GJENEALOGJIA
Historia e prejardhjes së të parëve ose të brezave të familjes njerëzore. Perëndia Jehova është Gjenealogjisti i madh ose Mbajtësi i dokumenteve të krijimit, të origjinave, të lindjeve e të prejardhjeve. Ai është ‘Ati, nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë’. (Ef 3:14, 15) Fjala e Perëndisë, Bibla, përmban një listë të saktë të gjenealogjive që luajnë një rol të rëndësishëm në qëllimin e tij.
Njeriu ka një dëshirë të lindur që të njohë prejardhjen e të mbajë gjallë emrin e familjes së vet. Shumë kombe të lashta mbanin lista gjenealogjike të hollësishme, sidomos të prejardhjes së priftërinjve e mbretërve të tyre. Për shembull, egjiptianët mbanin lista të tilla, e po kështu edhe arabët. Janë zbuluar lista me shkrim kuneiform të gjenealogjive të mbretërve të Babilonisë e të Asirisë. Shembuj të kohëve më të vona janë listat gjenealogjike të grekëve, keltëve, saksonëve dhe romakëve.
Folja hebraike që tregon regjistrimin e një pasardhësi të ligjshëm është jaħás, dhe është përkthyer ‘regjistrohem sipas gjenealogjisë’ (1Kr 5:17); emri jáħas, që lidhet me të, është përkthyer ‘regjistrim gjenealogjik’. (Ne 7:5) Termi grek genealogía del te 1 Timoteut 1:4 dhe Titit 3:9 e i referohet ‘gjenealogjisë’ ose prejardhjes së një personi.
Apostulli Mate e nis tregimin e Ungjillit të tij me këtë hyrje: «Libri i historisë [genéseos, një formë e génesis] së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.» (Mt 1:1) Termi grek génesis do të thotë fjalë për fjalë «prejardhje; origjinë». Septuaginta përdor këtë term grek që të përkthejë fjalën hebraike tohledhóhth, e cila në thelb ka të njëjtin kuptim dhe, me sa duket, sa herë që përmendet në librin e Zanafillës, do të thotë «histori».—Krahaso Zn 2:4, shën., NW.
Natyrisht, Mateu paraqet më shumë se thjesht një gjenealogji të Krishtit. Ai tregon historinë e lindjes së Jezuit si njeri, të shërbimit, të vdekjes e të ringjalljes së tij. Kjo nuk ishte diçka e pazakontë për kohën, pasi edhe historitë më të hershme greke kishin një strukturë gjenealogjike dhe silleshin rreth personazheve që përmendeshin në gjenealogji. Kështu, gjenealogjia ishte pjesë e rëndësishme e historisë dhe, në shumë raste, përbënte hyrjen e saj.—Shih 1Kr 1-9.
Kur shpalli gjykimin në Eden, Perëndia premtoi që ‘Fara’ e gruas do të shtypte kokën e Gjarprit. (Zn 3:15) Nga këtu mund të ketë lindur ideja se Fara do të kishte prejardhje njerëzore. Megjithatë, që Fara do të kalonte përmes një trungu gjenealogjik njerëzor, u shpall në mënyrë specifike vetëm kur Perëndia i tha Abrahamit se Fara e tij do të bëhej mjeti përmes të cilit do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës. (Zn 22:17, 18) Nga ky çast, gjenealogjia e familjes së Abrahamit fitoi një rëndësi të jashtëzakonshme. Bibla është i vetmi dokumentim jo vetëm për origjinën e Abrahamit, por edhe për zanafillën e të gjitha kombeve që rrodhën nga bijtë e Noesë: Semi, Kami dhe Jafeti.—Zn 10:32.
Siç komenton Ërl Xhon Hemlini, lista e kombeve që paraqet Zanafilla është «unike në literaturën e lashtë. . . . Një merak i tillë për historinë nuk mund të gjendet në asnjë literaturë tjetër të shenjtë të botës».—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. Batriku, 1962, vëll. 3, f. 515.
Qëllimi i regjistrimeve gjenealogjike. Përveç prirjes së natyrshme të njeriut për të mbajtur regjistrime të lindjeve e të lidhjeve fisnore, gjenealogjia është e rëndësishme për kronologjinë, sidomos për pjesën më të hershme të historisë së njerëzimit. Por mbi të gjitha, regjistrimi i disa gjenealogjive u bë i domosdoshëm për shkak të premtimeve e të profecive të Perëndisë, si dhe të mënyrave në të cilat veproi.
Pas Përmbytjes, bekimi i Noesë tregoi se pasardhësit e Semit do të kishin favorin e Perëndisë. (Zn 9:26, 27) Më vonë, Perëndia i zbuloi Abrahamit se ai që do të quhej «fara» e tij, do të vinte nëpërmjet Isakut. (Zn 17:19; Ro 9:7) Kështu, u bë e qartë se identifikimi i Farës kërkonte një regjistrim mjaft të saktë të gjenealogjisë. Prandaj, me kalimin e kohës, u mbajt një regjistrim shumë i imtësishëm për trungun e fisit të Judës, të cilit iu premtua se do të merrte drejtimin (Zn 49:10), e sidomos për familjen e Davidit, që ishte trungu mbretëror. (2Sa 7:12-16) Ky regjistrim do të siguronte një gjenealogji me rëndësi të jashtëzakonshme, atë të Mesisë, Farës.—Gjo 7:42.
Kujdes i veçantë iu kushtua edhe një gjenealogjie tjetër, asaj të fisit të Levit, ku rëndësi të posaçme kishte familja priftërore e Aaronit.—Da 28:1-3; Nu 3:5-10.
