EDOMI
[i kuq], edomitët.
Edom ishte emri i dytë ose nofka që iu vu Esaut, vëllait binjak të Jakobit (Zn 36:1), ngaqë shiti të drejtën e të parëlindurit në këmbim të gjellës së kuqe. (Zn 25:30-34) Gjithashtu, rastisi që Esau ishte shumë i kuq kur lindi (Zn 25:25), e po ajo ngjyrë mbizotëronte edhe në disa rajone ku banuan më pas ai dhe pasardhësit e tij.
Seiri dhe Edomi. Gjatë 20 viteve që Jakobi qëndroi në Haran, Esau (Edomi) kishte nisur të banonte në vendin e Seirit, «në fushën e Edomit». (Zn 32:3) Pra, me sa duket, që para se të vdiste i ati (Zn 35:29), Esau kishte filluar të plotësonte bekimin profetik të Isakut, duke e drejtuar vëmendjen larg tokës pjellore përqark Hebronit dhe, pa dyshim, duke nisur ‘të jetonte me anë të shpatës së vet’, bashkë me 400 burrat që u printe. (Zn 27:39, 40; 32:6, 8) Gjithsesi, Shkrimet tregojnë se banonte ende në zonën e Hebronit ose kishte atje një kamp bazë, dhe u shpërngul përfundimisht në rajonin malor të Seirit vetëm pas vdekjes së të atit (1738 p.e.s.). Në atë kohë, familja e tij ishte shtuar dhe Esau kishte vënë pasuri të madhe.—Zn 36:6-8.
Më parë, Seiri i përkiste horitëve (Zn 14:6; 36:20-30), por bijtë e Esaut ua morën pronat sheikëve horitë dhe e shtinë në dorë rajonin. (Lp 2:12) Pas kësaj, vendi u quajt Edom, ndonëse vazhdoi të përdorej edhe emri i vjetër Seir.—Nu 24:18.
Përshkrimi gjeografik. Lugina e përroit të Zeredit shërbente si kufi me Moabin në veri. Prej andej, territori i Edomit shtrihej për afro 160 km deri poshtë në Elath (Eloth), në gjirin e ʽAkabës në jug. (Lp 2:1-8, 13, 14; 1Mb 9:26) Në lindje, Edomi me sa duket shkonte deri buzë shkretëtirës së Arabisë, kurse në perëndim kalonte Arabahun dhe arrinte gjer në shkretëtirën e Zinit, duke përfshirë rajonin malor të Negebit, i cili shtrihej nga skaji jugperëndimor i Detit të Kripur deri poshtë në Kadesh-Barnea. Pra, zona perëndimore e Edomit u bë kufiri juglindor i territorit të Judës.—Js 15:1; krahaso Nu 34:3.
Megjithatë, zemra e territorit të Edomit duket se ndodhej në lindje të Arabahut, sepse në vargmalin e lartë të atyre viseve, që vende-vende arrin lartësinë 1.700 m, hera-herës bien reshje. Kjo ndodh ngaqë rajoni në perëndim të Arabahut, Negebi, është shumë më i ulët se vargmali. Si pasojë, disa re shiu nga Mesdheu e kapërcejnë atë rajon dhe arrijnë deri te malet më të larta të Edomit, ku derdhin një pjesë të reshjeve të mbetura. Në fakt, kërkimet arkeologjike kanë zbuluar një varg fshatrash e fortesash të lashta përgjatë një rripi toke të lërueshme në pjesën më të lartë të rrafshnaltës së stërgjatur. Mirëpo, numri i tyre sa vjen e rrallohet kur shkon drejt jugut, për në gjirin e ʽAkabës. Në Tafilehun e sotëm, afro 30 km në jug të Detit të Vdekur (të Kripur), ka ullishte të mëdha, ndonëse ato ekzistojnë kryesisht falë ujit që buron nga tetë kroje të mira, pasi sasia e reshjeve është vetëm rreth 28 cm në vit.
Edhe pse toka pjellore ishte e paktë, në atë rajon të thyer malor kishte rezerva të çmuara bakri dhe hekuri; përqark Feinanit të sotëm, afro 48 km në jug të Detit të Vdekur, nxirreshin dhe shkriheshin xeherorë. Gjithashtu, dëshmitë tregojnë se në lashtësi atje kishte pyje të mëdha me pisha.
