Kapitulli i gjashtë
«Le të rrjedhë drejtësia», me qëllim që të njohim Perëndinë
1. Pse njerëzve u pëlqen drejtësia?
GJATË gjithë historisë ka pasur njerëz që janë bërë të famshëm ngaqë kanë luftuar për drejtësinë. Por, mendo pak për këtë: njerëzve u pëlqen drejtësia, sepse janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili nga ne ka një ndjenjë të brendshme drejtësie dhe dëshiron që të tjerët ta trajtojnë me drejtësi, sepse të gjithë jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Jehovait, i cili ‘kënaqet’ me drejtësinë.—Jeremia 9:24; Zanafilla 1:27; Isaia 40:14.
2, 3. Pse duhet të shqyrtojmë librat e 12 profetëve që të mësojmë për drejtësinë e Jehovait?
2 Duke lexuar libra të ndryshëm të Biblës, mund të thellosh kuptueshmërinë që ke për drejtësinë e Perëndisë. Por do të nxjerrësh sidomos dobi, po të shqyrtosh librat e 12 profetëve. Në ta del kaq shumë del në pah drejtësia, saqë një vëllim me librat e Hozesë, Amosit dhe Mikesë, i botuar nga një shoqëri biblike, titullohet Drejtësia tani! Për shembull, shqyrto thirrjet që bën Amosi: «Le të rrjedhë drejtësia si uji dhe e drejta si një përrua i pashtershëm!» Ose shiko se cilin vë Mikea të parin nga detyrimet që ka secili prej nesh: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»—Amosi 5:24; Mikea 6:8.
3 Prandaj, për ta njohur më mirë Jehovain që pastaj të jemi në gjendje ta imitojmë, duhet patjetër të kuptojmë dhe të çmojmë drejtësinë e tij. Drejtësia e Jehovait është një veçori e karakterit të tij, kështu që, s’mund të themi se e njohim, nëse s’e kemi kuptuar qartë këtë cilësi. Edhe shërbëtorët e tij të lashtë e dinin se «Jehovai e do drejtësinë».—Psalmi 33:5; 37:28.
4. Ilustro pse shkrimet e 12 profetëve mund të ta forcojnë sigurinë për drejtësinë e Perëndisë.
4 Pak para se Jehovai të ekzekutonte gjykimin mbi Jerusalemin, profeti Habakuk pyeti: «Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë? . . . Ligji mpihet dhe e drejta nuk del kurrë. Ngaqë i ligu rrethon të drejtin, drejtësia shtrembërohet.» (Habakuku 1:2, 4) Habakuku besnik kishte arritur ta njihte Jehovain nga Shkrimet që kishte në dispozicion dhe nga përvoja e tij. Prandaj, ai ishte i bindur se Perëndia e përkrah dhe e nxit drejtësinë. Por, profeti donte të dinte përse e lejon Jehovai ligësinë. Perëndia e siguroi Habakukun se do të vepronte me drejtësi me njerëzit që kishin besim. (Habakuku 2:4) Nëse Habakuku dhe të tjerë mund ta kishin këtë siguri, ti ke edhe më shumë arsye për ta pasur atë. Përse? Po ja, Bibla tani është e plotë, kështu që mund të shqyrtosh më gjerësisht mënyrën si ka vepruar Jehovai dhe si e ka shprehur personalitetin e tij, përfshirë edhe drejtësinë e tij. Prandaj, ke më tepër mundësi ta njohësh Jehovain dhe të bindesh se drejtësia e tij është e përsosur.
5. Cili aspekt i drejtësisë është veçanërisht me interes tani?
5 Kur dërgoi lajmëtarë në Izrael, Jehovai theksoi se ishte e nevojshme të veprohej me drejtësi. (Isaia 1:17; 10:1, 2; Jeremia 7:5-7; Ezekieli 45:9) S’ka dyshim se ai vazhdoi ta theksonte këtë edhe nëpërmjet 12 profetëve. (Amosi 5:7, 12; Mikea 3:9; Zakaria 8:16, 17) Kushdo që lexon shkrimet e tyre, mund të shohë se ata i nxitën njerëzit që të tregonin drejtësi në punët e përditshme. Mësimet që nxjerrim nga këta 12 libra mund t’i zbatojmë në një sërë mënyrash, por le të shqyrtojmë dy fusha ku profetët theksuan drejtësinë e pastaj të shohim si t’i vëmë në praktikë.