Veç këtyre, në periudhën e Ligjit, regjistrimet gjenealogjike ishin të domosdoshme që të përcaktohej përkatësia fisnore për ndarjen e trojeve dhe lidhja familjare për trashëgiminë e pronave të gjithsecilit. Ato nevojiteshin edhe për të identifikuar se cili nga të afërmit më të ngushtë do të ishte goʼéli, pra, personi që mund të bënte detyrën që i takonte kunatit (Lp 25:5, 6), të riblente të afërmin (Le 25:47-49) dhe të luante rolin e gjakmarrësit (Nu 35:19). Po ashtu, besëlidhja e Ligjit ndalonte martesat mes disa të afërmve ose njerëzve të një gjaku, dhe për këtë duhej njohur lidhja gjenealogjike.—Le 18:6-18.
Izraelitët u përmbaheshin me përpikëri këtyre gjenealogjive, dhe këtë e ilustron situata që lindi pas kthimit nga Babilonia, kur disa që supozohej se i përkitnin derës priftërore, nuk arritën të gjenin regjistrin e tyre. Zorobabeli i urdhëroi të mos hanin nga gjërat shumë të shenjta që i përkitnin priftërisë, derisa të vërtetonin gjenealogjinë para të gjithëve. (Ne 7:63-65) Regjistrimi përfshinte edhe nethinimët, të cilët, ndonëse nuk ishin izraelitë, zyrtarisht përbënin një grup të kushtuar për të shërbyer në tempull.—Ne 7:46-56.
Sa për kronologjinë, në shumicën e rasteve, listat nuk kishin aspak si qëllim të jepnin të dhëna të plota. Gjithsesi, shpesh ato i vijnë në ndihmë kronologjisë pasi verifikojnë disa pika të saj ose japin hollësi të rëndësishme. Po ashtu, zakonisht, nuk pritet që listat gjenealogjike të jenë tregues të rritjes së popullsisë, pasi në shumë raste disa hallka të ndërmjetme nuk janë përfshirë aty ku nuk janë parë të nevojshme për një gjenealogji të caktuar. Gjithashtu, gjenealogjitë rrallë përmbajnë emrat e grave, prandaj në lista nuk gjenden emrat e bashkëshorteve apo të konkubinave që mund të ketë pasur një burrë. Në mënyrë të ngjashme, mund të mos jenë përmendur as të gjithë bijtë që mund t’i kenë lindur nga këto gra, madje herë pas here, mund të mos jenë regjistruar as disa nga bijtë e bashkëshorteve kryesore.
Nga Adami te Përmbytja. Bibla na jep prova të ekzistencës së listave të lidhjeve familjare që nga fillimet e njeriut. Kur lindi Seti, biri i Adamit, Eva tha: «Perëndia ka caktuar për mua një farë tjetër në vend të Abelit, meqë atë e vrau Kaini.» (Zn 4:25) Përfaqësues të trungut që nisi me Setin, mbijetuan në kohën e Përmbytjes.—Zn 5:3-29, 32; 8:18; 1Pj 3:19, 20.
Nga përmbytja tek Abrahami. Nga trungu i Semit, birit të Noesë, i cili mori edhe bekimin e Noesë, erdhi Abrami (Abrahami), ‘miku i Jehovait’. (Jk 2:23) Kjo gjenealogji, bashkë me atë të periudhës para Përmbytjes që përmendëm më lart, përbën mënyrën e vetme për të përcaktuar kronologjinë e historisë së njerëzimit deri tek Abrahami. Në listën para Përmbytjes tregimi kalon përmes trungut të Setit, kurse në listën pas Përmbytjes, përmes Semit, dhe rrëfen gjithnjë kohën nga lindja e një burri deri në lindjen e birit të tij. (Zn 11:10-24, 32; 12:4) Nuk ekzistojnë lista të tjera gjenealogjike kaq të plota të asaj periudhe historike, dhe kjo tregon se ato shërbejnë për një qëllim të dyfishtë: gjenealogjik dhe kronologjik. Në pak raste të tjera, informacionet gjenealogjike ndihmojnë për të përcaktuar se kur kanë ndodhur disa ngjarje specifike.—Shih KRONOLOGJIA (Nga viti 2370 p.e.s. deri te besëlidhja me Abrahamin).
Nga Abrahami te Krishti. Falë ndërhyrjes së vetë Perëndisë, Abrahami dhe Sara patën një djalë, Isakun, nëpërmjet të cilit do të vinte ‘fara’ e premtuar. (Zn 21:1-7; He 11:11, 12) Përmes Jakobit (Izraelit), birit të Isakut, erdhën 12 fiset. (Zn 35:22-26; Nu 1:20-50) Juda do të ishte fisi nga do të dilnin mbretërit, dhe më pas trungu mbretëror u kufizua vetëm te familja e Davidit. Pasardhësit e Levit u bënë fisi priftëror, ndërsa vetë priftëria i përkiste trungut të Aaronit. Që të përcaktonte të drejtën e vet ligjore për të marrë fronin, Jezu Krishti, Mbreti, duhej të identifikohej se ishte nga familja e Davidit dhe nga trungu i Judës. Por, falë betimit të Perëndisë, priftëria e tij ishte sipas mënyrës së Melkisedekut dhe nuk kërkohej të vinte nga Levi.—Ps 110:1, 4; He 7:11-14.
Lista të tjera gjenealogjike të rëndësishme. Përveç dokumentimit të prejardhjes nga Adami deri te Jezu Krishti dhe gjenealogjive të hollësishme të 12 bijve të Jakobit, ekzistojnë edhe regjistra gjenealogjikë të origjinës së popujve që kishin lidhje farefisnore me Izraelin. Këtu futen vëllezërit e Abrahamit (Zn 11:27-29; 22:20-24); bijtë e Ismailit (Zn 25:13-18); Moabi dhe Amoni, që ishin bijtë e Lotit, nipit të Abrahamit (Zn 19:33-38); bijtë që Ketura i lindi Abrahamit, nga të cilët erdhën Midiani dhe fise të tjera (Zn 25:1-4); dhe pasardhësit e Esaut (Edomit) (Zn 36:1-19, 40-43).
