Sipas Mateut
12 Në atë kohë, në Sabat, Jezui po ecte përmes arave me grurë. Dishepujt e tij i mori uria dhe nisën të këputnin kallinj gruri e të hanin.+ 2 Kur e panë këtë, farisenjtë i thanë: «Shiko, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e ligjshme në Sabat.»+ 3 Ai ua ktheu: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe burrat që ishin me të?+ 4 A nuk hyri ai në shtëpinë e Perëndisë dhe a nuk hëngrën ata bukët e paraqitjes,*+ të cilat s’ishte e ligjshme t’i hante as ai dhe as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?+ 5 Ose, a nuk e keni lexuar në Ligj se në Sabat priftërinjtë punojnë në tempull, e megjithatë mbeten të pafaj për shkeljen e Sabatit?+ 6 Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli.+ 7 Megjithatë, po të kishit kuptuar ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë+ dhe jo flijime’,+ nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit, 8 sepse Biri i njeriut është Zotëri i Sabatit.»+
9 Pasi u largua që andej, ai shkoi në sinagogën e tyre 10 dhe atje pa një burrë me dorë të tharë.*+ Me qëllim që ta akuzonin, ata e pyetën: «A është e ligjshme të shërosh në Sabat?»+ 11 Ai iu përgjigj: «Po të kishit një dele të vetme dhe ajo të binte në gropë ditën e Sabatit, kush nga ju nuk do ta kapte e ta nxirrte që andej?+ 12 Sa më shumë vlen një njeri se një dele! Prandaj është e ligjshme të bësh një të mirë në Sabat.» 13 Atëherë ai i tha burrit me dorë të tharë: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu, dhe ajo u shërua e u bë e shëndoshë si tjetra. 14 Por farisenjtë dolën dhe komplotuan për ta vrarë. 15 Kur e mori vesh, Jezui u largua. Shumë veta e ndoqën pas+ dhe ai i shëroi të gjithë, 16 por i urdhëroi prerazi të mos tregonin kush ishte,+ 17 që të përmbushej çfarë ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia:
18 «Ja shërbëtori im+ që zgjodha, Biri im i dashur që kam miratuar!*+ Unë do të vë tek ai frymën* time,+ dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve ç’është drejtësia. 19 Ai nuk do të grindet,+ as do të bërtasë fort dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin rrugëve kryesore. 20 Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym,+ derisa t’i sigurojë fitoren drejtësisë. 21 Vërtet, kombet do t’i varin shpresat tek emri i tij.»+
22 Pastaj i sollën një njeri të pushtuar nga demonët, të verbër e të pagojë, dhe ai e shëroi. Kështu që i pagoji filloi të fliste e të shikonte. 23 Gjithë turma mbeti gojëhapur dhe nisi të thoshte: «Mos është ky Biri i Davidit?!» 24 Kur dëgjuan këtë, farisenjtë thanë: «Ky njeri i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit,* sundimtarit të demonëve.»+ 25 Duke i ditur mendimet e tyre, ai u tha: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk do të qëndrojë. 26 Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë se është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij? 27 Për më tepër, nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë* tuaj? Ja pse vetë bijtë tuaj do të jenë gjykatësit tuaj. 28 Por, nëse unë i dëboj demonët me anë të frymës së Perëndisë, atëherë Mbretëria e Perëndisë ju ka gjetur vërtet në befasi.+ 29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një burri të fortë e ta grabitë nëse nuk e lidh më parë? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë. 30 Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.+
31 Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo lloj mëkati dhe blasfemie,* kurse blasfemia kundër frymës së shenjtë nuk do të falet.+ 32 Për shembull, kushdo që flet kundër Birit të njeriut, do të falet,+ por kushdo që flet kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet, jo, as në këtë sistem* dhe as në atë që do të vijë.+
33 Nëse kultivoni një pemë të mirë, ajo do të japë fryt të mirë, por nëse kultivoni një pemë të keqe, ajo do të japë fryt të kalbur, sepse pema njihet nga fryti që jep.+ 34 Pjellë nepërkash,+ si mund të thoni gjëra të mira kur jeni të ligj? Faktikisht, goja flet nga bollëku i zemrës.+ 35 Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i vet i mirë, kurse njeriu i lig nxjerr gjëra të liga nga thesari i vet i lig.+ 36 Unë po ju them se Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari+ për të gjitha fjalët e kota që thonë, 37 sepse nga fjalët e tua, ose do të shpallesh i drejtë, ose do të dënohesh.»
38 Atëherë disa nga skribët dhe farisenjtë iu përgjigjën: «Mësues, duam të shohim një shenjë nga ti.»+ 39 Ai ua ktheu: «Ky brez i lig dhe kurorëshkelës* vazhdon të kërkojë një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Joná,+ 40 sepse ashtu si Jonai qëndroi në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net,+ kështu edhe Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.+ 41 Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen Ditën e Gjykimit bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.+ 42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet Ditën e Gjykimit bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar mençurinë e Solomonit.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.+
43 Kur një frymë e ndyrë* del nga një njeri, ajo kalon nëpër vende të shkreta në kërkim të një vendi ku të pushojë, por nuk gjen asnjë.+ 44 Atëherë thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë nga dola.’ Me të mbërritur atje, e gjen shtëpinë të pabanuar, por të pastruar e të zbukuruar. 45 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të ndryshme, më të liga se vetja, dhe hyjnë e banojnë atje. Kështu, përfundimisht, gjendja e atij njeriu bëhet më e keqe se në fillim.+ Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të lig.»
46 Ndërsa ai po i fliste ende turmës, e ëma dhe vëllezërit+ po rrinin jashtë dhe donin të flitnin me të.+ 47 Prandaj dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të flasin me ty.» 48 Ai ia ktheu: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» 49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve të tij dhe tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!+ 50 Vërtet, vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.»+