Danieli
11 Unë qëndrova me të që ta forcoja e ta mbroja* gjatë vitit të parë të Darit,+ medit. 2 Ajo që do të të tregoj tani, është e vërtetë:
Ja, në Persi do të dalin* edhe tre mbretër të tjerë dhe i katërti do të mbledhë pasuri më të mëdha se gjithë të tjerët. Kur të bëhet i fortë me anë të pasurive, ai do të ngrejë çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë.+
3 E do të dalë një mbret i fuqishëm; sundimi i tij do të ketë shtrirje të gjerë+ e ai do të bëjë si t’i pëlqejë. 4 Por, pasi të ketë dalë, mbretëria e tij do të thyhet e do të ndahet në katër pjesë, në të katër drejtimet,*+ por jo mes pasardhësve* të tij e jo me atë pushtet që sundoi ai; sepse mbretëria e tij do të shkulet me rrënjë e do t’u kalojë të tjerëve.
5 Dhe mbreti i jugut, domethënë një nga princat e tij, do të bëhet i fortë. Por do të dalë një tjetër më i fortë se ai, dhe sundimi i këtij do të ketë shtrirje të gjerë e fuqi sunduese më të madhe se e atij.
6 Pas disa vjetësh, ata do të lidhin një aleancë, dhe vajza e mbretit të jugut do të vijë te mbreti i veriut për të bërë një marrëveshje. Por ajo nuk do ta mbajë fuqinë e krahut të saj; edhe mbreti nuk do të qëndrojë, e as krahu i tij. Vajzën do ta dorëzojnë, madje edhe ata që e kishin sjellë aty, edhe të atin, edhe atë që e bëri të fortë në ato kohë. 7 Një filiz nga rrënjët e saj do të zërë pozitën e tij, do të lëvizë drejt ushtrisë, do të vijë kundër fortesës së mbretit të veriut, do të luftojë kundër tyre dhe do të dalë më i fortë. 8 Gjithashtu do të vijë në Egjipt bashkë me perënditë e tyre, me shëmbëlltyrat prej metali,* me sendet e dëshirueshme* prej argjendi e prej ari dhe me robërit. Për disa vjet do t’i rrijë larg mbretit të veriut, 9 i cili do të vijë kundër mbretërisë së mbretit të jugut, por më pas do të kthehet prapa në vendin e vet.
10 Bijtë e tij do të përgatiten për luftë e do të mbledhin një ushtri të fuqishme e shumë të madhe; ai do të përparojë patjetër e do të vërshojë si një përmbytje. Por do të kthehet pas dhe do të luftojë gjatë gjithë rrugës deri në fortesën e tij.
11 Mbreti i jugut do të hidhërohet dhe do të dalë e do të luftojë kundër tij, pra, kundër mbretit të veriut, i cili do të mobilizojë një turmë të madhe, por këtë do ta shtjerë në dorë tjetri. 12 Turma do të bëhet pre e tij. Zemra do t’i lartësohet. Ai do të bëjë të bien dhjetëra mijë veta, por nuk do ta shfrytëzojë pozitën e tij të fortë.
13 Mbreti i veriut do të kthehet e do të mobilizojë një turmë më të madhe se e para. Në fund të kohëve, pas disa vjetëve, ai do të vijë patjetër me një ushtri të madhe e të pajisur mirë. 14 Në ato kohë, shumë do të ngrihen kundër mbretit të jugut.
Dhe njerëzit e dhunshëm* nga populli yt do të shkojnë pas tyre e do të përpiqen të nxjerrin të vërtetë një vegim,* por do të pengohen.
15 Mbreti i veriut do të vijë, do të ngrejë një ledh rrethues e do të pushtojë një qytet të fortifikuar. Krahët* e jugut nuk do të qëndrojnë, as njerëzit e tij të zgjedhur; ata s’do të kenë fuqi që të rezistojnë. 16 Ai që do të vijë kundër mbretit të jugut, do të bëjë si t’i pëlqejë e askush nuk do t’i bëjë dot ballë. Ai do të qëndrojë në vendin e Stolisë*+ dhe dora e tij do të jetë në gjendje të shfarosë. 17 Ai do të jetë i vendosur* që të vijë me gjithë forcën e mbretërisë së tij dhe do të bëjë një marrëveshje me të e do të veprojë me efektshmëri. Atij do t’i lejohet të shkatërrojë vajzën, dhe ajo nuk do të qëndrojë e nuk do të jetë më e tija. 18 Ai do t’i hedhë sytë nga vendet bregdetare e do të pushtojë shumë prej tyre. Një komandant do t’i japë fund poshtërimit që i bëri ky, prandaj nuk do të ketë më poshtërim prej këtij; ai do të bëjë që poshtërimi t’i bjerë atij që e poshtëroi. 19 Prandaj ai* do të kthehet prapa, drejt fortesave të vendit të vet, do të pengohet, do të bjerë e nuk do të gjendet.
20 Pozitën e tij do ta zërë dikush që do të dërgojë përmes mbretërisë së shkëlqyer dikë që vjel taksa,* por brenda pak ditëve ai do të thyhet, megjithatë, jo në zemërim e as në luftë.