Këto kombe janë të rëndësishme për shkak të lidhjes së tyre me Izraelin, popullin e zgjedhur të Perëndisë. Si Isaku, ashtu edhe Jakobi, i morën gratë nga familja e vëllait të Abrahamit. (Zn 22:20-23; 24:4, 67; 28:1-4; 29:21-28) Territoret në kufi me Izraelin, Perëndia ua caktoi kombeve të Moabit, Amonit dhe Edomit, ndërsa Izraelit i tha të mos i shkelte tokat e trashëgimisë së atyre popujve ose të mos ngatërrohej me ta.—Lp 2:4, 5, 9, 19.
Arkiva zyrtarë. Përveç regjistrave që mbanin vetë familjet, duket se në Izrael kishte edhe dokumente shtetërore ku mbaheshin gjenealogjitë. Te kapitulli i 46-të i Zanafillës gjejmë listën e të lindurve të shtëpisë së Jakobit deri në kohën kur ai hyri në Egjipt dhe, me sa duket, deri kur vdiq. Dalja 6:14-25 përmban një gjenealogji, kryesisht të pasardhësve të Levit, e cila, me sa duket, është kopjuar nga një regjistër i mëparshëm. Regjistrimi i parë i kombit u bë në shkretëtirën e Sinait në vitin 1512 p.e.s., vitin e dytë të daljes nga Egjipti, kur u regjistruan pasardhësit e tyre «sipas familjeve në shtëpitë e tyre atërore». (Nu 1:1, 18; shih edhe Nu 3.) I vetmi regjistrim tjetër i Izraelit në shkallë kombëtare, i autorizuar nga Perëndia dhe i dokumentuar para mërgimit, është ai që u bë rreth 39 vjet më vonë, në rrafshinat e Moabit.—Nu 26.
Përveç gjenealogjive të dokumentuara në shkrimet e Moisiut, ekzistojnë lista të tilla të shkruara nga kronistë të tjerë zyrtarë, përfshirë Samuelin që shkroi Gjykatësit, Ruthën dhe pjesë të 1 Samuelit; Ezdrën që shkroi 1 dhe 2 Kronikave dhe librin e Ezdrës, si dhe Neheminë që shkroi librin që mban emrin e tij. Në këto shkrime gjenden prova se edhe persona të tjerë kanë mbajtur gjenealogji: Idoja (2Kr 12:15) dhe Zorobabeli, i cili, me sa duket, urdhëroi që të bëhej një regjistrim gjenealogjik i izraelitëve të rikthyer në atdhe. (Ezd 2) Gjatë mbretërimit të mbretit të drejtë Jotam, u përpilua një listë gjenealogjike e fiseve të Izraelit që jetonin në Galaad.—1Kr 5:1-17.
Këto gjenealogji u ruajtën me kujdes deri në fillim të erës sonë. Këtë e provon fakti që çdonjëra nga familjet në Izrael mundi të kthehej në qytetin nga ishin shtëpitë e tyre atërore, për t’u regjistruar sipas dekretit që nxori Cezar Augusti pak para se të lindte Jezui. (Lu 2:1-5) Po ashtu, dihet se Zakaria, babai i Gjon Pagëzorit, ishte nga ndarja priftërore e Abijahut, kurse e ëma, Elizabeta, ishte nga bijat e Aaronit. (Lu 1:5) Për profeteshën Ana thuhet se ishte «nga fisi i Asherit». (Lu 2:36) Dhe, natyrisht, lista e zgjeruar e paraardhësve të Jezuit te kapitulli i 1-rë i Mateut dhe te kapitulli i 3-të i Lukës, tregon qartë se këto regjistrime mbaheshin në arkivat publikë dhe ishin në dispozicion të njerëzve.
Historiani Jozef Flavi dëshmon se judenjtë mbanin regjistra gjenealogjikë zyrtarë kur thotë: «Familja ime nuk është e rëndomtë, madje prejardhja e saj i ka rrënjët te paraardhësit priftërorë. . . . Megjithatë, të parët e mi jo vetëm që ishin priftërinj, por i përkitnin së parës nga njëzet e katër klasat—një dallim i veçantë—dhe më të spikaturit ndër klanet që e formonin atë.» Pastaj, pasi thekson se e ëma rridhte nga Asamoneu, ai përfundon: «Me një prejardhje të tillë, të cilën po e citoj ashtu siç e kam gjetur të dokumentuar në regjistrat publikë, s’dua t’ia di për ata që mund të përflasin familjen time.»—Jeta, 1, 2, 6 (1).
Gjenealogjitë zyrtare të judenjve nuk i shkatërroi mbreti Herodi i Madh, sikurse pretendonte në pjesën e parë të shekullit të tretë historiani Sest Jul Afrikani, por me sa duket romakët kur rrënuan Jerusalemin në vitin 70 të e.s. (Kundër Apionit, nga J. Flavi, I, 30-38 [7]; Lufta judaike, II, 426-428 [xvii, 6]; VI, 354 [vi, 3]) Që prej asaj kohe, judenjtë nuk kanë mundur të përcaktojnë prejardhjen e tyre, madje as të dy trungjeve më të rëndësishme, të Davidit e të Levit.
Përcaktimi i lidhjeve familjare. Për të përcaktuar lidhjet familjare, shpesh është i nevojshëm konteksti ose një krahasim i listave paralele apo i vargjeve në pjesë të ndryshme të Biblës. Për shembull, «bir» në të vërtetë mund të nënkuptojë nip ose thjesht pasardhës. (Mt 1:1) Po kështu, ndonjë listë mund të duket si regjistri i vëllezërve, pra, i djemve të një burri. Mirëpo, një vështrim më nga afër dhe një krahasim me tekste të tjera, mund të tregojë se është regjistri i trungut gjenealogjik, që përmban emrat e disa djemve, nipërve apo pasardhësve më të vonë. Me sa duket, te Zanafilla 46:21 qoftë bijtë, qoftë nipërit e Beniaminit, përmenden si «bijtë», siç mund të shihet edhe nga një krahasim me Numrat 26:38-40.
