9:3)—Shih Shtojcën B5.
Perëndia i vërtetë.
Përkthimi i dy shprehjeve hebraike, Ha-Elohim dhe Ha-El, që përmbajnë nyjën shquese ha. Në shumë raste këto, shprehje hebraike shërbejnë për ta dalluar Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë në kontrast me perënditë e rreme. Përkthimi «Perëndia i vërtetë» e përcjell me saktësi kuptimin e plotë të shprehjeve hebraike në kontekste të tilla.—Zn 5:22, 24; 46:3; Lp 4:39.
Pergamenë.
Lëkura e përpunuar e deleve, e dhive ose e viçave që përdorej si material për të shkruar. Nuk prishej aq shpejt sa papirusi, dhe u përdor për të bërë rrotullat e Biblës. Me sa duket, pergamenat që Pavli i kërkoi Timoteut t’ia sillte, ishin pjesë e Shkrimeve Hebraike. Disa nga Rrotullat e Detit të Vdekur, ishin prej pergamene.—2Ti 4:13.
Persi; Persë.
Vendi dhe populli i cili zakonisht përmendet bashkë me medët; me sa duket, ky popull kishte edhe lidhje gjaku me ta. Gjatë historisë së tyre të hershme, persët zotëronin vetëm pjesën jugperëndimore të rrafshnaltës iraniane. Nën sundimin e Kirit të Madh (i cili, sipas disa historianëve të lashtë, kishte baba pers dhe nënë mede), persët u bënë më të fortë se medët, ndonëse perandoria vazhdoi të ishte dualiste. Kiri e pushtoi Perandorinë Babilonase në vitin 539 p.e.s. dhe i lejoi të mërguarit judenj të ktheheshin në vendin e tyre. Perandoria Perse shtrihej nga lumi Ind në lindje deri në detin Egje në perëndim. Judenjtë ishin nën sundimin pers derisa Aleksandri i Madh i mundi persët në vitin 331 p.e.s. Danieli e pa Perandorinë Perse në një vegim profetik, dhe për të lexojmë në librat e Ezdrës, të Nehemisë dhe të Esterës. (Ezd 1:1; Dn 5:28)—Shih Shtojcën B9.
Pëllëmbë.
Njësi matëse për gjatësinë, afërsisht sa distanca nga maja e gishtit të madh të dorës deri në majën e gishtit të vogël kur dora është plotësisht e hapur. Bazuar në një kut prej 44,5 cm, një pëllëmbë mund të jetë 22,2 cm e gjatë. (Eks 28:16; 1Sa 17:4)—Shih Shtojcën B14.
Përfundimi i sistemit.
Periudha që çon në përfundimin e sistemit ose të gjendjes botërore ku sundon Satanai. Kjo periudhë është paralele me praninë e Krishtit. Nën drejtimin e Jezuit, engjëjt ‘do t’i ndajnë të ligjtë nga të drejtët’ dhe do t’i shkatërrojnë. (Mt 13:40-42, 49) Dishepujt e Jezuit donin të dinin se kur do të vinte ky ‘përfundim’. (Mt 24:3) Para se të kthehej në qiell, Jezui u premtoi dishepujve se do të ishte me ta «deri në përfundimin e sistemit».—Mt 28:20.
Përkrahësit e partisë së Herodit.
Njihen edhe si herodianët. Ishin anëtarë të një partie nacionaliste që mbështeste synimet politike të dinastisë së Herodëve gjatë sundimit të tyre nën pushtetin e Romës. Me sa duket, kësaj partie i përkitnin edhe disa saducenj. Herodianët u bashkuan me farisenjtë kundër Jezuit.—Mr 3:6.
Përkushtimi ndaj Perëndisë.
Pim.
Njësi matëse për peshën, si edhe çmimi i vënë nga filistinët për të mprehur vegla pune prej metali. Në disa gurë peshe të gjetur në gërmimet arkeologjike në Izrael ishin skalitur bashkëtingëlloret e fjalës «pim» në hebraishten e lashtë; pesha e tyre mesatare është 7,8 g, afërsisht sa dy të tretat e një sikle.—1Sa 13:20, 21.
Plaçkë.
Plagë.
Në Shkrimet Hebraike, ky term zakonisht i referohet një sëmundjeje, një epidemie ose një të keqeje të madhe të dërguar nga Perëndia si ndëshkim.—Nu 16:49
Plak; Burrë i moshuar.
Burrë në njëfarë moshe; në Shkrime fjala «plak» i referohet dikujt që zakonisht ka njëfarë autoriteti dhe përgjegjësie në komunitet ose në komb. Kjo fjalë përdoret edhe për krijesat qiellore në librin e Zbulesës. Fjala greke presbýteros është përkthyer ‘plak’ kur u referohet atyre që marrin drejtimin në kongregacion.—Eks 4:29; Pr 31:23; 1Ti 5:17; Zb 4:4.
Poçar.
Porneia.—
Shih IMORALITETI SEKSUAL.
Prania.
Në disa kontekste në Shkrimet e Krishtere Greke, kjo fjalë përshkruan praninë mbretërore të Jezu Krishtit nga koha e kurorëzimit të tij të padukshëm si Mbret Mesianik deri në ditët e fundit të sistemit të tanishëm. Prania e Krishtit nuk është thjesht një ardhje e një ikje e menjëhershme, përkundrazi, zgjat për një periudhë kohe të caktuar.—Mt 24:3.
Prefekt.
Prift.
Një burrë që përfaqësonte zyrtarisht Perëndinë para popullit që i shërbente, duke e mësuar për Perëndinë dhe për ligjet e tij. Priftërinjtë përfaqësonin edhe popullin para Perëndisë, duke ofruar flijime dhe duke ndërmjetësuar e duke u përgjëruar për ta. Para se të themelohej Ligji i Moisiut, kryefamiljari shërbente si prift i familjes. Nën Ligjin e Moisiut, priftëria përbëhej nga meshkujt e familjes së Aronit, që ishte nga fisi i Levit. Pjesa tjetër e meshkujve levitë, shërbenin si ndihmës të tyre. Kur hyri në fuqi besëlidhja e re, Izraeli i Perëndisë u bë komb priftërinjsh me Kryeprift Jezu Krishtin.—Eks 28:41; He 9:24; Zb 5:10.
Profeci.