Në përputhje me sa u tregua më sipër, kur i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit, Moisiu tha se izraelitët ndodheshin në Kadesh-Barnea, «në skaj të territorit» të atij mbreti. Pastaj, kur kërkoi leje që të kalonin paqësisht nëpër Edom, përmendi arat, vreshtat dhe puset e edomitëve.—Nu 20:14-17.
Pozita strategjike. Moisiu kërkoi leje që Izraeli të kalonte nëpër Edom, në «rrugën e mbretit». (Nu 20:17) Ka të ngjarë që ajo rrugë të zinte fill nga gjiri i ʽAkabës, të ngjitej deri në Damask të Sirisë dhe, kur përshkonte Edomin, të kalonte buzë rrafshnaltave që kufizonin Arabahun nga lindja. Përgjatë rrugës gjendeshin qytetet kryesore të Edomit. (Zn 36:33; 2Mb 14:7) Veç kësaj, një udhë karvanësh shkonte nga Negebi drejt lindjes, duke kaluar nëpër Maʽan, në kufi të shkretëtirës së Arabisë, ku takohej me një tjetër udhë karvanësh që shkonte në veri dhe në jug. Përmes tyre transportoheshin mallra të çmuara nga Egjipti, Arabia, Siria dhe Mesopotamia. Taksat e kalimit të mbledhura nga karvanët me deve a gomarë që përshkonin ato rrugë, duhet ta kenë pasuruar mjaft Edomin. Ndoshta edhe udhëtarët e sfilitur të shkretëtirës paguanin për ushqim e strehim kur arrinin në Edom.
Rrëpira ose faqja e rrafshnaltës kundrejt Arabahut ishte mbrojtje e shkëlqyer nga ajo anë për fortesën kryesore të Edomit. Kanioni i thellë i luginës së përroit të Zeredit ishte si një barrikadë për mësymjet nga Moabi. (Megjithatë, shih Am 2:1.) Në lindje, një varg kështjellash kundrejt shkretëtirës e mbronin atë zonë më të dobët nga midianitët dhe fise të tjera nomade. Veç kësaj, faqet e të çarave mes maleve dhe rrafshnaltave, që zakonisht janë prej shkëmbinjsh të kuq ranorë të pakapërcyeshëm, krijojnë gryka të frikshme. Me të drejtë, profecia që shpalli Jehovai me anë të Jeremisë tregonte se edomitët ndiheshin të sigurt si shqiponja në fole, meqë ‘banonin në strukat e shkrepit e zotëronin majën e kodrës’.—Jr 49:7, 16.
Popullsia. Si pasardhës të Esaut, edomitët në thelb kishin origjinë semite, por ishin mjaft të përzier me degën kamitike. Kjo sepse dy nga gratë e Esaut vinin nga trungu kamitik kananit (hitite dhe hivite); vetëm njëra nga gratë e përmendura në Bibël ishte pjesërisht semite, pasardhëse e Ismaelit, birit të Abrahamit. (Zn 36:2, 3) Nëse fjala ‘horit’ do të thotë thjesht «banor shpelle», siç pohojnë disa studiues, atëherë gruaja hivite e Esaut, Oholibama, bija e Anahut, mund ta ketë pasur origjinën nga banorët horitë të Seirit. (Krahaso Zn 36:2, 20, 24, 25.) Sidoqoftë, edomitët, ashtu si moabitët dhe amonitët, pasardhësit e Lotit (vër re Dn 11:41), ishin të afërm të izraelitëve dhe fillimisht rrethpriteshin edhe ata. (Jr 9:25, 26; krahaso Ezk 32:29.) Jehovai i quajti ‘vëllezër’ të Izraelit, dhe izraelitët që udhëtonin përmes shkretëtirës nuk duhej ta cenonin tokën e Edomit, pasi Jehovai ia kishte dhënë malin e Seirit pasardhësve të Edomit.—Lp 2:1-8.
Në fillim, fiset edomite drejtoheshin nga sheikët, por më pas u organizuan si një mbretëri. Vargu i mbretërve tregon se ata vinin nga fise të ndryshme, pra, froni nuk trashëgohej brenda familjes. (Zn 36:15-19, 31-43) Sipas disa kritikëve, fjalët e Zanafillës 36:31 ku sundimtarët e Edomit quhen «mbretërit që mbretëruan në vendin e Edomit përpara se të mbretëronte ndonjë mbret mbi bijtë e Izraelit» janë gabim kronologjik ose informacion i shtuar më vonë. Mirëpo nuk është kështu, pasi Moisiu, i cili shkroi Zanafillën, e dinte tashmë premtimin e qartë që i kishte bërë Perëndia Jakobit (Izraelit) se ‘nga ijët e tij do të dilnin mbretër’. (Zn 35:11) Vetë Moisiu paratha se me kalimin e kohës Izraeli do të kishte një mbret.—Lp 28:36.