E njëjta situatë paraqitet edhe në gjenealogjitë e disa familjeve të mëdha. Për shembull, te 1 Kronikave 6:22-24 përmenden dhjetë «bijtë e Kehathit». Mirëpo, te vargu 18 dhe te Dalja 6:18 tregohet se vetëm katër bij janë të Kehathit. Një shqyrtim i kontekstit tregon se renditja e ‘bijve të Kehathit’ te 1 Kronikave 6:22-24, në të vërtetë është pjesë e gjenealogjisë së familjeve të trungut të Kehathit, përfaqësuesit e të cilave Davidi i emëroi në disa nga detyrat e tempullit.
Në mënyrë të ngjashme, «atë» mund t’i referohet «gjyshit», madje edhe një paraardhësi në fronin mbretëror. (Dn 5:11, 18) Në shumë vargje, si te Ligji i përtërirë 26:5, 1 Mbretërve 15:11, 24 dhe 2 Mbretërve 15:38, fjala hebraike ʼav (atë) është përdorur edhe në kuptimin e «të parëve» ose «paraardhësve». Po ashtu, fjalët hebraike ʼem (nënë) dhe bath (vajzë) herë pas here janë përdorur përkatësisht për «gjyshen» dhe «mbesën».—1Mb 15:10, 13.
Qytete dhe emra në shumës. Në disa lista, një burrë mund të quhet «ati» i një qyteti, si për shembull te 1 Kronikave 2:50-54, ku Salma është quajtur «ati i Betlehemit» dhe Shobali «ati i Kiriat-Jearimit». Nga sa duket, qytetet e Betlehemit e të Kiriat-Jearimit ose u themeluan nga këta burra, ose u populluan nga pasardhësit e tyre. Në të njëjtën listë lexojmë më tej: «Bijtë e Salmës ishin Betlehemi, netofathitët, Atroth-Beth-Joabi, gjysma e manahatitëve dhe zoritët.» (1Kr 2:54) Është e qartë që këtu netofathitët, manahatitët dhe zoritët ishin familje.
Te Zanafilla 10:13, 14, emrat e pasardhësve të Mizraimit duket se janë në shumës në gjuhën origjinale. Prandaj është hedhur hipoteza se nuk bëhet fjalë për individë, por për emra familjesh ose fisesh. Sidoqoftë duhet mbajtur parasysh se edhe emra të tjerë në numrin dyjës (formë gramatikore e numrit në hebraisht që tregon se bëhet fjalë për dy elemente të të njëjtit lloj), si Efraim, Apaim e Diblaim, si dhe Mizraimi i përmendur më lart, biri i Kamit, i referohen secili një individi të vetëm.—Zn 41:52; 1Kr 2:30, 31; Ho 1:3; 2Kr 28:12.
Listat e shkurtuara. Shpesh, shkrimtarët e Biblës i shkurtonin së tepërmi listat gjenealogjike dhe, me sa duket, përmendnin vetëm krerët e familjeve të shtëpive më të spikatshme, personazhet e rëndësishme ose ata që luajtën një rol të dukshëm në një periudhë historike të caktuar. Në disa raste, duket se kronistit i interesonte të tregonte vetëm prejardhjen nga një paraardhës i largët, kështu që linte pa përfshirë shumë emra të ndërmjetëm.
Vetë gjenealogjia e Ezdrës është një rast i këtyre shkurtimeve. (Ezd 7:1-5) Ai regjistron prejardhjen e tij që nga Aaroni, kryeprifti, por në listën paralele te 1 Kronikave 6:3-14, në vargjet 7 deri në 10 përmenden disa emra që mungojnë tek Ezdra 7:3. Ka të ngjarë që Ezdra ta ketë bërë këtë për të shmangur përsëritjen e kotë dhe për të shkurtuar listën e gjatë të emrave. Gjithsesi, lista ishte ende më se e mjaftueshme për të provuar se kishte prejardhje priftërore. Ezdra thotë se është «bir» i Serajahut, por nënkuptohet se ishte pasardhës i tij, pasi duhet të ketë qenë stërnip i Serajahut, madje ndoshta stër-stërnip i tij. Serajahu kishte qenë kryeprift dhe e vrau Nabukodonosori në kohën e mërgimit në Babiloni (607 p.e.s.), kurse të birin, Jehozadakun, e çoi në mërgim. (2Mb 25:18-21; 1Kr 6:14, 15) Kryeprifti Josi (Jeshua), i cili u kthye 70 vjet më vonë bashkë me Zorobabelin, ishte nipi i Serajahut. (Ezd 5:2; Hg 1:1) Ezdra shkoi në Jerusalem 69 vjet më pas, prandaj s’mund të ketë qenë në të vërtetë bir i Serajahut dhe vëlla i Jehozadakut.
Diçka tjetër që mësojmë nga krahasimi i këtyre gjenealogjive, është se Ezdra, ndonëse rridhte nga Aaroni nëpërmjet Serajahut, me sa duket nuk ishte nga ajo degë e Serajahut përmes së cilës trashëgohej detyra e kryepriftit, domethënë, nga Jehozadaku. Nga Serajahu pasardhësit e kryepriftërinjve kalonin nëpërmjet Josiut (Jeshuait), Jojakimit dhe Eliashibit; ky i fundit ishte kryeprift kur Nehemia ishte guvernator. Prandaj, përmes kësaj gjenealogjie të shkurtuar, Ezdra e arriti objektivin e vet, pra, të jepte aq emra sa mjaftonin për të provuar pozitën e tij në trungun e Aaronit.—Ne 3:1; 12:10.