Mesazh i frymëzuar nga Perëndia, i cili zbulon ose shpall vullnetin e Tij. Profecia mund të jetë një mësim moral i frymëzuar, një shpallje e urdhërimit ose e gjykimit të Perëndisë, ose e diçkaje që do të ndodhë në të ardhmen.—Ezk 37:9, 10; Dn 9:24; Mt 13:14; 2Pj 1:20, 21.
Profet.
Prokonsull.
Prostitutë.
Dikush që ofron shërbime me natyrë seksuale jashtë martese, sidomos për para. (Fjala greke e përkthyer «prostitutë», porné, vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të shesësh».) Ky term zakonisht u referohet femrave, ndonëse në Bibël përmenden edhe prostitutat-meshkuj. Prostitucioni dënohej në Ligjin e Moisiut, dhe paga e një prostitute nuk pranohej si kontribut për shenjtëroren e Jehovait. Kjo ishte në kontrast me zakonin pagan, me anë të të cilit nxirreshin fitime nga prostitutat e tempullit. (Lp 23:17, 18; 1Mb 14:24) Bibla e përdor këtë term edhe në kuptimin e figurshëm kur u referohet popujve, kombeve ose organizatave që merren me idhujtari, ndërkohë që pretendojnë se janë adhurues të Perëndisë. Për shembull, te libri i Zbulesës «Babilonia e Madhe», që përfshin të gjitha fetë e rreme, përshkruhet si prostitutë, sepse ka lidhje «intime» me qeveritarët e kësaj bote, që të ketë pushtet e fitim material.—Zb 17:1-5; 18:3; 1Kr 5:25.
Proverb.
Thënie e mençur ose tregim i shkurtër që përmban një mësim ose shpreh një të vërtetë të thellë me shumë pak fjalë. Ndonjëherë proverbat që gjejmë në Bibël, mund të jenë shprehje enigmatike ose gjëegjëza. Ato i shpjegojnë të vërtetat me një gjuhë të gjallë dhe shpesh metaforike. Disa proverba u bënë shprehje shumë të njohura talljeje ose përbuzjeje.—Ek 12:9; 2Pj 2:22.
Prozelit.
Psalme.
Purimi.
Festë vjetore që mbahej më 14 dhe 15 adar, për të kujtuar shpëtimin e judenjve nga masakra në kohën e mbretëreshës Ester. Fjala johebraike purim do të thotë «short». Festa e Purimit ose Festa e Shortit, e mori këtë emër nga veprimi i Hamanit kur hodhi Purin (domethënë shortin) për të caktuar ditën që do të vihej në jetë komploti për masakrën e judenjve.—Es 3:7; 9:26.
Purpurt (e, i).
Kjo ngjyrë përmendet shpesh në Shkrime, ndonëse nuk bëhet dallimi mes nuancave të shumta që prodhohen nga pigmentet ose nga metodat e shumta të ngjyrosjes; ky spektër nuancash përfshin të kuqen e thellë deri te ngjyra e zymbylit. (Eks 25:4; Mr 15:17, 20; Zb 17:4) Kostoja për të përftuar këtë ngjyrë ishte shumë e lartë, ja pse shpesh ajo lidhet me pasuritë, me nderin dhe me madhështinë mbretërore ose i simbolizon ato.
Q
Qytetet e strehimit.
Qytete levite ku mund të kërkonte mbrojtje nga gjakmarrësi ai që shkaktonte vdekjen e dikujt, pa dashje. Nën drejtimin e Jehovait, Moisiu, dhe më pas Josiu, caktuan gjashtë qytete të tilla në pika të ndryshme anekënd Tokës së Premtuar. Me të mbërritur në një qytet strehimi, i arratisuri ua parashtronte çështjen pleqve në portën e qytetit dhe më pas mikpritej. Që një vrasës keqdashës të mos përfitonte nga kjo masë, i arratisuri që kërkonte strehim, duhej t’i nënshtrohej një gjyqi në qytetin ku kishte ndodhur vdekja, për të vërtetuar pafajësinë. Nëse dilte i pafajshëm, e kthenin në qytetin e strehimit dhe duhej të qëndronte brenda kufijve të tij tërë jetën ose derisa të vdiste kryeprifti.—Nu 35:6, 11-15, 22-29; Js 20:2-8.
Qyteti i Davidit.
Emri që iu vu qytetit të Jebusit pasi Davidi e pushtoi dhe ndërtoi atje pallatin e tij mbretëror. Quhet edhe Sion. Është zona juglindore e Jerusalemit si dhe pjesa e tij më e vjetër.—2Sa 5:7; 1Kr 11:4, 5.
R
Rahabë.
Shprehje e përdorur në mënyrë simbolike në librat e Jobit, të Psalmeve dhe të Isaisë (nuk duhet ngatërruar me Rahabën, gruan që përmendet në librin e Josiut). Konteksti në librin e Jobit na ndihmon ta identifikojmë Rahabën si një përbindësh deti; në kontekste të tjera, ky përbindësh deti është përdorur si simbol për Egjiptin.—Jb 9:13; Ps 87:4; Is 30:7; 51:9, 10.
Riblerës.
Një i afërm që kishte të drejtën e riblerjes. Nën Ligjin e Moisiut, kur një izraelit ishte në hall, një i afërm i ngushtë kishte të drejtën ose detyrimin ta ndihmonte. Për shembull, nëse dikush e kishte shitur veten si skllav, riblerësi mund ta shpengonte nga skllavëria. Gjithashtu, ai mund ta blinte sërish pronën a trashëgiminë që i afërmi i tij e kishte humbur për shkak të rrethanave ekonomike. (Le 25:25-27, 47-54) Ky term lidhet edhe me zakonin e martesës me të venë e një të afërmi, për t’i lënë pasardhës.—Ru 4:7-10. Shih DETYRA QË I TAKON KUNATIT.
Ringjallje.
Ardhja sërish në jetë e dikujt që ka vdekur. Fjala greke anástasis fjalë për fjalë do të thotë «të ngrihesh; të çohesh në këmbë». Në Bibël janë përmendur nëntë ringjallje, ku përfshihet edhe ringjallja e Jezuit nga Perëndia Jehova. Edhe pse ringjalljet e tjera janë bërë nëpërmjet Elijas, Eliseut, Jezuit, Pjetrit dhe Pavlit, është e qartë se këto mrekulli u kryen falë fuqisë së Perëndisë. Ringjallja në tokë ‘e të drejtëve dhe e të padrejtëve’ është pjesë thelbësore e qëllimit të Perëndisë. (Ve 24:15) Bibla përmend edhe një ringjallje në qiell, që quhet ‘ringjallja e parë’ dhe përfshin vëllezërit e mirosur të Jezuit.—Fi 3:11; Zb 20:5, 6; Gjo 5:28, 29; 11:25.