Septuaginta greke bën një shtesë te Jobi 42:17, për ta identifikuar Jobin me Jobabin, mbretin edomit të Zanafillës 36:33. Megjithatë, Jobi ishte nga vendi i Uzit, emër që iu vu fillimisht një fisi aramait dhe që shfaqet edhe mes pasardhësve aramaitë të Nahorit. (Jb 1:1; krahaso Zn 10:23; 22:20, 21.) Te Vajtimet 4:21 thuhet vërtet se Edomi ‘banonte në vendin e Uzit’, por ky varg, i shkruar shumë shekuj pas kohës kur duhet të ketë jetuar Jobi, nuk tregon se Uzi është Edomi, sidomos ngaqë Jeremia 25:20, 21 i veçon «mbretërit e vendit të Uzit» nga Edomi. Ka të ngjarë që vargu të tregonte një zgjerim të territorit edomit.—Shih UZI nr. 11.
Ndoshta temaniti Elifaz, njëri nga tre ‘shokët’ që shkuan te Jobi dhe e kritikuan teksa lëngonte nga sëmundja, ishte edomit. (Jb 2:11; krahaso Zn 36:11, 34.) Te Jeremia 49:7, Temani paraqitet si vatra e mençurisë së Edomit; mbase namin si njerëz të mençur edomitët e morën edhe ngaqë kishin kontakte dhe komunikonin vazhdimisht me udhëtarë nga Lindja.
Nga Dalja deri në fund të historisë së Judës. Jehona e shkatërrimit të ushtrisë së faraonit dhe e shpëtimit të Izraelit në Detin e Kuq me anë të një mrekullie arriti edhe në Edom, ashtu si në mbarë rajonin e Kanaanit dhe përqark tij. (Da 15:14, 15) Në shkretëtirën e gadishullit të Sinait, Izraelin e sulmuan për herë të parë amalekitët, një fis edomit që zotëronte një territor të gjerë dhe ishte burim telashesh për Izraelin gjatë gjithë historisë së tyre. (Da 17:8-16; krahaso Zn 36:12, 16; shih AMALEKU, AMALEKITËT.) Në fund të periudhës që izraelitët u endën nëpër shkretëtirë, Moisiu kërkoi leje me respekt që të kalonin nëpër Edom nga ‘rruga e mbretit’, por kërkesa e tij nuk u pranua dhe mbreti edomit, të cilit nuk i përmendet emri, mobilizoi forca ushtarake të fuqishme që të pengonte hyrjen e izraelitëve. (Nu 20:14-21) Kështu, pas vdekjes së Aaronit në malin e Horit, afër kufirit të Edomit (Nu 20:22-29), Izraeli i ra anës zonës qendrore të Edomit, ngriti kampin pranë luginës së përroit të Zeredit dhe pastaj udhëtoi drejt veriut, matanë kufirit lindor të Moabit.—Nu 21:4, 10-13; Gjy 11:18; krahaso Lp 2:26-29.
Në bekimin poetik që i dha Izraelit para se të vdiste, Moisiu e përshkroi Perëndinë Jehova sikur ‘erdhi nga Sinai’, sikur ‘rrëzëlleu nga Seiri [Edomi]’ dhe sikur ‘rrezatoi nga malet e Paranit’. Një përshkrim i ngjashëm gjendet në këngën e Barakut dhe të Deborës, si edhe në profecinë e Habakukut. (Lp 33:2; Gjy 5:4, 5; Ha 3:3, 4) Ky përshkrim profetik me sa duket paraqit skenën ku Jehovai iu shfaq kombit të tij të sapoformuar, duke i ndriçuar si me rreze drite që rrëzëllenin nga majat e maleve.