Arsye të ndryshimeve nëpër lista. Shpesh, djali i një familjeje që vdiste pa lënë fëmijë, nuk përmendej. Në disa raste, një burrë mund të ketë pasur vajzë, por jo djalë, kështu trashëgimia mund të jetë përcjellë përmes vajzës, e cila, kur martohej, kalonte nën kreun e një familjeje tjetër në të njëjtin fis. (Nu 36:7, 8) Hera-herës, në këto gjenealogji familjet më pak të rëndësishme përfshiheshin nën emrin e një kreu tjetër familjeje, kështu që familja më e vogël nuk renditej në listë. Prandaj, mospasja e fëmijëve, kalimi i trashëgimisë përmes grave, ndoshta birësimi ose pamundësia për të krijuar një shtëpi atërore më vete, ishin arsye që emrat të mos përfshiheshin në disa lista gjenealogjike, ndërkohë që familje të reja që formoheshin, mund të shtonin në lista emra të rinj. Kështu është e qartë se emrat e një gjenealogjie më të vonë mund të ndryshojnë mjaft nga emrat e një liste më të hershme.
Disa krerë të familjeve mund të shfaqen në atë që duket si një listë vëllezërish, por në të vërtetë mund të përfshijë nipërit, si në rastin e Jakobit që «adoptoi» bijtë e Jozefit, duke thënë: «Efraimi dhe Manaseu do të jenë të mitë, si janë Rubeni dhe Simeoni.» (Zn 48:5) Kështu, më vonë, Efraimi dhe Manaseu u renditën përkrah xhaxhallarëve të tyre si krerë të fiseve.—Nu 2:18-21; Js 17:17.
Në kapitullin e 10-të të Nehemisë gjejmë disa emra të atyre që vërtetuan me vulë «një marrëveshje të denjë për besim» për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë. (Ne 9:38) Emrat në këto lista nuk janë medoemos të individëve që bënë marrëveshjen, por mund t’u referohen shtëpive të përfshira, duke përmendur emrin e kreut të të parëve. (Krahaso Ezd 10:16.) Këtë mund ta tregojë fakti që shumë nga emrat e renditur gjenden edhe në listën e atyre që ishin kthyer bashkë me Zorobabelin nga Babilonia rreth 80 vjet më herët. Pra, ndonëse në disa raste ata që paraqiten këtu mund të kenë pasur të njëjtët emra si të parët e tyre, mbase ishin edhe thjesht përfaqësues të shtëpive të të parëve të renditura sipas këtyre emrave.
Përsëritja e emrave. Në listat gjenealogjike ndodh shumë shpesh që i njëjti emër të përsëritet disa herë. Pa dyshim që kjo metodë ia lehtësonte një pasardhësi të mëvonshëm të identifikonte prejardhjen e tij, ndonëse, natyrisht, disa herë ekzistonin persona me të njëjtin emër në trungje familjare të ndryshme. Disa nga rastet e shumta kur këta emra dalin në të njëjtin trung paraardhësish, janë Sadoku (1Kr 6:8, 12), Azariahu (1Kr 6:9, 13, 14) dhe Elkanahu.—1Kr 6:34-36.
Shpeshherë, në lista paralele shfaqen emra të ndryshëm. Kjo mund të ketë ndodhur sepse disa kanë pasur më shumë se një emër, si për shembull, Jakobi që quhej edhe «Izrael». (Zn 32:28) Po ashtu, një emër mund të jetë shkruar në forma paksa të ndryshme, të cilat disa herë i jepnin një kuptim tjetër. Ja disa shembuj: Abram (që do të thotë «ati është i lartë [i lartësuar]») dhe Abraham (që do të thotë «atë i një shumice [turme]»), Sarajë (ndoshta «grindavece») dhe Sara («princeshë»). Elihu, paraardhësi i profetit Samuel, duket se quhej edhe Eliab dhe Eliel.—1Sa 1:1; 1Kr 6:27, 34.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, herë pas here disave u vihej një emër tjetër, si në rastin e Simon Pjetrit, i cili u quajt Kefa, që është forma aramaike e emrit grek Pjetër (Lu 6:14; Gjo 1:42); e po kështu edhe Gjon Marku. (Ve 12:12) Dikujt mund t’i vihej një emër tjetër për shkak të ndonjë tipari karakteristik. Emri Simon «i zellshmi» (ose «kananeni» në aramaisht) e dallonte këtë apostull nga Simon Pjetri. (Mt 10:4; Lu 6:15) Në disa raste, ndryshimin e bëjnë shprehje të tilla, si «Jakovi, biri i Alfeut», që e dallonte nga Jakovi, biri i Zebedeut dhe vëllai i apostullit Gjon. (Mt 10:2, 3) Emrit të personit mund t’i shtohej emri i qytetit, krahinës ose vendit nga vinte, si Jozefi nga Arimatea ose Juda, galileasi. (Mr 15:43; Ve 5:37) Mendohet se Judë Iskarioti ndoshta do të thotë Juda «njeriu nga Kerioti». (Mt 10:4) Të njëjtat metoda u përdorën edhe në Shkrimet Hebraike. (Zn 25:20; 1Sa 17:4, 58) Për të qartësuar identitetin e dikujt, ndonjëherë i shtohej emri i të vëllait. (Gjo 1:40) Në mënyrë të ngjashme, gratë me të njëjtin emër, dalloheshin nga emri i babait, nënës, vëllait, motrës, burrit ose djalit.—Zn 11:29; 28:9; 36:39; Gjo 19:25; Ve 1:14; 12:12.
Si në Shkrimet Hebraike, ashtu edhe në Shkrimet e Krishtere Greke, mund të përdorej emri i familjes ose një titull, e më pas personi identifikohej nga emri personal ose ndryshe nga koha apo ngjarjet historike me të cilat ai kishte lidhje. Për shembull, Abimelek ishte qoftë emër personal, qoftë titull që mbajtën tre mbretër filistinë, njësoj siç ishte «faraon» për egjiptianët. (Zn 20:2; 26:26; 40:2; Da 1:22; 3:10) Kësisoj, Abimeleku ose faraoni në fjalë mund të identifikohej nga koha dhe rrethanat. Herod ishte emri i familjes; Cezar ishte emri i familjes dhe, më vonë, u bë titull. Kur fliste për ndonjë nga herodët, folësi (nëse ekzistonte rreziku i paqartësisë) mund ta përcaktonte se për kë e kishte fjalën duke përdorur vetëm emrin e personit, për shembull Agripa, ose duke përdorur bashkë me fjalën Herod edhe emrin e personit ose ndonjë titull tjetër, si Herod Antipa, Herod Agripa. Njësoj ishte edhe në rastin e cezarëve, si Cezar Augusti, Cezar Tiberi.—Lu 2:1; 3:1; Ve 25:13.