Rojë.
Dikush që ruan njerëzit ose pronën nga rreziku i mundshëm, shpesh gjatë natës, dhe i bie alarmit kur nuhat rrezikun. Shpesh rojat caktoheshin të zinin vend në muret e qytetit dhe në kulla, që të vëzhgonin ata që afroheshin, para se të arrinin në qytet. Në kuptimin e figurshëm, profetët shërbenin si roja për kombin e Izraelit, duke paralajmëruar shkatërrimin që kanosej.—2Mb 9:20; Ezk 3:17.
RR
Rrethprerje.
Heqja e mishit të lafshës së organit mashkullor. Rrethprerja u bë e detyrueshme për Abrahamin dhe për pasardhësit e tij, por nuk është kërkesë për të krishterët. Përdoret në mënyrë të figurshme edhe në kontekste të tjera.—Zn 17:10; 1Ko 7:19; Fi 3:3.
Rrotull.
Një fletë e gjatë prej pergamene ose prej papirusi, e shkruar nga njëra anë, e cila zakonisht mbështillej rreth një shkopi. Shkrimet ishin të shkruara dhe të kopjuara në rrotulla, forma e zakonshme e librave në periudhën kur u shkrua Bibla.—Jr 36:4, 18, 23; Lu 4:17-20; 2Ti 4:13.
S
Sabat.
Vjen nga fjala hebraike që do të thotë «të pushosh; të ndalësh». Është dita e shtatë e javës judaike (fillon të premten në perëndim të diellit dhe zgjat deri të shtunën në perëndim të diellit). Sabat quhen edhe disa ditë të tjera festash gjatë vitit, si edhe viti i 7-të dhe i 50-të. Ditën e Sabatit nuk duhej bërë asnjë punë, përveç shërbimit që bënin priftërinjtë në shenjtërore. Gjatë viteve të Sabatit, toka nuk duhej punuar dhe izraelitët nuk duhej të detyronin njëri-tjetrin të paguanin borxhet. Kufizimet për Sabatin ishin të arsyeshme nën Ligjin e Moisiut, por krerët fetarë avash-avash shtuan edhe kufizime të tjera, saqë në ditët e Jezuit njerëzit e kishin të vështirë t’i mbanin.—Eks 20:8; Le 25:4; Lu 13:14-16; Kl 2:16.
Saducenj.
Sekt fetar i rëndësishëm i judaizmit që përbëhej nga aristokratë të pasur dhe nga priftërinj që ushtronin shumë autoritet mbi aktivitetet në tempull. Ata nuk i pranonin traditat gojore të pafundme të farisenjve, si edhe disa doktrina të tyre. Nuk besonin te ringjallja ose tek ekzistenca e engjëjve dhe ishin kundërshtarë të Jezuit.—Mt 16:1; Ve 23:8.
Samari.
Për rreth 200 vjet ishte kryeqyteti i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit; ky emër përdorej edhe për gjithë territorin e kësaj mbretërie. Qyteti u ndërtua në malin me të njëjtin emër. Në kohën e Jezuit, krahina që ndodhej midis Galilesë në veri dhe Judesë në jug, quhej Samaria. Në përgjithësi, Jezui nuk predikoi atje gjatë shërbimit të tij, por herë pas here kur kalonte përmes saj, u predikonte banorëve të zonës. Pjetri përdori çelësin e dytë simbolik të Mbretërisë kur mbi samaritanët u derdh fryma e shenjtë. (1Mb 16:24; Gjo 4:7; Ve 8:14)—Shih Shtojcën B10.
Samaritanë.
Fillimisht ky term u referohej izraelitëve të mbretërisë veriore dhjetëfisëshe, por pas pushtimit të Samarisë nga asirianët në vitin 740 p.e.s., përdorej edhe për të huajt që asirianët i shpërngulën atje. Në kohën e Jezuit, zakonisht ky term nuk lidhej me prejardhjen etnike ose me ndarjet politike, por u referohej atyre që i përkitnin sektit fetar në zonën e Sikemit të lashtë dhe të Samarisë. Ndjekësit e këtij sekti kishin disa bindje krejt të ndryshme nga ato të judaizmit.—Gjo 8:48.
Satana.
Satrap.
Mëkëmbës ose guvernator i një province në perandoritë babilonase ose perse, që mbreti e caktonte si sundimtar të asaj province.—Ezd 8:36; Dn 6:1.
Sea.
Njësi matëse për lëndët e ngurta. Sipas vëllimit në bato, njësia matëse për lëngjet, një sea do të ishte 7,33 l. (2Mb 7:1)—Shih Shtojcën B14.
Sekreti i shenjtë.
Sekt.
Grup njerëzish që ndjekin një doktrinë ose një udhëheqës dhe kanë bindjet e veta. Dy degët kryesore të judaizmit, farisenjtë dhe saducenjtë, quheshin «sekte». Ata që s’ishin të krishterë, e quanin krishterimin ‘sekt’ ose ‘sekti i nazareasve’, ndoshta ngaqë e konsideronin si devijim nga judaizmi. Me kalimin e kohës, edhe brenda kongregacionit të krishterë u formuan sekte; veçanërisht te Zbulesa përmendet ‘sekti i nikolaitëve’.—Ve 5:17; 15:5; 24:5; 28:22; Zb 2:6; 2Pj 2:1.
Selah.
Term teknik për muzikën ose për recitimin që gjendet te Psalmet dhe te Habakuku. Mund të tregojë një pauzë gjatë këndimit a muzikës, ose gjatë të dyjave, për të medituar në heshtje ose për të theksuar më shumë mendimin ose ndjenjën e saposhprehur. Fjala që është përdorur në Septuagintën greke, është diapsalma, që përkthehet «interval muzikor».—Ps 3:4; Ha 3:3.
Serafinë.
Sikël.