DREJTËSI NË BIZNES E NË ÇËSHTJET FINANCIARE
6, 7. Pse duhet të na interesojë të gjithëve të veprojmë me drejtësi në biznes e në çështjet financiare?
6 Jezui tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë.» (Luka 4:4; Ligji i përtërirë 8:3) Ai nuk e mohoi se kemi nevojë për bukë, pra për të ngrënë. Për shumicën e njerëzve, kjo do të thotë të punojnë vetë ose të punojë njëri nga familja për të siguruar bukën e gojës. Kështu ishte edhe për shërbëtorët e lashtë të Perëndisë. Disa punonin për llogari të tyre: kultivonin tokën ose bënin veshje, mobilie dhe enë gatimi. Të tjerë ishin punëdhënës, pra, merrnin në punë të tjerë për të korrur ose për të bërë miell, vaj ulliri a verë. Të tjerë akoma ishin tregtarë, blinin e shitnin mallra. Ose disa mund të kenë pasur ndonjë zanat, si për shembull: riparonin çatitë a i binin ndonjë vegle muzikore.—Dalja 35:35; Ligji i përtërirë 24:14, 15; 2 Mbretërve 3:15; 22:6; Mateu 20:1-8; Luka 15:25.
7 A sheh diçka të ngjashme në jetën tënde ose në jetën e miqve e të afërmve? Kuptohet, sot mund të kërkohen të tjera metoda pune, por, a nuk je dakord se pikëpamja e Perëndisë për drejtësinë në këto çështje, duhet të jetë e njëjtë si në atë kohë? Në mesazhet që përcolli përmes 12 profetëve, Jehovai tregoi se pret që populli i tij të veprojë me drejtësi në këto fusha të jetës. Ndërsa shqyrtojmë disa shembuj, mendo se si mund të tregosh edhe ti drejtësinë e Perëndisë.—Psalmi 25:4, 5.
8, 9. (a) Pse ishte veçanërisht i rëndë dënimi që lexojmë te Malakia 3:5? (b) Cilën pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe punësimin japin Shkrimet?
8 Nëpërmjet Malakisë, Perëndia tha: «Unë do t’ju afrohem për t’ju gjykuar dhe do të dëshmoj pa u vonuar kundër shtriganëve, kundër kurorëshkelësve, kundër atyre që betohen në mënyrë të rreme, kundër atyre që veprojnë me hile me pagën e rrogëtarit, . . . ndërkohë që nuk kanë frikë nga unë.» (Malakia 3:5) Po, Jehovai i dënoi ata që i trajtonin padrejtësisht punëtorët ose mëditësit. Sa e rëndë ishte kjo gjë? Mendo, ai e renditi padrejtësinë ndaj punëtorëve bashkë me spiritizmin, kurorëshkeljen dhe gënjeshtrën. Të krishterët e dinë cili është gjykimi i Perëndisë për ‘kurvarët, ata që merren me spiritizëm dhe gjithë gënjeshtarët’.—Zbulesa 21:8.
9 Ajo që po ndodhte në vendin e punës s’ishte thjesht çështje e moralit njerëzor; përfshihej drejtësia e Jehovait. Ai tha se, për shkak të tradhtisë së atyre ‘që vepronin me hile me pagën e rrogëtarit’, ‘do të afrohej për t’i gjykuar’. Kuptohet, Perëndia nuk tha që një punëdhënës duhej t’u përgjigjej gjithë tekave të një punëtori ose të një grupi punëtorësh. Nga ilustrimi i Jezuit për disa burra që u morën si punëtorë me mëditje për të punuar në vresht, kuptojmë se pozita i jepte të drejtën punëdhënësit të përcaktonte pagën dhe kushtet e punës. (Mateu 20:1-7, 13-15) Vlen të përmendet se të gjithë punëtorët në ilustrimin e Jezuit u paguan me një denar, ‘paga për një ditë’, siç kishin rënë dakord, pavarësisht në punuan apo jo gjithë ditën. Vërejmë edhe se punëdhënësi nuk përdori mashtrime për të përfituar sa më shumë në kurriz të atyre që kishte marrë në punë.—Jeremia 22:13.