Izraeli ishte urdhëruar të mos i pështirosej edomiti, ‘se ishte vëllai i tij’. (Lp 23:7, 8) Megjithatë, jo vetëm fisi agresiv amalekit, por mbarë Edomi i kundërvihej pareshtur Izraelit. Sauli luftoi kundër tyre dhe fitoi. (1Sa 14:47, 48) Gjithsesi, Sauli kishte kryebari një edomit, Doegun, i cili e spiunoi Davidin te Sauli. Kur burrat e Saulit nuk deshën të sulmonin priftërinjtë e Nobit, Sauli përdori Doegun që të bënte një masakër të madhe.—1Sa 21:7; 22:9-18.
Mbreti David korri një fitore vendimtare kundër edomitëve në Luginën e Kripës. (2Sa 8:13; shih LUGINA E KRIPËS.) Ndonëse nuk thuhet ç’gjë e ndezi atë betejë, pa dyshim që shkaku ishte agresioni edomit, ndoshta sepse edomitët mendonin që pjesa jugore e mbretërisë së Davidit kishte mbetur më e pambrojtur, si pasojë e fushatave të tij ushtarake në Siri. Te 1 Kronikave 18:12 tregohet se edomitët i mundi Abishai, kurse në mbishkrimin e Psalmit 60 thuhet se këtë e bëri Joabi. Meqë Davidi ishte kryekomandant, Joabi komandant i ushtrisë së tij, kurse Abishai komandant i një njësie ushtarake nën drejtimin e Joabit, kuptohet pse këto tregime ia japin meritën e fitores personave të ndryshëm, në varësi të këndvështrimit, siç ndodh edhe në kohët tona. Po ashtu, edhe ndryshimi mes shifrave në këto shkrime ka shumë mundësi që vjen nga pikëpamja e tregimtarit për aspektet ose etapat e ndryshme të luftës. (Krahaso 1Mb 11:15, 16.) Sido që të jetë, Davidi vuri garnizone me trupa izraelite anembanë Edomit dhe popullsia e mbetur iu nënshtrua Izraelit. (2Sa 8:14; 1Kr 18:13) Kështu, mbi qafën e Edomit (Esaut) rëndoi ‘zgjedha’ e Jakobit.—Zn 27:40; krahaso Nu 24:18.
Solomoni, i cili u martua me gra edomite (1Mb 11:1), e shfrytëzoi sundimin e Izraelit mbi qytetet bregdetare edomite buzë Detit të Kuq, pra, mbi Elothin (Elathin) dhe Ezion-Geberin, për të ndërtuar një flotë anijesh. (1Mb 9:26; 2Kr 8:17, 18) Meshkujt e paktë që kishin mbetur në Edom nuk e hiqnin dot qafe zgjedhën e Izraelit, megjithëse Hadadi, një i arratisur nga Edomi që kishte gjak mbretëror, udhëhoqi një lloj kryengritjeje.—1Mb 11:14-22.
Nuk dihet nëse situata vazhdoi ashtu plot një shekull pas fitores fillestare të Davidit. Sulmi i «bijve të Amonit, të Moabit dhe të rajonit malor të Seirit [Edomit]» (2Kr 20:1, 2, 10, 22) mund të ketë ndodhur para se forcat aleate të Judës, Izraelit dhe Edomit të mësynin Moabin. (2Mb 3:5-9; shih MOABI, MOABITËT.) Pra, Edomi bënte pjesë në secilën nga aleancat treshe, duke luftuar herë në njërën anë, herë në tjetrën. Gjithashtu, thuhet se për njëfarë kohe gjatë mbretërimit të Jehozafatit, Edomi nuk kishte mbret; në vend sundonte një mëkëmbës, që me sa duket varej nga froni i Judës, e kështu Juda kishte rrugë të lirë për në gjirin e ʽAkabës dhe për në portin ose portet e tij. (1Mb 22:47, 48) Në fushatën kundër Moabit, përmbytja e parathënë e luginës së përroit dikur të thatë, ku ngritën kampin ushtritë aleate, mbase erdhi nga një stuhi shkretëtire që shpërtheu lart në rrafshnaltë. Në ditët tona, nga stuhi të tilla mund të vërshojnë përrenj uji përposh vadeve, drejt Arabahut. Ka mundësi edhe që uji të jetë shfaqur thjesht falë një mrekullie.—2Mb 3:16-23.