Njësia matëse kryesore për peshën dhe për vlerën monetare që përdornin hebrenjtë. Ajo ishte 11,4 g. Shprehja ‘sikla e vendit të shenjtë’ mund të jetë përdorur për të theksuar se pesha duhej të ishte e saktë ose në përputhje me peshën standarde që mbahej në tabernakull. Mund të ketë ekzistuar edhe një sikël mbretërore (e ndryshme nga sikla e zakonshme) ose një peshë standarde që mbahej në pallatin mbretëror.—Eks 30:13.
Sinagogë.
Një fjalë që do të thotë «të mblidhesh; asamble», por në shumicën e shkrimeve bëhet fjalë për ndërtesën ose për vendin ku judenjtë mblidheshin për të lexuar Shkrimet, për të mësuar, për të predikuar dhe për t’u lutur. Në ditët e Jezuit, në Izrael kishte një sinagogë në çdo qytet me popullsi të konsiderueshme. Në qytetet më të mëdha kishte më shumë se një sinagogë.—Lu 4:16; Ve 13:14, 15.
Sinedri.
Sion; Mali Sion.
Emri i Jebusit, qytetit fortesë të jebusitëve që ndodhej në kodrën juglindore të Jerusalemit. Pasi Davidi e pushtoi këtë qytet, ndërtoi atje pallatin e tij mbretëror, dhe me kohë u quajt «Qyteti i Davidit». (2Sa 5:7, 9) Sioni u bë një mal veçanërisht i shenjtë për Jehovain kur Davidi çoi atje arkën e besëlidhjes. Më vonë, ky emër përfshinte zonën e tempullit në malin e Moriahut dhe ndonjëherë tërë qytetin e Jerusalemit. Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «Sion» përdoret shpesh në mënyrë simbolike.—Ps 2:6; 1Pj 2:6; Zb 14:1.
Siri; Sirianë.—
Sirtë.
Emri i dy gjireve të mëdha e të cekëta në bregdetin e Libisë, në Afrikën e Veriut. Brigjet ranore në këto gjire spostoheshin vazhdimisht si pasojë e baticave, prandaj marinarët e lashtë kishin frikë të lundronin atje. (Ve 27:17)—Shih Shtojcën B13.
Sistemi (Sisteme).
Përkthimi i fjalës greke aión kur i referohet gjendjes aktuale botërore ose veçorive që karakterizojnë një periudhë kohe, një epokë ose një brez të caktuar. Bibla flet për «këtë sistem» kur i referohet gjendjes që karakterizon këtë botë dhe mënyrës së jetesës sipas mentalitetit të saj. (2Ti 4:10, shën.) Me anë të besëlidhjes së Ligjit, Perëndia nisi një sistem që disa mund ta quanin epoka izraelite ose judaike. Por, me anë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit, Perëndia nisi një sistem tjetër që përfshinte kryesisht kongregacionin e të krishterëve të mirosur. Kjo shënoi fillimin e një epoke të re të karakterizuar nga realitetet e simbolizuara në besëlidhjen e Ligjit, e cila shërbente si model profetik. Kur është në shumës, kjo shprehje u referohet disa sistemeve të ndryshme ose disa gjendjeve botërore që kanë ekzistuar ose do të ekzistojnë.—Mt 24:3; Mr 4:19; Ro 12:2; 1Ko 10:11.
Sivan.
Emri i muajit të 3-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 9-të të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Ai fillonte në mes të majit dhe mbaronte në mes të qershorit. (Es 8:9)—Shih Shtojcën B15.
Sjellje e pacipë.
Në greqisht asélgeia, frazë që ka të bëjë me veprime që shkelin rëndë ligjet e Perëndisë dhe që pasqyrojnë një qëndrim të pacipë ose përbuzës e pa pikë turpi; një prirje që nxjerr në pah mungesën e respektit, madje edhe përbuzjen për autoritetin, ligjet dhe normat. Kjo shprehje nuk u referohet shkeljeve të vogla të normave të Perëndisë.—Ga 5:19; 2Pj 2:7.
Skeptër.
Skllav.
Në kohët kur u shkrua Bibla, skllavëria ishte e zakonshme. Disa zotërinj i trajtonin ashpër skllevërit e tyre, kurse të tjerë ishin zemërmirë. Të krishterët përshkruhen si skllevër, sepse janë blerë me çmimin e gjakut të shtrenjtë të Jezuit. Ata që vendosin të pagëzohen si të krishterë, bëhen vullnetarisht skllevër të Zotërinjve të tyre—të Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit.—Eks 21:2; Ro 1:1; 1Pj 2:16.
Skrib.
Kopist i Shkrimeve Hebraike. Në kohën kur Jezui ishte në tokë, ky term identifikonte një klasë ekspertësh të Ligjit. Ata ishin kundërshtarë të Jezuit.—Ezd 7:6, shën.; Mr 12:38, 39; 14:1.
Speltë.
Lloj drithi i dorës së dytë (Triticum spelta), kokrrat e të cilit nuk ndahen lehtësisht nga lëvorja.—Eks 9:32.
Spiritizëm.
Besimi se shpirtrat e njerëzve mbijetojnë pas vdekjes së trupit dhe mund të komunikojnë me të gjallët, sidomos me anë të një njeriu (një mediumi) që ndikohet lehtësisht prej tyre. Fjala greke e përkthyer ‘të merresh me spiritizëm’, është pharmakía, që në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «përdorimi i drogave». Ky term filloi të lidhej me spiritizmin, sepse në kohët e lashta njerëzit përdornin drogë kur kërkonin fuqinë e demonëve për të ushtruar shtrigërinë.—Ga 5:20; Zb 21:8.
SH
Shebat.
Emri i muajit të 11-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 5-të të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Fillonte në mes të janarit dhe mbaronte në mes të shkurtit. (Za 1:7)—Shih Shtojcën B15.
Shegë.
Frutë me formë të ngjashme me mollën, me një kurorë në njërën anë. Brenda lëkurës së fortë ka kokrra të vogla të ngjeshura plot lëng. Secila prej tyre përmban një farë të vockël rozë ose të kuqe. Zbukurime në formë shege stolisnin palën në fund të veshjes blu pa mëngë të kryepriftit, si edhe kapitelet e shtyllave Jakin dhe Boaz që ndodheshin përpara tempullit.—Eks 28:34; Nu 13:23; 1Mb 7:18.
Sheminith.