10. Pse duhet të na interesojë mënyra si i trajtojmë ata që kemi marrë në punë?
10 Në qoftë se ke një biznes dhe ke punësuar disa veta ose në qoftë se merr në punë një njeri për të bërë diçka, si janë pagat që jep, kërkesat që ke dhe marrëveshjet financiare, në krahasim me atë që thotë Malakia 3:5? Është mirë të mendojmë për këtë, sepse edhe në Shkrimet e Krishtere Greke flitet për trajtimin jo të drejtë që u bëhej punëtorëve me mëditje. Ata që vepronin padrejtësisht në çështje të tilla, dishepulli Jakov i pyeti: «A nuk po ju kundërvihet ai [Jehovai]?» (Jakovi 5:1, 4, 6) Me të drejtë, nxjerrim përfundimin se, ata që tregohen të padrejtë me «pagën e rrogëtarit», nuk e kanë njohur vërtet Jehovain, sepse nuk po imitojnë drejtësinë e tij.
11, 12. (a) Cilin veprim të padrejtë nxjerr në pah Hozea 5:10? (b) Si mund ta zbatosh parimin që gjendet te Hozea 5:10?
11 Tani lexo pse iu kundërvu Jehovai disa burrave të shquar në kohën e Hozesë: «Princat e Judës janë bërë tamam si ata që zgjerojnë kufijtë. Zemërimin tim të furishëm do ta derdh mbi ta si ujë.» (Hozea 5:10) Cilën praktikë të gabuar demaskoi Hozea? Bujqit judenj jetonin me prodhimet e tokës së tyre, kufijtë e së cilës ishin shënuar me gurë ose me hunj. ‘Të zgjeroje kufijtë’ do të thoshte t’i pakësoje tokën një bujku dhe t’i hiqje një pjesë të mjeteve të jetesës, me pak fjalë, ta zhvatje. Princat e Judës, që duhej të kishin qenë mbrojtës të drejtësisë, Hozea i krahasoi me ata që zgjeronin kufijtë e tyre duke lëvizur gurët.—Ligji i përtërirë 19:14; 27:17; Jobi 24:2; Proverbat 22:28.
12 Sot, disa që merren me pasuri të patundshme, mund të tundohen që ‘t’i zgjerojnë kufijtë’, për të mashtruar blerësit. Megjithatë, parimi zbatohet edhe për tregtarët, punëdhënësit, punëtorët ose klientët, pra, të gjithë ata që përfshihen në kontrata ose marrëveshje. Siç e di, disa veta në botën e biznesit nuk janë të gatshëm t’i hedhin me shkrim kontratat, se mendojnë që më vonë do ta kenë më të lehtë të bëjnë më pak nga ç’kishin rënë dakord ose të parashtrojnë kërkesa të reja. Të tjerë bëjnë kontratë me shkrim, por brenda saj, me shkronja të vogla, përfshijnë disa hollësi që e shtrembërojnë kuptimin e fjalëve në favor të tyre, pavarësisht se kjo dëmton me të padrejtë palën tjetër. A mendon se një njeri që vepron kështu, qoftë ky tregtar a klient, punëdhënës a punëtor, e njeh vërtet Perëndinë e drejtësisë? Jehovai tha në Fjalën e tij: «Mos e shtyj kufirin . . . e jetimëve. Sepse i fortë është Shpenguesi i tyre dhe ai vetë do ta mbrojë çështjen e tyre kundër teje.»—Proverbat 23:10, 11; Habakuku 2:9.
13. Çfarë padrejtësish bëheshin në popullin e lashtë të Perëndisë, sipas Mikesë 6:10-12?
13 Mikea 6:10-12 shpjegon edhe më shumë për drejtësinë: «A gjenden ende në shtëpinë e të ligut thesaret e ligësisë dhe një efë koprraci, që është e urryer? A mund të jem moralisht i pastër me peshore hileqare e me një torbë me gurë peshe të rremë? Sepse . . . banorët e tij thonë gënjeshtra dhe kanë në gojë një gjuhë dhelparake.» Ne sot nuk i matim ushqimet me efa, por me kilogramë. Ose, peshoret moderne ndoshta s’janë si ato që përdoreshin në kohët e lashta. Por pika që donte të theksonte Mikea është e qartë. Tregtarët ose biznesmenët në kohën e tij ishin mashtrues. Duke mos përdorur peshat dhe masat standarde, ata e trajtonin popullin padrejtësisht. ‘Të ligj’ i quajti Perëndia ata që ‘kishin një gjuhë dhelparake’ e që mashtronin në marrëveshjet tregtare.—Ligji i përtërirë 25:13-16; Proverbat 20:10; Amosi 8:5.