21 Pozitën e tij do ta zërë një njeri i urryer,* të cilit nuk do t’i jepet madhështi mbretërore. Ai do të vijë gjatë një kohe kur njerëzit do të ndihen të sigurt* dhe do ta marrë mbretërinë me anë të lajkave.* 22 Krahët* e përmbytjes do të zhduken për shkak të tij dhe do të thyhen, e po kështu edhe Kreu+ i besëlidhjes.+ 23 Për shkak të aleancës që kanë bërë me të, ai do të veprojë me mashtrim dhe do të ngrihet e do të bëhet i fuqishëm me anë të një kombi të vogël. 24 Gjatë një kohe kur njerëzit do të ndihen të sigurt,* ai do të hyjë në pjesët më të pasura* të provincës e do të bëjë atë që s’e bënë etërit e tij dhe etërit e tyre. Do të shpërndajë mes tyre pre, plaçkë e të mira materiale e do të thurë intriga kundër vendeve të fortifikuara, por vetëm për njëfarë kohe.
25 Ai do të marrë zemër dhe do të mobilizohet për të sulmuar mbretin e jugut me një ushtri të madhe. Edhe mbreti i jugut do të përgatitet për luftë me një ushtri tejet të madhe e të fuqishme. Dhe ai* nuk do të qëndrojë, sepse kundër tij do të thurin intriga. 26 Rrënimi do t’i vijë nga duart e atyre që hanë ushqimet e tij të zgjedhura.
Ushtria e tij do të zhduket* dhe shumë veta do të bien të vrarë.
27 Zemra e këtyre dy mbretërve do të priret të bëjë atë që është e keqe, dhe ata do të ulen në të njëjtën tryezë e do t’i thonë gënjeshtra njëri-tjetrit. Por asgjë s’do të ketë sukses, sepse fundi është ende për kohën e caktuar.+
28 Mbreti i veriut do të kthehet në vendin e tij me një sasi të madhe të mirash materiale dhe zemra e tij do të jetë kundër besëlidhjes së shenjtë. Ai do të veprojë me efektshmëri dhe do të kthehet në vendin e tij.
29 Në kohën e caktuar do të kthehet dhe do të vijë kundër jugut. Por këtë herë nuk do të jetë si më parë, 30 sepse kundër tij do të vijnë anijet e Kitimit,+ dhe ai do të poshtërohet.
Ai do të kthehet e do të shpallë me tërbim dënimin* kundër besëlidhjes së shenjtë+ dhe do të veprojë me efektshmëri. Pastaj do të kthehet dhe do ta drejtojë vëmendjen ndaj atyre që braktisin besëlidhjen e shenjtë. 31 Prej tij do të dalin krahë,* që do të ngrihen e do të përdhosin shenjtëroren+ dhe fortesën e do të heqin flijimin e vazhdueshëm.+
Ata do të vënë në vend gjënë e neveritshme që shkakton shkretim.+
32 Me anë të lajkave,* mbreti i veriut do t’i çojë në apostazi ata që e hedhin poshtë besëlidhjen me ligësi. Por populli që e njeh Perëndinë e vet, do të triumfojë e do të veprojë me efektshmëri. 33 Dhe ata që kanë gjykim të thellë+ midis popullit, do të mësojnë shumë veta, por do të pengohen e do të bien viktima të shpatës, të flakëve, të robërisë e të plaçkitjes për disa ditë. 34 Mirëpo, kur të pengohen, atyre do t’u jepet pak ndihmë, dhe shumë veta do të bashkohen me ta me anë të lajkave.* 35 Kështu, disa nga ata që kanë gjykim të thellë, do të pengohen, që të rafinohen, të pastrohen, të zbardhen,+ deri në kohën e fundit, sepse fundi është ende për kohën e caktuar.
36 Mbreti i veriut do të bëjë si t’i pëlqejë, do të lartësohet e do të madhërohet mbi çdo perëndi dhe do të thotë gjëra skandaloze kundër Perëndisë së perëndive.+ Do të ketë sukses derisa Perëndia të tregojë indinjatën e tij; sepse ajo që është vendosur, do të ndodhë se s’bën. 37 Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij. Nuk do të respektojë as dëshirën e grave, as ndonjë perëndi tjetër, por do të madhërohet mbi këdo. 38 Përkundrazi* do t’i japë lavdi perëndisë së fortesave, një perëndie që etërit e tij nuk e njihnin. Do t’i japë lavdi me anë të arit, të argjendit, të gurëve të çmuar e të gjërave të dëshirueshme.* 39 Do të veprojë me efektshmëri kundër kalave më të fortifikuara, bashkë me një perëndi të huaj.* Do t’i mbulojë me lavdi të gjithë ata që e pranojnë* dhe do t’i vërë të sundojnë mes shumë vetave. Dhe do të ndajë* tokë kundrejt një çmimi.
40 Në kohën e fundit, mbreti i jugut dhe mbreti i veriut do të shtyjnë njëri-tjetrin,* dhe mbreti i veriut do të sulet kundër tij si stuhi, me karroca, me kalorës e me shumë anije; ai do të hyjë nëpër vende të ndryshme e do të vërshojë si një përmbytje. 41 Do të hyjë edhe në vendin e Stolisë*+ dhe shumë vende do të pengohen. Por këto vende do t’i shpëtojnë nga dora: Edomi, Moabi dhe pjesa kryesore e amonitëve. 42 Ai do ta shtrijë vazhdimisht dorën kundër vendeve. Dhe vendi i Egjiptit nuk do të shpëtojë. 43 Ai do të sundojë mbi thesaret e fshehura të arit e të argjendit dhe mbi gjithë gjërat e dëshirueshme* të Egjiptit. Libianët dhe etiopasit do të ndjekin gjurmët e tij.
44 Por do të ketë lajme që do ta turbullojnë, nga lindja dhe nga veriu. Prandaj ai do të dalë me tërbim të madh që të asgjësojë e të shfarosë shumë veta. 45 Do t’i ngulë tendat e tij mbretërore* ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë.*+ Do të shkojë drejt fundit të tij dhe s’do të ketë asnjë që ta ndihmojë.