Term muzikor që fjalë për fjalë do të thotë «i teti»; mund t’i referohej një regjistri ose një shkalle muzikore të ulët. Për instrumentet, ky term ndoshta përcaktonte ato që nxirrnin tone të ulëta të shkallës muzikore. Për këngët, ka të ngjarë t’i referohej shoqërimit me muzikë dhe me zë në një tonalitet të ulët.—1Kr 15:21; Ps 6:Mbishk.; 12:Mbishk.
Shenja e shenjtë e kushtimit.
Një pllakë e shndritshme prej ari të kulluar ku ishin skalitur në hebraisht fjalët «Shenjtëria i përket Jehovait». Vendosej në pjesën e përparme të çallmës së kryepriftit. (Eks 39:30)—Shih Shtojcën B5.
Shenjë.
Një objekt, veprim, situatë ose shfaqje e pazakontë që shërben për të treguar diçka tjetër, në të tashmen ose në të ardhmen.—Zb 9:12, 13; 2Mb 20:9; Mt 24:3; Zb 1:1.
Shenjtëri; I shenjtë.
Një cilësi që karakterizon Jehovain; gjendje pastërtie morale dhe shenjtërie absolute. (Eks 28:36; 1Sa 2:2; Pr 9:10; Is 6:3) Kur u referohet njerëzve (Eks 19:6; 2Mb 4:9), kafshëve (Nu 18:17), gjërave (Eks 28:38; 30:25; Le 27:14), vendeve (Eks 3:5; Isa 27:13), periudhave kohore (Eks 16:23; Le 25:12) dhe aktiviteteve (Eks 36:4), fjala origjinale hebraike përcjell idenë e veçimit, të ekskluzivitetit ose të shenjtërimit ndaj Perëndisë së shenjtë; tregon gjendjen e diçkaje a të dikujt që është ndarë veç për t’i shërbyer Jehovait. Në mënyrë të ngjashme, në Shkrimet e Krishtere Greke, fjalët e përkthyera «i shenjtë» dhe «shenjtëri» përcjellin idenë e veçimit për t’i shërbyer Perëndisë. Këto fjalë përdoren edhe për pastërtinë e sjelljes së një individi.—Mr 6:20; 2Ko 7:1; 1Pj 1:15, 16.
Shenjtërimi.
Veprimi ose procesi kur diçka a dikush bëhet i shenjtë, veçohet ose ndahet veç, për t’i shërbyer Perëndisë Jehova ose për t’u përdorur nga ai; gjendja e shenjtë, e shenjtëruar ose e pastruar e dikujt ose e diçkaje.—Nu 7:1; Gjo 17:17; 1Ko 1:2.
Shenjtërorja.
Në përgjithësi, një vend i ndarë veç për të adhuruar, një vend i shenjtë. Megjithatë, më shpesh i referohej tabernakullit ose tempullit në Jerusalem. Ky term është përdorur edhe për vendin ku banon Perëndia në qiej.—Eks 25:8, 9; 2Mb 10:25; 1Kr 28:10; Zb 11:19.
Sheol.
Shërbëtor kongregacioni.
Ky term është përkthim i fjalës greke diákonos, që shpesh përkthehet «dhjak» ose «shërbëtor». Shprehja ‘shërbëtor kongregacioni’ i referohet dikujt që shërben si ndihmës i trupit të pleqve në kongregacion. Ai duhet të plotësojë kërkesat që gjenden në Bibël, që të kualifikohet për këtë privilegj shërbimi.—1Ti 3:8-10, 12.
Shërbimi i shenjtë.
Shkel; Shkelje.
Shkretëtirë.
Shkrimi (Shkrimet).
Shlyerje.
Në Shkrimet Hebraike ky koncept lidhej me flijimet që bëheshin për t’iu afruar Perëndisë e për ta adhuruar. Nën Ligjin e Moisiut, veçanërisht Ditën e Shlyerjes që mbahej një herë në vit, bëheshin flijime që njerëzit të pajtoheshin me Perëndinë, pavarësisht nga mëkatet si individë a si komb. Ato flijime i paraprinin flijimit të Jezuit, i cili shleu një herë e mirë mëkatet e njerëzimit, duke u dhënë njerëzve mundësinë të pajtohen me Jehovain.—Le 5:10; 23:28; Kl 1:20; He 9:12.
Short.
Guralecë ose copa druri a guri që përdoreshin për të marrë vendime. Këto i futnin në palët e një veshjeje ose në një enë, e më pas i tundnin. Shorti që binte ose që nxirrej prej andej, ishte shorti përkatës. Shpesh kjo shoqërohej me një lutje. Termi «short» përdoret si në kuptimin e mirëfilltë, edhe në atë të figurshëm për të përcjellë idenë e ‘pjesës’.—Js 14:2; Ps 16:5; Pr 16:33; Mt 27:35.
Shpërblesa; Shpengimi.
Çmimi që paguhet për t’u çliruar nga robëria, dënimi, vuajtja, mëkati ose nga një detyrim. Pagesa nuk bëhej gjithnjë me para. (Is 43:3) Në raste të ndryshme shpërblesa ishte e detyruar. Për shembull, të gjithë të parëlindurit meshkuj të njerëzve ose të kafshëve në Izrael i përkitnin Jehovait dhe, për t’i çliruar nga shërbimi ekskluziv ndaj Jehovait, duhej të paguhej një shpërblesë, ose çmim shpengimi. (Nu 3:45, 46; 18:15, 16) Nëse një dem i rrezikshëm, që nuk mbahej nën kontroll, vriste dikë, pronari i tij ishte i detyruar të paguante një shpërblesë, që të shpëtonte nga dënimi me vdekje. (Eks 21:29, 30) Megjithatë nuk pranohej asnjë shpërblesë nga një njeri që vriste me dashje. (Nu 35:31) Bibla thekson se shpërblesa më e rëndësishme është ajo që pagoi Krishti kur flijoi jetën e tij për të çliruar njerëzimin e bindur nga mëkati dhe nga vdekja.—Ps 49:7, 8; Mt 20:28; Ef 1:7.
Shpirti.