14. Cilën lloj padrejtësie të ditëve të sotme na ndihmon të shmangim paralajmërimi i Mikesë?
14 A ndikojnë fjalët e Mikesë për peshat dhe masat mashtruese në mënyrën si e ushtron ti biznesin tënd ose në atë që bën si i punësuar? Duhet të mendojmë për këtë, sepse ka mënyra të panumërta se si mashtrohen klientët dhe blerësit. Për shembull, disa pronarë të paskrupuj ndërmarrjesh ndërtimi nuk vënë sasinë normale ose standarde të çimentos në një përzierje, por më pak. Ose, një zejtar mund të përdorë materiale më të lira sesa ato për të cilat paguhet, në vende që e di se nuk do të shihen. Disa tregtarë i shesin për të reja sendet që faktikisht janë të përdorura. E ndoshta ke dëgjuar edhe për shumë marifete të tjera të tregtisë, që bëhen për të rritur fitimet. A do të tundoheshe për të bërë edhe ti të tilla marifete? Në një libër të kohëve të fundit, ku shpjegohet se si të mbrohet jeta private, thuhej se Dëshmitarët e Jehovait «besojnë që Krijuesi i sheh gjithnjë, dhe shumica më mirë vdesin sesa të vjedhin». Pastaj shtonte: «Ata janë mjaft të kërkuar si punonjës në bizneset ku luhet me shuma të mëdha parash.» Përse? Sepse të krishterët e vërtetë e dinë që Jehovai ‘u kërkon të tregojnë drejtësi’ edhe në biznes e në çështjet financiare.—Mikea 6:8.
‘PRINCA QË QEVERISIN PËR TË SIGURUAR DREJTËSINË’
15, 16. Si vepronin me popullin udhëheqësit në ditët e Mikesë?
15 Nga librat e 12 profetëve, mund të kuptosh se ka pasur periudha kur drejtësia është shkelur me të dyja këmbët. Njerëzit me autoritet, që duhej të kishin dhënë shembullin për sa i përket drejtësisë, në fakt nuk ishin të tillë. (Dalja 18:21; 23:6-8; Ligji i përtërirë 1:17; 16:18) Mikea iu përgjërua: «Dëgjoni, ju lutem, o krerë të Jakobit dhe ju, o komandantë të shtëpisë së Izraelit! A s’është vallë puna juaj të njihni drejtësinë? Por ju e urreni të mirën dhe doni të keqen, u rripni njerëzve lëkurën dhe ua shqisni mishin prej kockave.»—Mikea 3:1-3; Isaia 1:17.
16 Këto fjalë duhej t’i kishin tronditur njerëzit që e njihnin jetën e fshatit. Herë pas here bariu i qethte delet për të cilat kujdesej dhe i mbronte. (Zanafilla 38:12, 13; 1 Samuelit 25:4) Por ‘komandantët e shtëpisë së Izraelit’, të cilët duhej ‘ta kishin njohur drejtësinë’, e shfrytëzonin popullin e kullotës së Perëndisë, njësoj si t’u rripnin lëkurën deleve dhe t’u thyenin kockat. (Psalmi 95:7) Duke përdorur një ilustrim tjetër nga jeta e fshatit, Mikea tha se princat ‘që gjykonin për të marrë një shpërblim’ ishin si një drizë ose si një gardh me gjemba. (Mikea 7:3, 4) Mendo sikur të kalosh përmes një zone plot driza dhe gardhe me gjemba. Me siguri do të gërvishteshe dhe do të të griseshin rrobat. Kjo ilustron pasojat që kishte populli i Perëndisë nga këta udhëheqës. Në vend që t’i trajtonin me drejtësi vëllezërit e tyre, ata ishin tradhtarë e të korruptuar.—Mikea 3:9, 11.