Emrat e grave. Në regjistrat gjenealogjikë, emrat e grave përdoreshin me raste, vetëm atëherë kur kishte ndonjë arsye historike. Te Zanafilla 11:29, 30 përmendet Saraja (Sara), me sa duket ngaqë Fara e premtuar do të vinte përmes saj, jo përmes ndonjë gruaje tjetër të Abrahamit. Në të njëjtin tregim, Milka mund të jetë përmendur ngaqë ishte gjyshja e Rebekës, gruas së Isakut, dhe kjo tregonte se Rebeka e kishte prejardhjen nga të afërmit e Abrahamit, meqë gruaja e Isakut nuk duhej të ishte nga kombet e tjera. (Zn 22:20-23; 24:2-4) Te Zanafilla 25:1 del emri i gruas tjetër të Abrahamit, Keturës. Kjo tregon se Abrahami u martua sërish pas vdekjes së Sarës, dhe se fuqitë e tij riprodhuese ishin ende gjallë më shumë se 40 vjet pasi Jehovai ia kishte rigjallëruar në mënyrë të mrekullueshme. (Ro 4:19; Zn 24:67; 25:20) Po ashtu, kjo zbulon edhe lidhjen e Midianit e të fiseve të tjera arabe me Izraelin.
Janë përmendur edhe Lea, Rakela dhe konkubinat e Jakobit, bashkë me bijtë që lindën. (Zn 35:21-26) Kjo na ndihmon të kuptojmë si veproi më vonë Perëndia me këta bij. Për të njëjtat arsye, në regjistrat gjenealogjikë gjejmë edhe emrat e disa grave të tjera. Emrat e grave mund të përfshiheshin kur trashëgimia kalonte nëpërmjet tyre. (Nu 26:33) Natyrisht, Tamara, Rahaba dhe Rutha janë raste të veçanta. Në secilin rast, ka diçka të jashtëzakonshme për sa i përket mënyrës se si këto gra u bënë paraardhëse të Mesisë, Jezu Krishtit. (Zn 38; Ru 1:3-5; 4:13-15; Mt 1:1-5) Disa raste të tjera të grave të përmendura në listat gjenealogjike gjenden te 1 Kronikave 2:35, 48, 49; 3:1-3, 5.
Gjenealogji dhe breza. Në disa gjenealogji gjejmë emrat e një burri e të pasardhësve të tij të renditur deri te stër-stërnipat. Nga një këndvështrim, këta mund t’i llogaritim si katër apo pesë breza. Sidoqoftë, burri që është përmendur i pari mund të ketë jetuar aq gjatë, sa t’i ketë parë me sy gjithë këta breza pasardhësish. Kështu, nga këndvështrimi i vet, një «brez» mund të nënkuptonte kohën nga lindja deri në vdekjen e tij, ose deri te pasardhësi më i fundit që pa sa ishte gjallë. Nëse bëhej fjalë për këtë lloj «brezi», natyrisht që kjo do të përfshinte një periudhë shumë më të gjatë se në rastin e këndvështrimit të parë.
Për ta ilustruar: Adami jetoi 930 vjet, dhe pati bij e bija. Gjatë kësaj kohe ai ka parë të paktën tetë breza pasardhësish. Gjithsesi, një pjesë e jetës së tij përkoi me atë të Lamekut, atit të Noesë. Kështu, nga këndvështrimi i tij, Përmbytja ndodhi në brezin e tretë të historisë njerëzore.—Zn 5:3-32.
Në Bibël gjejmë disa raste të kësaj mënyre të llogaritjes. Jehovai i premtoi Abrahamit se ata që do të vinin nga fara e tij, do të bëheshin banorë të ardhur në një vend që s’ishte i tyre, dhe se do të ktheheshin në Kanaan «në brezin e katërt». (Zn 15:13, 16) Numërimi i popullsisë, siç raportohet te kapitujt 1-3 të Numrave, tregon se gjatë qëndrimit 215-vjeçar në Egjipt duhet të ketë pasur shumë breza atë-bir, pasi numri i përgjithshëm i meshkujve nga 20 vjeç e lart pak pas Daljes ishte 603.550 (pa llogaritur fisin e Levit). Mirëpo, ‘katër brezat’ e përmendur te Zanafilla 15:16, duke nisur nga koha e hyrjes në Egjipt deri te Dalja, mund të llogariten kështu: (1) Levi, (2) Kehathi, (3) Amrami, (4) Moisiu. (Da 6:16, 18, 20) Secili prej tyre jetoi më tepër se njëqind vjet. Kështu që çdonjëri nga këta katër «breza» ka parë pasardhës të shumtë, ndoshta deri te stër-stërnipat ose edhe më tej, duke llogaritur 20 ose disa herë edhe 30 vjet nga babai deri te lindja e birit të tij të parë. Në këtë mënyrë mund të shpjegohet se si ‘katër breza’ panë të vinte në jetë një popull kaq të madh në kohën e Daljes.—Shih DALJA.
Një problem tjetër për studiuesit e Biblës lidhet përsëri me këtë numërim të popullsisë. Te Numrat 3:27, 28 thuhet se nga Kehathi rrodhën katër familje, të cilat në kohën e Daljes kishin gjithsej 8.600 meshkuj (8.300 sipas disa dorëshkrimeve të LXX) njëmuajsh e lart. Kështu, në këtë kohë, duket se Moisiu ka pasur mijëra vëllezër, kushërinj e nipa. Nga kjo disa kanë arritur në përfundimin se Moisiu nuk ishte i biri i Amramit, birit të Kehathit, por i një Amrami tjetër, që jetoi disa breza më vonë. Sipas tyre vetëm kështu do të kishte pasur kohë të mjaftueshme për formimin e një popullsie meshkujsh kaq të madhe vetëm në katër familje kehathite në kohën e Daljes së izraelitëve nga Egjipti.