Përkthimi i zakonshëm i fjalës hebraike néfesh dhe i fjalës greke psikhé. Kur shqyrtojmë si përdoren këto fjalë në Bibël, kuptojmë qartë se u referohen kryesisht (1) njerëzve, (2) kafshëve ose (3) jetës së një njeriu a të një kafshe. (Zn 1:20; 2:7; Nu 31:28; 1Pj 3:20; shënimet.) Në kontrast me mënyrën si përdoret fjala «shpirt» në shumë kontekste fetare, Bibla tregon se, kur bëhet fjalë për krijesat tokësore, si fjala néfesh, edhe fjala psikhé i referohen asaj që është fizike, e prekshme, e dukshme dhe e vdekshme. Në këtë përkthim, këto fjalë të gjuhëve origjinale shpesh janë përkthyer sipas kontekstit, duke përdorur terma të tillë, si «jetë», «krijesë», «njeri», «gjithë qenia e dikujt» ose thjesht një përemër vetor. Në shumë raste, shënimet përmbajnë përkthimin alternativ «shpirt». Kur përdoret termi «shpirt», qoftë në tekstin kryesor, qoftë në shënime, duhet kuptuar sipas shpjegimit të mësipërm. Kur përdoret shprehja ‘me gjithë shpirt’, ka kuptimin të bësh diçka me gjithë qenien tënde, me gjithë zemër. (Lp 6:5; Mt 22:37) Në disa kontekste, këto fjalë të gjuhës origjinale mund t’i referohen dëshirës ose oreksit të një krijese; madje mund t’i referohen edhe një të vdekuri ose një kufome.—Nu 6:6; Pr 23:2; Is 56:11; Hg 2:13.
Shtrëngimi i madh.
Fjala greke që përkthehet «shtrëngim» përcjell idenë e dhembjeve dhe të vuajtjeve që vijnë nga rrethanat e rënda. Jezui foli për një ‘shtrëngim të madh’ të paparë ndonjëherë që do të vinte në Jerusalem dhe sidomos për një ‘shtrëngim të madh’ që do të përjetonte njerëzimi në të ardhmen kur ai ‘të vinte me lavdi’. (Mt 24:21, 29-31) Pavli e përshkruan këtë shtrëngim si një masë të drejtë nga Perëndia kundër «atyre që nuk e njohin Perëndinë dhe kundër atyre që nuk i binden lajmit të mirë» për Zotërinë tonë Jezu. Kapitulli 19 i Zbulesës e paraqet Jezuin si atë që u prin ushtrive qiellore kundër ‘bishës, mbretërve të tokës dhe ushtrive të tyre’. (2Se 1:6-8; Zb 19:11-21) Shkrimet përmendin «një shumicë të madhe» që i mbijeton këtij shtrëngimi të madh. (Zb 7:9, 14)—Shih ARMAGEDON.
Shtrigëri.
Përdorimi i fuqisë që, pranohet hapur se vjen nga frymërat e liga.—2Kr 33:6.
Shtylla e shenjtë.
Fjala hebraike asherah i referohet (1) një shtylle të shenjtë që përfaqëson Asherahun, një perëndeshë kananite të pjellorisë ose (2) imazhit të vetë perëndeshës Asherah. Me sa duket, shtyllat ngriheshin pingul dhe ishin plotësisht ose pjesërisht prej druri. Ato mund të kenë qenë shtylla të pagdhendura ose pemë.—Lp 16:21; Gjy 6:26; 1Mb 15:13.
Shtyllë 1.
Hu vertikal ku lidhej një viktimë. Në disa kombe përdorej për të ekzekutuar dikë, për të ekspozuar një kufomë si paralajmërim ose për të poshtëruar dikë publikisht. Asirianët, të njohur për luftërat mizore, i ekzekutonin në shtyllë robërit, duke i varur trupat e tyre në hunj me maja që u nguleshin në bark dhe u depërtonin deri në kafazin e kraharorit. Megjithatë, sipas ligjit judaik, fajtorët për krime të urryera, si blasfemia ose idhujtaria, në fillim vriteshin me gurë ose në ndonjë mënyrë tjetër, e më pas kufomat e tyre i varnin në shtylla ose në pemë si shembuj paralajmërues për të tjerët. (Lp 21:22, 23; 2Sa 21:6, 9) Romakët ndonjëherë thjesht e lidhnin personin të gjallë në shtyllë, ku mund të vuante disa ditë para se të vdiste nga dhimbja, etja, uria dhe qëndrimi në diell. Në raste të tjera, siç ishte ekzekutimi i Jezuit, i gozhdonin në shtyllë këmbët dhe duart e të akuzuarit. (Lu 24:20; Gjo 19:14-16; 20:25; Ve 2:23, 36)—Shih SHTYLLË TORTURE.
Shtyllë 2.
Strukturë vertikale mbështetëse ose kolonë a diçka e ngjashme me të. Disa shtylla ngriheshin si përmendore të veprave a të ngjarjeve historike. Shtyllat mbështetëse përdoreshin për të mbajtur ndërtesën e tempullit dhe ndërtesa të tjera mbretërore të ndërtuara nga Solomoni. Popujt paganë ngritën shtylla të shenjta që lidheshin me fetë e tyre të rreme, e ndonjëherë këtë e bënin edhe izraelitët. (Gjy 16:29; 1Mb 7:21; 14:23)—Shih KAPITEL.
Shtyllë torture.
Përkthimi i fjalës greke staurós, që do të thotë një hu ose një shtyllë vertikale si ajo ku u ekzekutua Jezui. Nuk ka asnjë dëshmi se fjala greke ka kuptimin e një kryqi, si ai që paganët e përdornin si simbol fetar për shekuj me radhë para Krishtit. Shprehja ‘shtyllë torture’ përcjell kuptimin e plotë të fjalës origjinale, pasi fjala staurós është përdorur për të treguar torturat, vuajtjet dhe turpin që do të përballonin dishepujt e Jezuit. (Mt 16:24; He 12:2)—Shih SHTYLLË 1.
Shtypësja e rrushit.
Zakonisht një strukturë me dy gropa (lugje) të gërmuara në një vend gëlqeror. Njëra ishte më lart se tjetra dhe të dyja lidheshin me një ulluk të vogël. Teksa rrushi shtypej në gropën e sipërme, lëngu rridhte në gropën e poshtme. Kjo shprehje përdoret në mënyrë të figurshme për gjykimin e Perëndisë.—Is 5:2; Zb 19:15.
T
Tabernakull.