17. Çfarë qëndrimi kishin udhëheqësit, sipas Sofonisë 3:3?
17 Sofonia tha diçka të ngjashme: «Princat e tu ishin si luanë që ulërijnë. Gjykatësit e tu ishin si ujqërit e natës, të cilëve nuk u mbetej asnjë kockë për të brejtur gjer në mëngjes.» (Sofonia 3:3) I mendoni dot udhëheqësit e popullit të Perëndisë që, si luanë të egër e mizorë, shpërfillnin drejtësinë? Ose gjykatësit që, si ujqër grabitqarë e të pangopur, rrufitnin çdo gjë, aq sa, në mëngjes, mund të gjeje vetëm kockat? Si do të mund të mbijetonte drejtësia në kushte të tilla? Ajo bëhej copë-copë nga udhëheqës që i grabitnin njerëzit, në vend që të kujdeseshin për ta.
18. Si duhej ta kishin trajtuar popullin e Perëndisë, gjykatësit e Izraelit?
18 Është e qartë se udhëheqësit e kombit që i ishte kushtuar Perëndisë, nuk e njihnin atë. Po ta kishin njohur, do t’i ishin bindur Zakarisë 8:16: «Këto gjëra duhet të bëni: I thoni të vërtetën njëri-tjetrit. Në portat tuaja gjykoni në përputhje me të vërtetën dhe me paqe.» Në Izrael, pleqtë mblidheshin te porta e qytetit për të trajtuar çështjet gjyqësore, të cilat nuk duhej t’i shqyrtonin sipas përshtypjes së parë dhe as në bazë të intuitës, por në përputhje me mendimet e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 22:15) Veç kësaj, Jehovai i kishte paralajmëruar që të mos u mbanin anën për shembull të pasurve ose njerëzve të shquar. (Levitiku 19:15; Ligji i përtërirë 1:16, 17) Gjykatësit duhej të përpiqeshin të rivendosnin paqen mes palëve në një mosmarrëveshje, duke ‘gjykuar me paqe’.
19, 20. (a) Përse pleqtë e krishterë mund të mësojnë shumë nga 12 profetët? (b) Si mund të tregojnë pleqtë se e njohin Jehovain dhe drejtësinë e tij?
19 Apostulli Pavël citoi një pjesë të Zakarisë 8:16 kur po u shkruante të krishterëve. (Efesianëve 4:15, 25) Prandaj, mund të jemi të sigurt se këshillat dhe paralajmërimet që dhanë 12 profetët për drejtësinë, zbatohen edhe në kongregacionin e sotëm. Pleqtë ose ndryshe mbikëqyrësit në kongregacion, duhet të jenë shembullorë për sa i përket njohjes së Jehovait dhe pasqyrimit të drejtësisë së tij. Tek Isaia 32:1, atyre u bëhet një përshkrim rigjallërues, si ‘princa që qeverisin për të siguruar drejtësinë’. Çfarë pikash praktike mund të dallojmë nga paralajmërimet dhe këshillat e 12 profetëve, për këta pleq?
20 Pleqtë e krishterë duhet të mbajnë në mendje të vërtetën biblike dhe atë që tregojnë Shkrimet për mënyrën si mendon Jehovai. Duhet t’i bazojnë vendimet e tyre në këto mendime, jo në opinionin personal ose në atë që mund të quhet intuitë. Bibla tregon se mund të ketë raste të vështira që kërkojnë shumë kohë për t’u përgatitur, duke kërkuar në Bibël e në botimet që kanë udhëzime të mençura nga klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur. (Dalja 18:26; Mateu 24:45) Kur pleqtë bëjnë përpjekje të tilla, ka më shumë të ngjarë që të urrejnë atë që është e keqe dhe të duan atë që është e mirë sipas pikëpamjes së Perëndisë. Kjo do të ndihmojë që «të mbizotërojë drejtësia te porta», dhe kështu ata ‘do të gjykojnë me drejtësi të vërtetë’.—Amosi 5:15; Zakaria 7:9.