Edomi ngriti krye, hodhi tej zgjedhën e Judës dhe u bë prapë monarki e pavarur gjatë mbretërimit të Jehoramit, birit të Jehozafatit. Edhe pse Jehorami fitoi në një betejë kundër tyre, rebelimi i edomitëve vazhdoi. (2Mb 8:20-22; 2Kr 21:8-10) Gjatë gjysmës së parë të mbretërimit të Amaziahut (858-830 p.e.s.), Lugina e Kripës u bë sërish skenë e një disfate ushtarake të Edomit, dhe Amaziahu shtiu në dorë Selën, qytet i rëndësishëm edomit, por ra në grackën e adhurimit të perëndive të rreme e të pafuqishme të Edomit. (2Mb 14:7; 2Kr 25:11-20) Biri i tij, Uziahu (Azariahu), e riktheu Elathin nën sundimin e Judës.—2Mb 14:21, 22.
Gjatë mbretërimit të Akazit (761-746 p.e.s.), në një mësymje kundër Judës, Siria i riktheu Edomit portin e Elathit në Detin e Kuq. (2Mb 16:5, 6) Të çliruar nga sundimi i Judës, edomitët u bashkuan me kombe të tjera, ndër të cilat Asiria, për të sulmuar disa herë Judën.—2Kr 28:16-20; krahaso Ps 83:4-8.
Nuk është gjetur asnjë material i shkruar edomit. Gjithsesi, edomitët përmenden në dokumente jofetare të kombeve të tjera. Një papirus egjiptian, që mendohet se i përket mijëvjeçarit të dytë p.e.s., tregon se disa fise beduine nga Edomi hynë në zonën e deltës, në kërkim të kullotave për bagëtitë. Faraonët Merneptah dhe Ramses III pohonin se sundonin mbi Edomin, e po ashtu edhe monarku asirian Adad-Nirari III. Njëfarë kohe pas epokës së këtij mbreti të fundit, Tiglath-Pileseri III (bashkëkohës i Akazit) mburrej se merrte haraç nga «Kaushmalaku i Edomit», kurse Esar-Hadoni, pasuesi i Senakeribit, e rendit «Kaushgabrin» si mbret vasal edomit.—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 282, 291.
Edomi në profeci. Qysh në epokën e mbretit Uziah, profetët Joel dhe Amos shpallën ndëshkimin e prerë të Jehovait kundër Edomit, ngaqë shfrente pareshtur zemërim të furishëm ndaj Izraelit duke përdorur shpatën pa pikë mëshire. (Am 1:6, 11, 12) Meqë iu kundërvu me egërsi popullit me të cilin Jehovai kishte bërë besëlidhje, Edomi humbi të drejtën të zotëronte tokën që kishte marrë falë miratimit të Perëndisë. (Jo 3:19; Am 9:11, 12) Edomitët e vulosën dënimin e tyre kur babilonasit pushtuan Judën dhe Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. Urrejtja e edomitëve u duk sheshit kur ndërsenë ata që po rrënonin Jerusalemin (Ps 137:7), gëzuan për gjëmën e Judës, e madje, nga armiqësia dhe etja për hakmarrje, ua dorëzuan babilonasve judenjtë e arratisur, që t’i vritnin. Edomitët u bashkuan me popujt fqinjë që të plaçkitnin vendin dhe thurën plane për të shtënë në dorë Judën dhe Izraelin e braktisur, duke folur me fodullëk kundër Jehovait. Prandaj Jehovai i urdhëroi profetët e vet Jeremia, Ezekiel dhe Abdia që ta siguronin Edomin se gëzimi i tij do të ishte jetëshkurtër dhe se do të katandisej njësoj si Juda. (Va 4:21, 22; Ezk 25:12-14; 35:1-15; 36:3-5; Ab 1-16) Siç kishte parathënë më parë profeti Isaia, edomitët që vringëllonin shpatën, do të binin nga shpata e drejtësisë dhe e gjykimit të Jehovait, të gjithë pa dallim, të mëdhenj e të vegjël, e kështu do të bëheshin si kafshë flijimi të caktuara për t’u shfarosur.—Is 34:5-8.