Një tendë adhurimi e lëvizshme që izraelitët e përdornin pas Eksodit nga Egjipti. Brenda kishte arkën e besëlidhjes të Jehovait, e cila përfaqësonte praninë e Jehovait; shërbente si vend flijimi e adhurimi. Ndonjëherë quhej edhe ‘tenda e takimit’. Ishte një strukturë me skelet druri, mbuluar me pëlhurë linoje të qëndisur me kerubinë. Tabernakulli ishte ndarë në dy dhoma: e para quhej e Shenjta, dhe e dyta Më e Shenjta. (Js 18:1; Eks 25:9)—Shih Shtojcën B5.
Talentë.
Njësia më e madhe hebraike për të matur peshën dhe vlerën monetare. Peshonte 34,2 kg. Një talentë greke ishte më e vogël, rreth 20,4 kg. (1Kr 22:14; Mt 18:24)—Shih Shtojcën B14.
Tamuzi.
(1) Emri i një perëndie për të cilin qanin gratë hebreje apostate në Jerusalem. Disa mendojnë se në fillim Tamuzi ishte një mbret që u hyjnizua pas vdekjes. Në tekstin sumerian, Tamuzi quhet Dumuz dhe identifikohet si bashkëshorti ose dashnori i perëndeshës së pjellorisë, Inana (Ishtari i Babilonisë). (Ezk 8:14) (2) Pas mërgimit nga Babilonia, ishte emri i muajit të katërt hënor sipas kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 10-të sipas kalendarit bujqësor. Fillonte në mes të qershorit dhe mbaronte në mes të korrikut.—Shih Shtojcën B15.
Tartar.
Në Shkrimet e Krishtere Greke i referohet një gjendjeje poshtërimi si në një burg, ku përfunduan engjëjt e pabindur në ditët e Noesë. Te 2 Pjetrit 2:4 përdorimi i foljes tartaróo (‘të hedhësh në Tartar’) nuk do të thotë se ‘engjëjt që mëkatuan’, u hodhën në Tartarin pagan mitologjik (domethënë, në një burg të nëndheshëm dhe vend terri për perënditë më të ulëta). Përkundrazi, tregon se Perëndia i uli ata engjëj nga vendi i tyre në qiell e ua hoqi privilegjet e tyre që kishin, dhe ia dorëzoi një gjendjeje errësire të dendur mendore për sa u përket qëllimeve të shkëlqyera të Perëndisë. Gjithashtu, gjendja e tyre e errët tregon edhe fundin që i pret, që, siç thonë Shkrimet, do të jetë një shkatërrim i përhershëm së bashku me sundimtarin e tyre, Satana Djallin. Prandaj, fjala Tartar tregon gjendjen më të ulët e më poshtëruese të këtyre engjëjve rebelë. Ajo nuk ka të njëjtin kuptim si ‘humnera’ e përmendur te Zbulesa 20:1-3.
Tebeth.
Emri i muajit të 10-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të katërt të kalendarit bujqësor, pas mërgimit në Babiloni. Fillonte në mes të dhjetorit dhe mbaronte në mes të janarit. Në përgjithësi quhej thjesht ‘muaji i dhjetë’. (Es 2:16)—Shih Shtojcën B15.
Temjan i bardhë.
Limfa e thatë (rrëshira) e pemëve dhe e shkurreve të disa llojeve të gjinisë Boswellia. Kur digjej, lëshonte aromë të këndshme. Ishte një nga përbërësit e temjanit të shenjtë, që përdorej në tabernakull dhe në tempull. Paraqitej bashkë me blatimet në drithë dhe vihej mbi çdo stivë të bukëve të paraqitjes brenda të Shenjtës.—Eks 30:34-36; Le 2:1; 24:7; Mt 2:11.
Temjan.
Përzierje e rrëshirës dhe e balsameve aromatike që digjen ngadalë dhe lëshojnë një aromë të këndshme. Në tabernakull dhe në tempull përdorej një lloj temjani i veçantë prej katër përbërësish. Digjej në mëngjes e në të ngrysur mbi altarin e temjanit që ndodhej në ndarjen e të Shenjtës, ndërsa Ditën e Shlyerjes digjej brenda ndarjes së Më të Shenjtës. Ai simbolizonte lutjet e pranueshme të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Të krishterëve nuk u kërkohet të përdorin temjan.—Eks 30:34, 35; Le 16:13; Zb 5:8.
Tempull.
Ndërtesa e përhershme në Jerusalem që zëvendësoi tabernakullin e lëvizshëm si qendër e adhurimit për izraelitët. Tempullin e parë e ndërtoi Solomoni dhe e shkatërruan babilonasit. Të dytin e ndërtoi Zorobabeli pas kthimit nga mërgimi në Babiloni, dhe më vonë e rindërtoi Herodi i Madh. Në Shkrime shpesh tempulli quhet thjesht ‘shtëpia e Jehovait’. (Ezd 1:3; 6:14, 15; 1Kr 29:1; 2Kr 2:4; Mt 24:1)—Shih Shtojcat B8 dhe B11.
Tenda e takimit.
Terafimë.
Perëndi ose idhuj të shtëpisë, të cilëve ndonjëherë u drejtoheshin për ogure ose për shenja. (Ezk 21:21, shën.) Disa kishin përmasa dhe formë njeriu, kurse të tjerë ishin shumë më të vegjël. (Zn 31:34; 1Sa 19:13, 16) Zbulimet arkeologjike në Mesopotami tregojnë se atij që zotëronte terafimë, i takonte trashëgimia familjare. (Kjo mund të shpjegojë pse Rakela mori terafimin e të atit.) Duket se nuk ishte kështu në Izrael, ndonëse terafimët përdoreshin si idhuj në ditët e gjykatësve dhe në ditët e mbretërve; terafimët ishin mes gjërave që shkatërroi mbreti besnik, Josia.—Gjy 17:5; 2Mb 23:24; Ho 3:4.
Tezgjah.
Vegël që përdoret për të endur pëlhurë me fije të holla ose me fije leshi.—Eks 39:27.
Të shenjtë.
Ata që janë të pastër, veçanërisht në sytë e Perëndisë ose nga ana morale. Ky term u referohet edhe personave të ndarë veç për t’i shërbyer Perëndisë. Në kontekstin e Shkrimeve të Krishtere Greke, shprehja «të shenjtë» u referohet të gjithë atyre që Perëndia i ka zgjedhur që të gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me të. Ata kanë shpresë qiellore dhe do të qeverisin me Krishtin gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar.—Ro 1:7; 1Ko 1:2; Zb 20:4, 6.