Mirëpo, problemi mund të zgjidhet në dy mënyra. Së pari, siç është ilustruar edhe më lart, jo të gjithë djemtë e një personi jepen gjithnjë me emër. Prandaj, ka mundësi që Kehathi, Amrami dhe katër djemtë e Amramit të përmendur me emër, të kenë pasur më shumë djem nga sa janë shënuar specifikisht në listë. Së dyti, ndonëse Levi, Kehathi, Amrami dhe Moisiu përfaqësojnë katër breza nga këndvështrimi i katër jetëve të tyre, individualisht ata mund të kenë parë disa breza gjatë jetës. Kështu që, edhe sikur të llogaritim për çdo rast 60 vjet mes lindjes së Levit e Kehathit, Kehathit e Amramit dhe Amramit e Moisiut, shumë breza mund të kenë lindur gjatë secilës periudhë 60-vjeçare. Në kohën e Daljes, Moisiu mund të ketë parë stër-stërnipa, madje edhe fëmijët e tyre. Prandaj, numri i përgjithshëm 8.600 (ose ndoshta 8.300) nuk do të thotë medoemos se kishte një Amram tjetër mes Amramit, birit të Kehathit, dhe Moisiut.
Një pikëpyetje lind në lidhje me prejardhjen e Farës së premtuar, Mesisë, në gjenealogjinë e Nahasonit, prijës i fisit të Judës pas Daljes. Rutha 4:20-22 tregon se Jeseu është hallka e pestë nga Nahasoni te Davidi. Periudha kohore nga Dalja te Davidi është rreth 400 vjet. Sipas kësaj, secili nga këta paraardhës të Davidit duhet të ketë qenë mbase 100 vjeç (siç ishte Abrahami) kur i ka lindur djalë. Kjo nuk është e pamundur, madje mund të ketë ndodhur. Këta bij të përmendur në librin e Ruthës, mund të mos kenë qenë të parëlindur, sikurse edhe Davidi nuk ishte i parëlinduri, por më i vogli i bijve të shumtë të Jeseut. Po ashtu, Jehovai mund të ketë bërë që prejardhja e Farës të vinte përmes kësaj mënyre pothuajse të mrekullueshme, që në retrospektivë të ishte e dukshme se Ai vetë e kishte drejtuar gjatë gjithë kohës punën e Farës së premtuar, ashtu siç kishte bërë pa diskutim në rastin e Isakut e të Jakobit.
Nga ana tjetër, mund të ketë ndodhur që disa emra të mos jenë përfshirë qëllimisht në këtë periudhë 400-vjeçare të gjenealogjisë së Mesisë, e cila është regjistruar edhe te 1 Kronikave 2:11-15, Mateu 1:4-6 dhe Luka 3:31, 32. Megjithatë, fakti që të gjitha këto lista përputhen në këtë pjesë të gjenealogjisë, mund të nënkuptojë se asnjë emër nuk është lënë pa përfshirë. Sidoqoftë, edhe sikur kronistët që përpiluan këto lista të kenë lënë jashtë disa emra që i kanë konsideruar të parëndësishëm ose të panevojshëm për qëllimin e tyre, kjo nuk do të përbënte ndonjë problem. Edhe po të hamendësonim se mund të ketë pasur disa breza të tjerë të ndërmjetëm, kjo nuk do të binte ndesh me pjesën tjetër të pohimeve apo të kronologjisë biblike.
Gjenealogjia biblike është e besueshme. Një studiues i kujdesshëm dhe i sinqertë i gjenealogjisë biblike, nuk ka pse të akuzojë kronistët e Biblës për pakujdesi, pasaktësi a ekzagjerime nxitur nga dëshira për të lartësuar kombin a fisin e tyre, ose edhe ndonjë individ. S’duhet të harrojmë se ata që përfshinë gjenealogji në shkrimet e tyre (si Ezdra dhe Nehemia) iu referuan arkivit kombëtar dhe materialin e morën nga burime zyrtare që kishin në dispozicion. (Shih LIBRAT E KRONIKAVE.) Në to gjetën informacionin që plotësonte nevojën e tyre. I përdorën ato lista për t’u provuar të gjithëve në mënyrë të plotë gjithçka që duhej provuar në atë kohë. Me sa duket, listat e tyre gjenealogjike pranoheshin plotësisht nga ata që jetonin atëherë, nga njerëz që zotëronin fakte dhe regjistra. Prandaj duhet të mbajmë parasysh situatën në të cilën ata vepronin. Ezdra dhe Nehemia u morën me këto çështje në periudha riorganizimi, dhe gjenealogjitë që përpiluan, ishin thelbësore për funksionimin e institucioneve jetike që lidheshin me ekzistencën e kombit.
Këto lista gjenealogjike patjetër që do të ndryshonin kohë pas kohe; emra të rinj do të shtoheshin dhe të tjerë do të hiqeshin; shpesh, në listat që kishin lidhje me të shkuarën e largët, përmendeshin vetëm krerët më të rëndësishëm të familjeve. Në disa raste, ca emra më pak të rëndësishëm shfaqeshin në ndonjë listë për shkak të interesit të momentit. Herë-herë, burimet e përdorura në disa raste jepnin vetëm lista të pjesshme. Disa pjesë mund të mungonin ose vetë kronisti mund të ketë kaluar ca pjesë ngaqë nuk ishin të nevojshme për qëllimin e tij. As sot nuk janë të nevojshme për qëllimin tonë.
Në ndonjë rast, në tekst mund të kenë shpëtuar disa gabime të kopistëve, sidomos në shkrimin e emrave. Por këto nuk paraqitin ndonjë problem për sa i përket gjenealogjive që na nevojiten për të kuptuar Biblën; as ndikojnë në themelin e krishterimit.