Edomi do të bëhej si Sodoma dhe Gomorra, një vend i pabanuar për jetë e mot. (Jr 49:7-22; krahaso Is 34:9-15.) Meqë kishte merituar urrejtjen e Jehovait, do të quhej «territori i ligësisë» dhe «populli që Jehovai e ka dënuar përgjithnjë». (Ma 1:1-5) Prandaj, tek Isaia 63:1-6, Edomi me sa duket simbolizon armiqtë e betuar të popullit me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje. Shkrimi me të drejtë e përshkruan Luftëtarin, pra vetë Perëndinë—që i ka rrobat të spërkatura me gjak dhe ka shtypur në shtypësen e rrushit të hakmarrjes së Tij—sikur vjen nga Edomi (që do të thotë «i kuq») dhe nga qyteti më i rëndësishëm i Edomit, Bozrahu (ndoshta këtu luhet me fjalën hebraike bacír, që do të thotë «vjelje rrushi»).—Krahaso Zb 14:14-20; 19:11-16.
Historia e mëvonshme dhe zhdukja. Me anë të profetit të vet, Jeremisë, Jehovai e paralajmëroi mbretin e Edomit që t’i nënshtrohej zgjedhës së Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. (Jr 27:1-7) Nuk tregohet se si vepruan në të vërtetë edomitët. Megjithatë, pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., disa mërgimtarë judenj u strehuan për njëfarë kohe në Edom. Më vonë, pas largimit të ushtrisë babilonase, u kthyen në vendin e tyre dhe në fund morën arratinë për në Egjipt. (Jr 40:11, 12; 43:5-7) S’kaloi shumë dhe Edomit i erdhi dita që të pinte kupën e zemërimit të Jehovait. (Jr 25:15-17, 21) Kjo ndodhi nga mesi i shekullit të gjashtë p.e.s., gjatë sundimit të mbretit babilonas Nabonid. Sipas S. Xh. Gadit, studiues i historisë dhe i letërsisë së Babilonisë, mes trupave të Nabonidit që pushtuan Edomin dhe Temën kishte edhe ushtarë hebrenj. Xhon Lindzi komentoi rreth kësaj: «Kështu, të paktën pjesërisht, u përmbushën fjalët e shkruara nga profeti, sipas të cilit Jahvehu tha: ‘Do të hakmerrem kundër Edomit me anë të popullit tim, Izraelit.’ (Ezek. 25.14) Në atë rast u plotësuan pjesërisht edhe fjalët e Abdisë, i cili tha se ‘aleatët’, ‘miqtë e besuar’ do ta ‘mashtronin’ Edomin, do ta ‘mposhtnin’ dhe do ta ‘futnin në kurth’. Mund të vërejmë se këtu bëhej fjalë për babilonasit. Ndonëse në ditët e Nabukodrezarit ata ishin të gatshëm t’i linin edhe edomitët të plaçkitnin Judën, nën sundimin e Nabonidit u prenë rrugën njëherë e mirë gjithë ambicieve tregtare të Edomit (krahaso Abd. 1 dhe 7).»—Palestine Exploration Quarterly, Londër, 1976, f. 39.
Libri i Malakisë, i shkruar rreth 100 vjet pas fushatës së Nabonidit në Edom, tregon se Perëndia i kishte bërë tashmë ‘malet [e Edomit] një vend të shkretë dhe trashëgiminë e tij ua kishte dhënë çakejve të shkretëtirës’. (Ma 1:3) Edomitët shpresonin të ktheheshin dhe t’i rindërtonin vendet e shkretuara, por nuk do t’ia dilnin.—Ma 1:4.
Në shekullin e katërt p.e.s., në territorin edomit banonin nabateasit, dhe edomitët nuk u kthyen dot kurrë. Ata përfunduan në Negeb, në jug të Judës. Pastaj u shpërngulën në veri deri në Hebron dhe përfundimisht zona jugore e Judës u quajt Idume. Sipas historianit Jozef, Gjon Hirkani I i nënshtroi edomitët diku mes viteve 130 e 120 p.e.s. dhe i detyroi të pranonin judaizmin. (Antikitete judaike, XIII, 257, 258 [ix, 1]; XV, 253, 254 [vii, 9]) Më tej, ata u asimiluan dalëngadalë nga kultura judaike dhe u shuan fare si popull pas shkatërrimit të Jerusalemit nga Roma në vitin 70 të e.s.—Ab 10, 18; shih IDUMEA.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Territori i EDOMIT
Rrugë kryesore
Rrugët e vendit
EDOM
SHKRETËTIRA E ZINIT
MOAB
Deti i Kripur
L. p. të Zeredit
Selë
Bozrah
M. Hor
Kadesh-Barnea
Teman
Rruga e mbretit
Ezion-Geber
Elath
Gjiri i ʽAkabës
SHKRETËTIRA E ARABISË