Gjoni
4 Kur Zotëria mori vesh se farisenjtë dëgjuan që Jezui po bënte e po pagëzonte+ më shumë dishepuj se Gjoni— 2 ndonëse në të vërtetë Jezui vetë nuk pagëzonte, por dishepujt e tij— 3 ai u largua nga Judea dhe u nis përsëri për në Galile. 4 Por i duhej të kalonte nëpër Samari.+ 5 Kështu, vajti në një qytet të Samarisë, të quajtur Sihar, afër fushës që Jakobi i dha të birit, Jozefit.+ 6 Atje ishte burimi i Jakobit.+ I lodhur nga udha, Jezui po rrinte ulur pranë burimit. Ishte afërsisht ora e gjashtë.*
7 Një grua nga Samaria vajti të nxirrte ujë. Jezui i tha: «Më jep pak ujë.» 8 (Dishepujt e tij kishin ikur në qytet për të blerë ushqime.) 9 Prandaj gruaja samaritane i tha: «Si vallë ti, edhe pse je jude, më kërkon ujë mua, që jam një samaritane?» (Sepse judenjtë nuk bëhen me samaritanët.)+ 10 Jezui iu përgjigj: «Po ta kishe njohur dhuratën+ falas të Perëndisë dhe se kush+ po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, ti do t’i kishe kërkuar atij, e ai do të të jepte ujë jetëdhënës.»+ 11 Ajo i tha: «Imzot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë ujë dhe pusi është i thellë. Nga e ke pra, këtë ujë jetëdhënës?! 12 Mos je ti më i madh+ se Jakobi, paraardhësi ynë, i cili na dha pusin dhe piu nga ai bashkë me bijtë dhe bagëtitë e veta?» 13 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë prapë etje, 14 kurse kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës.+ Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji+ që gufon për të dhënë jetë të përhershme.»+ 15 Gruaja i tha: «Imzot, më jep nga ky ujë, që të mos kem etje dhe të mos vazhdoj të vij këtu për të nxjerrë ujë.»
16 Ai i tha: «Shko e thirr burrin tënd dhe eja këtu.» 17 Gruaja iu përgjigj: «Unë nuk kam burrë.» Jezui i tha: «Mirë the: ‘Nuk kam burrë.’ 18 Sepse ke pasur pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt. Për këtë the të vërtetën.» 19 Gruaja i tha: «Imzot, e shoh që je një profet.+ 20 Paraardhësit tanë adhuruan në këtë mal,+ kurse ju thoni se vendi ku duhet të adhurojnë njerëzit, është në Jerusalem.»+ 21 Jezui i tha: «Besomë, o grua, se po vjen ora kur ju nuk do ta adhuroni+ Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.+ 22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni,+ kurse ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë.+ 23 Megjithatë, po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë+ dhe të vërtetë,+ sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.+ 24 Perëndia është Frymë,+ dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.»+ 25 Gruaja i tha: «Unë e di se po vjen Mesia,+ i cili quhet Krisht.+ Kurdo që të vijë, ai do të na i shpallë hapur të gjitha gjërat.» 26 Jezui i tha: «Unë që po të flas, jam ai.»+
27 Në atë çast mbërritën dishepujt e tij dhe u çuditën që ai po fliste me një grua. Natyrisht, askush nuk pyeti: «Çfarë kërkon?» ose «Përse po flet me të?» 28 Gruaja la shtambën, iku në qytet dhe u tha burrave: 29 «Ejani të shihni një njeri që më tha çdo gjë që kam bërë. Të jetë ky Krishti,+ vallë?!» 30 Ata dolën nga qyteti dhe nisën të shkonin tek ai.
31 Ndërkohë, dishepujt po i luteshin: «Rabi,+ ha.» 32 Por ai u tha: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.» 33 Prandaj dishepujt nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Mos vallë i ka sjellë dikush ndonjë gjë për të ngrënë?» 34 Jezui u tha: «Ushqimi im+ është të bëj vullnetin+ e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.+ 35 A nuk thoni ju se duhen ende edhe katër muaj para se të vijnë të korrat? Unë po ju them: ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.+ Tashmë 36 korrësi po merr pagën dhe po mbledh frytin për jetë të përhershme,+ që mbjellësi+ dhe korrësi të gëzojnë së bashku.+ 37 Në lidhje me këtë është e vërtetë thënia: njëri është mbjellësi dhe tjetri korrësi. 38 Unë ju dërgova që të korrni atë për të cilën nuk jeni munduar. Të tjerë janë munduar+ dhe ju hytë që të keni dobi nga mundi i tyre.»
39 Atëherë shumë samaritanë të atij qyteti treguan besim+ tek ai, për shkak të dëshmisë së gruas: «Ai më tha çdo gjë që kam bërë.»+ 40 Prandaj, kur samaritanët shkuan tek ai, i kërkuan që të rrinte me ta, dhe ai qëndroi atje dy ditë.+ 41 Kështu, shumë të tjerë besuan për shkak të asaj që tha ai+ 42 dhe nisën t’i thoshin gruas: «Ne nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, por sepse e dëgjuam vetë+ dhe e dimë se ky njeri është pa dyshim shpëtimtari+ i botës.»
43 Pas dy ditëve, ai u nis për në Galile.+ 44 Megjithatë, Jezui dha dëshmi se profetin nuk e nderojnë në vendin e vet.+ 45 Prandaj, kur mbërriti në Galile, galileasit e pranuan, sepse i panë të gjitha ato që bëri ai në Jerusalem gjatë festës,+ meqë edhe ata kishin qenë në festë.+
46 Kështu, ai shkoi përsëri në Kanë+ të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë.+ Atje ishte një nëpunës i mbretit, që e kishte të birin të sëmurë në Kapernaum.+ 47 Kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judea në Galile, ai shkoi te Jezui dhe nisi t’i kërkonte të zbriste e t’i shëronte të birin, sepse ishte duke vdekur. 48 Mirëpo, Jezui i tha: «Po të mos shikoni shenja+ dhe çudira,+ ju kurrsesi nuk do të besoni.» 49 Nëpunësi i mbretit i tha: «Zotëri, zbrit para se të më vdesë fëmija.» 50 Jezui i tha: «Shko,+ yt bir jeton.»+ Ai i besoi fjalës së Jezuit dhe shkoi. 51 Kur po zbriste, skllevërit e vet i dolën para për t’i thënë se i biri jetonte.+ 52 Atëherë ai nisi t’i pyeste se në ç’orë ishte bërë më mirë. Ata iu përgjigjën: «Ethet+ e lanë dje, në orën e shtatë.»* 53 Atëherë i ati e kuptoi se kishte ndodhur pikërisht në atë orë+ kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir jeton.» Prandaj, ai bashkë me tërë ata të shtëpisë së tij besuan.+ 54 Kjo ishte shenja e dytë+ që kreu Jezui, kur doli nga Judea për në Galile.