Tishër.—
Shih ETHANIM dhe Shtojcën B15.
Trumbetë.
Instrument frymor prej metali që përdorej për të dhënë sinjale dhe për muzikë. Sipas Numrave 10:2, Jehovai dha udhëzime të bëheshin dy trumbeta argjendi, që të përdoreshin për të nxjerrë tinguj të veçantë për të sinjalizuar mbledhjen e një asambleje, për të mbledhur e për të nisur kampet ose për të shpallur luftë. Me sa duket, këto ishin trumbeta të drejta, ndryshe nga «brirët» e harkuar, që faktikisht ishin bërë me brirët e kafshëve. Në instrumentet muzikore të tempullit përfshiheshin edhe disa trumbeta që nuk u dihet forma. Tingulli i trumbetave shpesh shoqëron në mënyrë simbolike shpalljen e gjykimeve të Jehovait ose të ngjarjeve të tjera të rëndësishme që lidheshin me Perëndinë.—2Kr 29:26; Ezd 3:10; 1Ko 15:52; Zb 8:7–11:15.
U
Udha.
Shprehje e përdorur në mënyrë të figurshme në Shkrime për t’iu referuar një mënyre veprimi a sjelljeje që Jehovai ose e miraton ose nuk e miraton. Për ata që u bënë dishepuj të Jezu Krishtit, thuhej se i përkitnin ‘Udhës’. Kjo nënkuptonte se boshti i jetës së tyre ishte besimi te Jezu Krishti, sepse ndiqnin shembullin e tij.—Ve 19:9.
Unaza me vulë.
Urimi dhe Thumimi.
Mjete që kryeprifti i përdorte siç bëhej me shortet, për të kuptuar vullnetin e Jehovait kur kërkohej zgjidhje nga ai për çështje me rëndësi kombëtare. Kur kryeprifti hynte në tabernakull, Urimin dhe Thumimin i fuste në pektoralin e tij. Me sa duket nuk u përdorën më kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin.—Eks 28:30; Ne 7:65.
V
Vad.
Vargmali i Libanit.
Një nga dy vargmalet që formojnë sistemin malor të Libanit. Vargmali i Libanit është në perëndim, kurse vargmali i Anti-Libanit në lindje. Dy vargmalet i ndan një luginë e gjatë pjellore. Vargmali i Libanit ngrihet buzë bregut të Mesdheut dhe majat e tij arrijnë një lartësi nga 1.800 m deri 2.100 m. Në lashtësi, Libani ishte plot cedra madhështorë, të cilët ishin shumë të kërkuar nga kombet fqinje. (Lp 1:7; Ps 29:6; 92:12)—Shih Shtojcën B7.
Varr.
Kur është me shkronjë të vogël, i referohet varrit të një individi të vetëm; kur është me shkronjë të madhe, i referohet varrit të përbashkët të njerëzimit, në hebraisht «Sheol» dhe në greqisht «Hades». Në Bibël përshkruhet si një vend simbolik ose një gjendje ku njeriu nuk është më aktiv dhe i vetëdijshëm.—Zn 47:30; Ek 9:10; Ve 2:31.
Varr përkujtimor.
Një varr ku vendosej trupi i një personi të vdekur. Ky term është përkthim i fjalës greke mnemeíon, e cila vjen nga folja «të kujtosh» dhe nënkupton se personi i vdekur nuk harrohet.—Gjo 5:28, 29, shën.
Vau.
Vegimi.
Vend i lartë.
Vënia e duarve.
Duart viheshin mbi një person për ta emëruar në një caktim të veçantë, për t’i dhënë një bekim, për ta shëruar ose për t’i dhënë një dhuratë të frymës së shenjtë. Ndonjëherë duart viheshin mbi kafshët para se të flijoheshin.—Eks 29:15; Nu 27:18; Ve 19:6; 1Ti 5:22.
Vrug.
Një nga sëmundjet e bimëve që shkaktohet nga parazitët. Mendohet se vrugu i përmendur në Bibël është ndryshku i zi i kërcellit të grurit (Puccinia graminis).—1Mb 8:37.
Vulë.
Mjet që përdorej për të lënë gjurmë (zakonisht mbi argjilë ose mbi dyll), e cila tregonte pronësi, autenticitet ose marrëveshje. Vulat e lashta përbëheshin nga materiale të forta (gurë, fildish ose dru) dhe kishin shkronja të gdhendura mbrapsht. Vula përdorej edhe në mënyrë të figurshme si shenjë autenticiteti, pronësie ose tregonte se diçka ishte e fshehur a sekrete.—Eks 28:11; Ne 9:38; Zb 5:1; 9:4.
Y
Ylli i mëngjesit.
Z
Zeusi.
Perëndia suprem i grekëve politeistë. Në Listër, Barnabën e identifikuan gabimisht si Zeusin. Mbishkrime të lashta të gjetura pranë Listrës përmendin «priftërinjtë e Zeusit» dhe «perëndinë-diell Zeus». Anija në të cilën u nis Pavli nga ishulli i Maltës, kishte në bash figurën e gdhendur të «Bijve të Zeusit», domethënë të binjakëve Kastor dhe Poluks.—Ve 14:12; 28:11.
Zgjedhë.
Një shkop që i vihet dikujt mbi shpatulla për të mbajtur ngarkesa në të dyja anët; ose një shufër a skelet druri që u vihet në qafë dy kafshëve të barrës (zakonisht qeve) kur tërheqin një vegël bujqësore ose qerren. Skllevërit shpesh i përdornin zgjedhat për të mbajtur barrë të rënda, prandaj zgjedha përdorej si simbol i skllavërisë ose i nënshtrimit ndaj një personi tjetër, si edhe si simbol i shtypjes dhe i vuajtjeve. Heqja ose thyerja e zgjedhës simbolizonte çlirimin nga robëria, shtypja dhe shfrytëzimi.—Le 26:13; Mt 11:29, 30.
Ziv.
Emri fillestar i muajit të 2-të të kalendarit të shenjtë judaik dhe i muajit të 8-të të kalendarit bujqësor. Ai fillonte në mes të prillit dhe përfundonte në mes të majit. Në Talmudin judaik dhe në vepra të tjera që datojnë pas mërgimit në Babiloni, ky muaj quhet «ijar». (1Mb 6:37)—Shih Shtojcën B15.
Zotim.