21. Përse pleqtë nuk duhet të tregohen të anshëm, por çfarë mund t’i tundojë që të veprojnë kështu?
21 Edhe sikur një njeri me përgjegjësinë për të gjykuar të ketë njohuri biblike, prapëseprapë mund të ndodhë që të jetë paksa i anshëm. Malakia u ankua se priftërinjtë, të cilët duhej të kishin qenë burim njohurie, ‘po tregoheshin të anshëm në zbatimin e ligjit’. (Malakia 2:7-9) Si ka mundësi? Mikea tha se disa krerë ‘gjykonin për të marrë ryshfet dhe priftërinjtë mësonin me pagesë’. (Mikea 3:11) Si mund të shtrembërohet edhe pikëpamja e një plaku në mënyrë të ngjashme? Ta zëmë se çështja që po trajton ka të bëjë me një individ që është treguar bujar me të në të kaluarën ose plaku parashikon ndonjë dobi që mund të ketë prej tij në të ardhmen. Ose, ta zëmë se rasti që po shqyrton, përfshin dikë me të cilin ka lidhje gjaku ose krushqie. Do të fitojnë lidhjet familjare apo parimet biblike? Paanshmëria e një plaku mund të ndikohet kur ai shqyrton një rast keqbërjeje ose kur përcakton nëse dikush tjetër është i kualifikuar sipas Shkrimeve për privilegje të mëtejshme në kongregacion.—1 Samuelit 2:22-25, 33; Veprat 8:18-20; 1 Pjetrit 5:2.
22. (a) Çfarë përgjegjësie kanë pleqtë për sa i përket drejtësisë? (b) Çfarë cilësish të tjera biblike duhet të pasqyrojnë pleqtë ndaj atyre që kanë gabuar?
22 Kur një njeri mëkaton rëndë, barinjtë frymorë ndërmarrin veprime për ta mbrojtur kongregacionin nga ndonjë ndikim i dëmshëm e korruptues. (Veprat 20:28-30; Titit 3:10, 11) Por, nëse ai që ka gabuar është penduar vërtet, pleqtë duhet ‘ta ndreqin me një frymë butësie’. (Galatasve 6:1) Në vend që të jenë të ftohtë e të ashpër, ata zbatojnë udhëzimin: «Gjykoni me drejtësi të vërtetë, tregojini vazhdimisht njëri-tjetrit dashamirësi dhe mëshirë.» (Zakaria 7:9) Rregullat që kishte vendosur Jehovai për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në Izraelin e lashtë, theksojnë drejtësinë dhe mëshirën e tij. Gjykatësit e caktuar kishin njëfarë lirie për shumicën e vendimeve që merrnin; mund të tregonin mëshirë, në varësi të rrethanave dhe të qëndrimit të keqbërësit. Po njësoj, mbikëqyrësit e krishterë duhet të përpiqen të gjykojnë «me drejtësi të vërtetë» dhe të shfaqin «dashamirësi dhe mëshirë», duke treguar kështu se kanë arritur ta njohin vërtet Jehovain.
23, 24. (a) Si mund të japin pleqtë ‘gjykim me paqe’? (b) Çfarë ke kuptuar për drejtësinë, duke shqyrtuar librat e 12 profetëve?
23 Kujto çfarë thotë Zakaria 8:16: «Në portat tuaja gjykoni në përputhje me të vërtetën dhe me paqe.» Cili ishte synimi? ‘Të gjykohej me paqe.’ Edhe në kohën e apostujve, midis disa të krishterëve kishte mosmarrëveshje ose grindje. Siç veproi Pavli me Evodinë dhe Sintikinë, edhe sot mund të jetë e nevojshme që pleqtë të japin ndihmë. (Filipianëve 4:2, 3) Natyrisht, pleqtë duhet të përpiqen me zell ‘të gjykojnë me paqe’, duke bërë çmos të rivendosin paqen midis palëve që kanë mosmarrëveshje. Këshillat biblike që japin ata, si dhe qëndrimi me të cilin e bëjnë këtë, duhet të nxitin paqen në kongregacion dhe paqen me Perëndinë. Kështu do të jetë e dukshme se e njohin vërtet Jehovain dhe drejtësinë e tij.
24 Dy fushat që diskutuam më sipër ilustrojnë se është jetike të zbatojmë në jetën e përditshme këshillat që dokumentuan për drejtësinë 12 profetët. Sa shumë bekime vijnë kur ne dhe të tjerët që na rrethojnë, ‘e lëmë drejtësinë të rrjedhë’!