Shqyrtimi i kujdesshëm i Biblës do të davariste idenë e rreme që është hedhur ndonjëherë, sipas së cilës gjenealogjitë e lashta të Zanafillës, në kapitujt 5 dhe 11, e në libra të tjerë biblikë, përmbajnë emra imagjinarë apo të sajuar që u shkonin për shtat planeve të kronistit. Këta kronistë ishin shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, jo nacionalistë; ata kishin për zemër emrin e Jehovait dhe gjërat që ai kishte bërë për popullin e tij. Për më tepër, shumë nga këta individë u përmendën si personazhe reale jo vetëm nga shkrimtarë të tjerë të Biblës, por edhe nga Jezu Krishti. (Is 54:9; Ezk 14:14, 20; Mt 24:38; Gjo 8:56; Ro 5:14; 1Ko 15:22, 45; 1Ti 2:13, 14; He 11:4, 5, 7, 31; Jk 2:25; Jd 14) Të kundërshtosh gjithë këto dëshmi, është si të akuzosh Perëndinë e së vërtetës se thotë gënjeshtra apo se ka nevojë për sajesa a marifete që të nxitë njerëzit të besojnë në Fjalën e tij. Po ashtu, kjo do të mohonte edhe faktin se Bibla është e frymëzuar.
Siç tha apostulli: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2Ti 3:16, 17) Prandaj, ne mund t’u besojmë plotësisht gjenealogjive të regjistruara në Bibël. Ato siguruan statistika jetësore jo vetëm për kohën kur u shkruan, por edhe për ne sot. Falë tyre kemi sigurinë e plotë gjenealogjike se Jezu Krishti është Fara e premtuar dhe e shumëpritur e Abrahamit. Na ndihmojnë së tepërmi të përcaktojmë kronologjinë deri tek Adami, diçka që s’mund të gjendet në asnjë burim tjetër. Dimë se «nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut». (Ve 17:26) Vërejmë se faktikisht «kur Më i Larti u dha kombeve një trashëgimi, kur ndau bijtë e Adamit nga njëri-tjetri, ai caktoi kufijtë e popujve sipas numrit të bijve të Izraelit» (Lp 32:8) dhe kuptojmë se ç’lidhje kanë kombet mes tyre.
Duke ditur origjinën e njerëzimit, se Adami ishte fillimisht «bir i Perëndisë» dhe se ne të tjerët vijmë të gjithë nga Adami (Lu 3:38), kuptojmë qartësisht pohimin: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Ro 5:12) Gjithashtu, dallojmë se në ç’kuptim Jezu Krishti mund të jetë «Adami i fundit» dhe «Atë i përjetshëm», dhe si ndodh që «ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen». (Is 9:6; 1Ko 15:22, 45) Mund të kuptojmë më mirë qëllimin e Perëndisë që njerëzit e bindur të gëzojnë sërish marrëdhënien e «fëmijëve të Perëndisë». (Ro 8:20, 21) Vërejmë se Jehovai u ka treguar dashamirësi «për mijëra breza» të gjithë atyre që e duan dhe mbajnë urdhërimet e tij. (Lp 7:9) Shohim sa i vërtetë është ai si Perëndi që mban besëlidhjen dhe me sa kujdes ka ruajtur këtë regjistrim historik, mbi të cilin mund të ndërtojmë të sigurt besimin tonë. Ashtu si aspekte të tjera të Biblës, edhe gjenealogjia provon se Perëndia është Regjistruesi dhe Ruajtësi i madh i historisë.—Shih GJENEALOGJIA E JEZU KRISHTIT.
Këshilla të Pavlit për gjenealogjitë. Kur shkroi aty rreth viteve 61-64 të e.s., apostulli Pavël i tha Timoteut të mos u kushtonte vëmendje «përrallave e gjenealogjive që s’kanë fund, nga të cilat ngrihen pyetje që të harxhojnë kohë, në vend që të japin ndonjë gjë nga Perëndia në lidhje me besimin». (1Ti 1:4) E vlerësojmë edhe më shumë rëndësinë e këtij paralajmërimi, kur mësojmë se në ç’ekstreme vajtën më vonë judenjtë në kërkim të gjenealogjive dhe sa imtësisht kërkuan çdo mospërputhje të mundshme. Talmudi babilonas (Pesahim 62b) thotë se vetëm «mes ‘Azel’ dhe ‘Azel’ [1 Kronikave 8:38–9:44, një fragment gjenealogjik i Biblës] kishte aq shumë interpretime, sa ngarkesa e katërqind deveve»!—Hebrew-English Edition of the Babylonian Talmud, përkthyer në anglisht nga H. Fridmani, Londër, 1967.
Të rrije të studioje e të diskutoje mbi këto çështje s’kishte kuptim, dhe aq më shumë vlente kjo kur Pavli i shkroi Timoteut. S’ishte më thelbësore të mbaje regjistrat gjenealogjikë për të provuar prejardhjen e dikujt, pasi Perëndia tanimë nuk bënte asnjë dallim mes judenjve dhe jojudenjve në kongregacionin e krishterë. (Ga 3:28) Po ashtu, regjistrat gjenealogjikë e kishin përcaktuar tashmë prejardhjen e Jezu Krishtit nëpërmjet trungut të Davidit. Jo shumë kohë pasi Pavli shkroi këtë paralajmërim, Jerusalemi do të shkatërrohej e bashkë me të edhe regjistrat e judenjve. Perëndia nuk i ruajti. Ja përse Pavli kishte merak se mos Timoteu dhe kongregacionet shpërqendroheshin e kalonin kohë duke bërë kërkime e duke u marrë me debate për çështje të prejardhjes, që s’do të kishin pikë vlere për besimin e krishterë. Gjenealogjia që gjendet në Bibël mjafton për të provuar se Jezui është Mesia, çështja gjenealogjike më e rëndësishme që u intereson të krishterëve. Gjenealogjitë e tjera të Biblës janë vetëm dëshmi të autenticitetit të tregimit biblik, që tregojnë qartë se është një tregim historik i mirëfilltë.